Nga Albert Shala
Foton e mësipërme e ka bërë te kafeneja e njohur E88 në Tiranë disa vite të shkuara aktori i mirënjohur Xhemil Tagani, ndjesë pastë, i cili e ka pasë pasion të veçantë fotografinë.
E nxorra nga arkivi im i varfër këtë foto sepse sot Rikardi ka ditën e lindjes. Do të ishte 80 vjeç.
Si shumë shokë e miq të hershëm apo të rinj të tij, kam plot kujtime nga marrëdhënia me këtë figurë shumë të dashur, e do të shtoja ndër më populloret të artit tonë.
Ai e humbi luftën për jetën dy vite më parë, shkoi në amshim, por nuk harrohet për gjithçka çfarë la pas- figurën e një artisti shumë dimensional, shembullin e njeriut të kulturuar, portretin e dashur të skalitur në filma, në librat që shkroi e pikturat që realizoi, sepse i tillë- i gjithanshëm në prirjet e kërkesat ndaj vetes ishte ai.
Sot, në këtë përvjetor të lindjes të shokut tim të hershëm, duke reflektuar për të shkuarën që lamë pas po sjell disa mendime për sfidat që e shoqërojnë artistin, në rastin konkret- Rikardin zemërbutë e shumë miqësor me këdo, në luftën për jetën, për të bërë më të mirën e mundshme në atë fushë ku punoi e dha gjithçka.
Rikardi u bë figurë ndër më të dashurat për publikun e gjerë në fund të viteve ’60-të, sidomos me figurën që krijoi në filmin e mirënjohur “Komisari i dritës”, rol që e luajti shkëlqyeshëm. Emri tij përmendej atëhere në çdo mjedis me respekt për lojen aktoriale, por edhe për atë shpirt të butë e të vendosur që përcillte në rolin që iu besua të mësuesit Ndrec Ndue Gjoka.
Dhe Rikardi përmendej plot dashuri e respekt, veç të tjerave, sepse ka qenë vërtetë një djalë i pashëm, i sjellshëm e plot kulturë, i cili duke nisur nga ai start i nivelit të lartë hyri në analet e kinematografisë sonë si një artist shumë cilësor edhe me plot role të tjera, njëri më i bukur se tjetri.
A kishte pengesa për këtë artist të ri, i cili u vu në ballë të figurave të shumta që krijonte filmi shqiptar, në rastin konkret në sajë të dashamirësisë së regjisorit te madh, Dhimitër Anagnosti dhe Roza Xhuxhës (Anagnosti), shoqe rinie e artistit.
Them se po. Fare pak vite me vonë, pas suksesit të jashtëzakonshëm të rolit të tij te “Komisari i dritës” e jo vetëm në këtë film, në vitin 1969 në Korçë u sajua një grup armiqsor, i quajtur “Grupi i polakëve”, ku u përfshi çuditërisht edhe nje inxhinier shumë i njohur dhe i zoti, Gasper Ljarja.
Ishte xhaxhai 60-vjeçar i Rikardit, i vendosur prej vitesh në këtë qytet, një shkencëtar i vërtetë i industrisë sonë kimike, mbaruar studimet jashte, ish- drejtor i gimnazit të Shkodrës para luftës, specialist me kontribute të çmuara në fushën ku ishte i vetmi në vitet 50-60-të në ngritjen e shume linjave të fushës së tij në fabrika e punishte të vendit.
Gjithçka e realizuar plot pasion punësh të mira e atdhedashuri nga ky specalist i talentuar u shumëzua me zero. Asgjë nuk kishte bërë inxhinieri i mirënjohur që të shkonte dhjetë vjetët e fundit e jetës së tij në burgjet e diktaturës. Por, strukturat okulte të pushtetit të kohës nuk mendonin kështu.
A kishte një lidhje mes këtij arrestimi të bujshëm e pa asnjë taban të këtij specialisti në prag të pensionit me lavdinë në ngritje të nipit te tij, Rikardit?
Mendja prej kohësh më ka thënë se po. Në këtë rast nuk është fjala për atë “garën e bukur” që gelon në grupe shoqërore, si mes artistëve, mjekëve, e në shumë mjedise, por për politika të stërholluara të zbatuara nga segmentet me represive të pushtetit të kohës. Politika që s’të linin të ngrije kokën, të merrnin frymën e shpirtin, të godisnin në brinjë me fis, pra me rrënjë e degë.
Asnjëherë nuk e bisedova këtë temë delikate me Nikon, djalin e xhaxhait të Rikardit, të cilit në moshën 18 vjeç i mori një drejtim ogurzi jeta e mundimshme plot ëndërra të thyera nga arrestimi i të atit.
Por bindja ime ka qenë prej kohësh që një lidhje e tillë në ngjarjet që pasuan karrierën e Rikardit e kishin diku ngjizjen, në ato dosjet e errëta që merrnin në qafë mijëra njerëz.
Dhe sikur të mos mjaftonte kjo sfidë për karrierën briliante të artistit Rikard, i cili po bënte histori me rolet e tij në kinematografi, me punën si aktor, regjizor e skenarist, përsëri në rrugën e tij të artit që e donte sa jeten, u shfaq një tjetër pengesë.
Ai bashkëpunoi me letrarin e ri Bashkim Shehun per realizimin e filmit “Sketerre 43”, kur babai i këtij të fundit, Mehmet Shehu, ishte numri dy i regjimit dhe papritmas u shpall armiku më i madh i partisë në pushtet!
Dihet ç’u bë me atë film, dihet ç’u bë me Bashkimin e familjen e tij, por ciflet e kësaj lufte absurde synonin në atë kohë të preknin edhe Rikardin, përse jo, edhe Kinostudion si institucion.
Përsëri shpëtoi. Shpëtoi në sajë të punës e të emrit të tij, por jo pa trazime serioze në shpirt, jo pa sterkembeca e pikëpyetje, që i përballoi me kujdes maksimal që të mos i shkiste këmba për asnjë çast.
Kjo ngjarje i takon kulmit të karrierës së mikut tim të vjetër, 12 vjet pas “goditjes së parë”, kur Gasper Ljarja i liruar nga burgu dhjetëvjecarë gëzoi vetëm pak ditë liri pranë familjes e shkoi në amshim.
Ja, këto mendime më zgjuan herët sot, në ditën e 80 vjetorit të lindjes së Rikardit.
Mendime që i kam bluar në disa raste edhe në bisedat me të, kur ai me qetësinë e tij të mrekullueshme, me butësinë e shpirtit e dashurinë për njerëzit e vendin, pa pasë “asnjë peng për të shkuarën”.
E pikërisht siç e ka lënë vetë “amanet”, ndërtoi emrin e tij, të një ndër artistit më popullor e të dashur për cilindo mes nesh.
Sa të kem jetë do ta kujtoj mikun tim të nderuar, duke i përcjellë Marietës, dy fëmijëve të tyre, të afërmëve të Rikardit, komunitetit të artistëve që e kanë pasë e do ta kenë atë shembull, ngushëllimet më të sinqerta./vjosa.net
2022
ObserverKult
Lexo edhe:
MARJETA LJARJA: DOJA TË NDAHESHA NGA RIKARDI DHE I SHKROVA NJË SHËNIM…
Rikard Ljarja u shfaq në gjithë përmasën e tij intelektuale si aktor, regjisor, instrumentist, piktor dhe shkrimtar në një dokumentar nga Mevlan Shanaj.
Po aq, Rikardi si bir, bashkëshort dhe baba u rrëfye nga familjarët.
Marjeta Ljarja kujtoi ditët më të bukura të jetës dhe frikën që e bëri të donte ndahej prej tij kur ishte 22 vjeçe.
“Mua më është dukur copa e jetës më e bukur me Rikardin, përrallë, pak të thuash përrallë. Thosha, Marjetë, çfarë bëre, isha 22 vjeçe.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult