Shërbimi i informacionit ka lindur që në kohërat e lashta, kur shoqëria u nda në klasa dhe mes tyre filloi lufta klasore. Me këso shpjegime ideologjike, Sigurimi i Shtetit në fillim të viteve ’70 kishte nisur një histori të themelimit të atij që për pesë dekada u konsiderua “dora e çeliktë e popullit që ndërton socializmin”.
Që në hyrje të “Historikut të Armës së Sigurimit të Shtetit” përftohet përshtypja e dokumentit që nuk duhej ta shihte askush ose vetëm pak njerëz.
Me vulën e hedhur përsipër në kopertinë, ku shkruan “Deklasifikuar”, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të mërkurën ka deklasifikuar historinë 7-vëllimshme të Sigurimit të Shtetit, e cila vihet në dispozicion të të interesuarave.
Në njoftimin e afishuar në faqen e vet në “Facebook”, AIDSSH-ja ka bërë me dije se deklasifikimi i historikëve të Sigurimit të Shtetit, që ishte përpiluar nga vetë kjo strukturë, është deklasifikuar në përputhje me Ligjin 45/2015 të ndryshuar, transmeton ‘koha.net’.
Në këtë historik – i cili parashihej “vetëm për përdorim të brendshëm dhe për punonjësit e Sigurimit” – arma e Sigurimit të Shtetit shpalosej në periudha historike të luftës kundër “armiqve të jashtëm e të brendshëm”.
Siç saktësohet në parathënie të këtij dokumenti të deklasifikur, hartuesit e tij ishin mbështetur në Arkivin Qendror të Partisë, Arkivin Historik Shtetëror, Arkivin e Mbrojtjes Popullore dhe atij të Punëve të Jashtme të Shqipërisë.