Homazhi poetik në kujtim të Lindita Ahmetit hap Festivalin Poetik të Prishtinës

homazh per lindita ahmetin

Poetja e njohur shqiptare Lindita Ahmeti u nda nga jeta, më 9 prill të vitit të kaluar. Festivali Poetik i Prishtinës, edicionin e tretë e fillon pikërisht me një Homazh poetik në kujtim të poetes Ahmeti.
Në kuadër të programit kushtuar Ahmetit do të lexohen poezi të saja nga poetet Naime Beqiraj dhe Donika Dabishevci, do të trasmetohen video-poezi nga arkivi i ObserverKult, ku vet Lindita Ahmeti lexon pjesë të krijimtarisë së saj, miqtë Xhemazije Rizvani, Lulëzim Haziri dhe Vjollcë berisha do të shpalosin kujtime ndërsa akademik Ali Aliu do të flas për veprën e Lindita Ahmetit.
Artistët Astrit Stafai dhe Artan Rexhepi do të performojnë me këtë rast një pikë instrumentale-homazh për autoren e ndjerë.

Homazhi për Lindita Ahmetin fillon të shtunën, më 25 janar, nga ora 13:00, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë.

Lindita Ahmeti lindi më 26 prill 1973 në Prizren. Pas diplomimit në shkollë të mesme në Shkup, studioi filologji klasike në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Shkupit, ku edhe u diplomua. Lindita hyri në skenën letrare që nga fillimi i viteve ’90, jo vetëm me poezi autoriale por edhe me përkthime nga gjuhët sllave dhe nga anglishtja në shqip

Veprat e Lindita Ahmetit:
1993: “Mjedra dhe bluz”; 1996: “Ishulli Adular”; 2000: “Brezi dhe Zonjës”; 2004: “Vetë perballe Erosit”; 2008: “Lulja alba (zgjedhje)”; 2015 “Nga mështeknaja e babait, me mallëngjim”; 2015: “Dhoma pa derën dalëse”. 2020: “Mbrojtja e Hekubës”.
Përkthimet:
1998: “Камена месечина (Hëna e gurtë)”; 2002: “Син сон (Ëndërr e kaltër)”; 2007: “Призивање во април (Evokime në prill)”; 2011: “Утрешните монети (monedhat e nesërme)” dhe në gjuhën bullgare 2008: “Пролетен копнеж|, ndërkaq poezitë e saj janë përkthyer edhe në gjuhën angleze, serbe, boshnjake dhe polake.

Programi i Festivali Poetik të Prishtinës, pas Homazhit për Lindita Ahmetin, më 25 janar vazhdon edhe me dy pjesë tjera që po ashtu i kushtohen Letërsisë shqipe në Maqedoni.

Profesori Agim Vinca do të paraqitet me ligjëratën: Letërsia shqipe në Maqedoni ndërmje shtetit dhe atdheut (Vështrim i përgjithshëm),
artistja Fitnete Tuda do të paraqitet me një këngë nga repertoari i saj, për të vazhduar me Orën Poetike ku me poezitë e tyre do të jenë të pranishëm poetët: Nehas Sopaj, Puntorie Muça Ziba, Lulzim Haziri, Shaip Emerllahu, Shazim Mehmeti, Vjollcë Berisha, Ahmet Selmani, Salajdin Salihu, Bardhyl Zaimi, Nurie Emrullai, Xhemazije Rizvani, Arlind Farizi, Fatos Rushiti, Valdeta Dulahi, Ismail Arsllani.

Festivali Poetik i Prishtinës, edicioni III, organizuar nga Portali për Kulturë, Letërsi dhe Art, ObserverKult zgjat 5 ditë, nga 25-29 janar. Për pesë ditë me radhë do të ketë promovime librash, mbrëmje autoriale, debate, ligjërata, video-ese, diskutime, homazhe, orë poetike etj.

ObserverKult

lexo edhe:

Mbi 70 poetë e artistë në pesë ditët e Festivalit Poetik të Prishtinës/ Programi i plotë