Historia e mëposhtme është reale, autori ka preferuar të mbetet anonim. Bëhet fjala për një fëmijë, i cili me kalimin e viteve rritet.
Kur ishte i vogël, ai mërzitej me të atin se e gënjente shpesh, kur ndërkohë i ati nuk i mbante premtimet jo se nuk donte, por sepse vonohej shumë në punë. Djali nuk e kuptonte, pasi nuk e dinte realisht se si funksiononte puna e një kamionisti (siç ishte i ati). Këtë gjë ai e kuptoi vetëm kur u rrit dhe filloi punën edhe ai vetë si kamionist. Për më shumë, mund të lexoni historinë e mëposhtme.
“Kur isha fëmijë, isha shumë i mërzitur me babanë tim. Një ditë, ndërsa u kthye në shtëpi më herët se zakonisht, më tha:
– Ç’ne që nuk po më përshëndet? Nuk je i lumtur që po më sheh?
– Jo, jam i mërzitur më ty, – i thashë unë.
– E pse? – më pyeti im atë.
– Sepse më thua vetëm gënjeshtra, – i thashë shkurt.
– Gënjeshtra? – ma ktheu ai.
– Po, sepse të kërkova të vije e të më shihje në ndeshjen e futbollit. Dje më premtove se do vije dhe sot nuk erdhe. Më premtove se do ishe i pranishëm në ditëlindjen time, nuk ishe. Më premtove edhe se do shkonim në plazh me xhaxhallarët, ndërkohë vetë erdhe një ditë më vonë nga dita, kur ata do të niseshin me pushime. Pastaj dhe shumë herë të tjera që më ke gënjyer, por që nuk dua t’i kujtoj. Je një gënjeshtar, – iu hakërreva unë.
Ai më mori mbi gjunjët e tij dhe më tha:
– Duhet ta dish se për çdo herë kur të kam premtuar diçka, doja ta mbaja premtimin, por për shkak të punës sime nuk ia kam dalë dot ta mbaj. Një kamionist e di se kur niset për në punë, por nuk e di kurrë se kur kthehet nga puna.
– Atëherë ndërro punë, kështu do të jesh më tepër në shtëpi, siç janë gjithë baballarët e shokëve të mi, – i thashë unë.
– Por unë di të bëj vetëm këtë punë. Pastaj, t’i kërkosh një kamionisti të zbresë nga kamioni e të fillojë një punë tjetër, është njësoj si t’i kërkosh një peshku të fluturojë. Puna ime është shumë e rëndësishme. Duhet ta kuptosh se ti mund të konsumosh biskotat e preferuara, apo frutat që pëlqen, falë punës që unë bëj.
Më pas ai po me tregonte se sa e vështirë dhe impenjative ishte puna e tij. Më tregoi për gjithë aventurat e tij nëpër rrugë, ditëve, netëve, nga i nxehti në të ftohtë etj. Që nga ajo ditë, im atë m’u duk ndryshe. Në sytë e mi ai dukej si një hero, si një person special dhe kështu ia fala gjithë “gënjeshtrat” e tij.
Një mëngjes, ai telefonoi në shtëpi dhe i tha mamit:
– Në orarin e drekës do të jem në shtëpi. Thoji Arnaldos që i kam blerë gjithçka që i duhet për shkollën.
Ishte data 19 shtator dhe në 20 shtator niste shkolla. Ne pritëm, pritëm gjatë atë drekë me tavolinën të shtruar. Në shtëpi na sollën një qese plastike me sendet e mia të shkollës dhe me orën e tij, të gjitha të njollosura me gjak.
Kjo ishte gënjeshtra e tij e fundit. Tani unë jam rritur dhe jam një kamionist. Bëj po të njëjtat rrugë si im atë. Tani e kuptoj se sa e vështirë është të mbash premtime që lidhen me kohën, jo se nuk do, por sepse puna është e tillë që nuk ke një orar fiks se kur mbaron. Tani unë e kuptoj çdo fjalë që im atë më tha, kur isha i mërzitur…”/bota.al
—————–
Lexo edhe:
HISTORIA QË HABITI AMERIKANËT: SAKRIFICA E DY MOTRAVE SHQIPTARE NË 1920-ËN
HISTORIA E CLAUDIA MORIT DHE ADRIANO CELENTANOS: “KUR E NJOHA, AI ISHTE ASKUSHI…”
ObserverKult