Homazh At Zef Pllumit që rrojti për të kujtuar

Ministria e Kulturës e Shqipërisë bëri të ditur se muaji shkurt do të jetë edhe “Muaji i Kujtesës”.

Pikërisht kështu është emëruar, pasi ky muaj do t’i kushtohet viktimave të sistemit komunist në Shqipëri, i cili veç të tjerëve, nuk kurseu as intelektualët që i kanë shërbyer Shqipërisë duke i sakrifikuar ata “Në emër të popullit”.

“E kemi pagëzuar “Muajin e kujtesës”, një vijim i natyrshëm i një dite ndërkombëtare, kushtuar viktimave të Holokaustit. Gjatë këtij muaji do të kujtojmë martirët tanë, viktimat e një sistemi vrastar, që u sakrifikuan për mendimin, fjalën e lirë dhe besimin në Zot. Do të mbeten përherë të përjetshëm dhe shembuj frymëzimi”, shprehet Ministria e Kulturës.

Këtë muaj, Ministria e Kulturës e nis me At Zef Pllumin, duke i vendosur theksin e rëndësisë së veprës së tij. “Homazh At Zef Pllumit, që rrojti për të kujtuar terrorin komunist. Vepra e tij është dëshmia më e gjallë dhe mësim për brezat e rinj, që e shkuara të mos përsëritet”.

Zef Pllumi lindi në Bogë, më 28 gusht 1924 dhe ndërroi jetë më 26 shtator 2007 në Romë. At Zef Pllumi ishte frat françeskan, publicist e shkrimtar. Nga viti 1967 deri më 1989 burgoset dhe vuan dënimin në Spaç, Reps, Skrofotinë të Vlorës, Ballsh, Zejmen-Shënkoll, Shën Vasil dhe Tiranë për 23 vjet.

Dëshmia dhe vepra e tij, vepra “Rrno vetëm për me tregue” u përkthye në anglisht më 2008 nën titullin “Live to tell”. Më 6 mars të vitit 2014 u përkthye edhe në gjuhën italiane me titullin “Il Sangue di Abele – Vivi per testimoniare”. Në vitin 2006 At Zef Pllumi dekorohet me urdhrin e lartë “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu. At Zef Pllumi ka marrë çmimin letrar “Penda e Artë” në vitin 2006 për trilogjinë e tij me kujtime “Rrno vetëm për me tregue”, çmim ky i akorduar nga Ministria e Kulturës./ATSH