“Home+”, ekspozita virtuale me veprat e Muslim Mulliqit

“Kur baba (Muslim Mulliqi v.j.) ka vizatuar, asnjëherë nuk e ka menduar se veprat e tij do të ekspozohen në mënyrën se si janë ekspozuar tani, në këtë kohë pandemie”, ka thënë piktori Visar Mulliqi, i biri i maestros. Një mundësi të tillë ekspozimi s’e kishte menduar as ai, as për veprat e të atit a të vetat. “Ishte pionier i artit modern”, ka thënë për artistin ekspresionist, veprat e të cilit janë shpalosur gjithandej nëpër ish-Jugosllavi, por edhe në Gjermani, Francë, Itali, Poloni, Hungari, Norvegji e Finlandë.

Të mërkurën Galeria Kombëtare e Kosovës ka risjellë virtualisht në Facebook ekspozitën “Home+” me veprat e Muslim Mullqit. Njëqind vizatimet e Mulliqit zbulojnë përditshmërinë e maestros. Ishte pikërisht fundi i majit të vitit të kaluar, kur këto vepra zunë vend në GKK. Atëherë ishte bërë edhe incizimi që tani është i qasshëm për publikun. Dy muaj kishin pasur artdashësit kohë për ta vizituar ekspozitën “Home+” pasi që kishte qëndruar e hapur edhe gjatë muajit korrik. Tash është një tjetër mundësi, në një tjetër format.

Ekspozita ishte kuruar nga Zeni Ballazhi, në atë mënyrë që gjatë shikimit të vizatimeve vrojtuesve t’u krijohej përshtypja që janë në një ambient shtëpie. Kjo ndjesi rritet akoma më shumë në versionin online. Kështu beson i biri i Mulliqit, Visari.

“Si qasje është shumë e mirë dhe mënyrat se si të mundësohet për t’u qasur aty janë po ashtu shumë të mira. Mund ta përjetosh në mënyrë më të ndjeshme”, ka thënë ai. Sipas tij, manovrimi nëpër dhomat e Galerisë, nga shtëpia përmes pajisjeve të ndryshme, e rrit nivelin e këtij përjetimi. Motive nga më të ndryshmet, trille frymëzimi të çastit, ravijëzim ndjesish e mendimesh përshkojnë vizatimet e Muslim Mulliqit (1 qershor 1934 – 13 janar 1998). Ato shpalosin një krijimtari që nis qysh në vitet ’50 e deri në ditët e fundit të jetës së piktorit.

“Edhe këtu forma virtuale të krijon këtë ambient dhe mund t’i ndjesh ato më shumë pasi që këto punime janë pikërisht artistike e nuk janë të bëra ad hoc për diçka tjetër”, ka thënë Visar Mulliqi.

Për kuratorin Zeni Ballazhi, duke u nisur nga situata aktuale edhe nga avancimet teknologjike, një ekspozim i tillë është një metodë e mirë për të parë veprat e kësaj ekspozite, sidomos për ata të cilët nuk kanë pasur mundësi të vizitojnë ekspozitën personalisht. Sipas tij, është rast i mirë për t’iu dhënë mundësi edhe atyre që janë jashtë vendit të vizitojnë ekspozitat virtuale të GKK-së.

“Ekspozita me vizatime e Muslim Mulliqit është rast i mirë që i rikthehet publikut, sepse veprat e tij japin shumë mesazhe të lidhura me kohën dhe botën e tij. Vizatimet si baza themelore e shprehjes pamore, kompozicionet (duke kërkuar hapësira të reja) janë evidente”, ka thënë ai. Për Ballazhin, vlerat e krijuara nga Mulliqi ndikuan edhe tek gjeneratat më të reja, por ky ndikim do të ndihet edhe në gjeneratat e ardhshme, prandaj ekspozita online është mundësi frymëzuese edhe për gjeneratat e reja. Por, sipas tij, për ta shfaqur më mirë këtë, sot sistemet sociale janë nën stres të jashtëzakonshëm, transmeton ‘koha.net’.

“Personat e sotëm mesatarë kalojnë shumicën e kohës së tyre në një lloj realiteti virtual. Kultura fizike dhe shoqëria ekzistojnë ende – por shumica e shmangin atë, në favor të aftësive hyjnore që ata mund të kenë një eksperiencë online”, ka thënë ai.

Sipas tij, këto ditë për t’u takuar drejtpërdrejt me një person, mik ose koleg është bërë shumë e rrallë. Ka thënë se sot njerëzit ndeshen me më shumë forma të inteligjencës artificiale sesa me një frymëmarrje të gjallë njerëzore.