Shpesh zbulojmë gjëra të mëdha, ndërsa mendojmë të bëjmë gëra të vogla dhe të thjeshta. Na ndodh që ecim në shtigjet e një mali dhe gjurmojmë rrugë që lidhin një botë të tërë antike.
Kjo i ndodhi Vito Zuccaro, studiues arbëresh nga Hora e Arbëreshëve, i cili me të drejtë mendon se teoria e rrathëve koncentrike ka lindur në Siçili, ose më saktë në Horë. Intuita e tij lindi një ditë teksa ishte në Malin Kumeta, përballë Portella della Ginestra.
Zbulimi i një “gastropodi banal”, në formën e një spirale Arkimedi, e cila sipas autorit, “nuk ekziston veçse në disa forma të spiraleve galaktike” (pasi në qeniet e gjalla ekzistojnë vetëm forma spirale logaritmike, si ato të kërmijve) i hapi Zuccaros një botë të re.
Ai beson se të gjitha vendet arkeologjike në formë koncetrike janë nga ana tjetër, të rregulluara në qarqe koncentrike nëse konsiderohet një pikë referimi. Vetë Zuccaro, duke treguar busullën nga studioja e tij “i hutuar e me habi” vuri në dukje se Piana është në qendër të një skene imagjinare teatri, ku janë teatrot antikë në formën e një rrethi koncentrik, ndër to: teatri i Monte Jato, Taormina, Segesta, Eraclea Minoa, Selinunte, Athina, Halaesa, Syracuse, Messina, Akra dhe shumë të tjerë.
Mes faqeve të librit (sepse ai shkroi një libër për të), Zuccaro ngre pyetjen se si në antikitet, pa mjete teknologjike arritën të ishin në harmoni me të gjithë universin e lindur, nga ana tjetër, pas Big Bang zgjerimi i të cilit është ende në zhvillim dhe ka marrë një formë koncentrike.
Një tjetër fakt i veçantë është se gjerësia gjeografike e Horës së Arbëreshëve është e njëjtë me atë të Alatri, një qytet në provincën e Frosinone, i njohur për madhështinë e tij dhe pikturën e Krishtit Pantocrator, që jo më pak, ndodhet brenda një labirinti në formën e qarqeve koncentrike. Dhe Zuccaro është po aq kurioz që brenda kishave arbëreshe të Horës ka piktura të Krishtit Pantocrator.
Por kur bëhet fjalë për rrathë koncentrikë, të vjen në mendje dhe Njeriu Vitruvian i Leonardo Da Vinçit. E duke vendosur më pas vizatimin e lartpërmendur dhe hartën e Evropës në një mënyrë të tillë që kocka e qendrës së kraharorit të përkojë me pikën ku ndodhet Alatri, Zuccaro bëri zbulime të tjera: barku i poshtëm i njeriut ndodhet në afërsi të Lampeduzës, pastaj e lidh atë me ishullin e Kretës, dhe si me magji arrin në Knossos, i famshëm për labirinthin dhe historinë e Minitarit.
Zuccaro e mbyll librin e tij me një reflektim: “Ashtu si Tezeu në labirinthin e Minitarit, ne duhet të kapim fijen e ndërgjegjësimit për të dalë në liri”
Në fakt, është magjepsëse sesi këto ide lindin në mendje pikërisht në momentet kur dikush është në kontakt të madh me natyrën; e ndoshta është nga ato situata ku zbulon veten tënde, ku oshëtima e postmodernitetit i lë hapësirë heshtjes së përjetshme me të cilën njeriu, herët a vonë, dënohet./ (Marrë nga Filodirrettomonreale.it- përkthyer dhe përshtatur nga Diaspora Shqiptare)