Fragment nga “Autostrada e jugut” e Kortasarit: Aq shumë e donim Glendën

Aq shumë e donim Glendën

Vështirë ta kuptoje në atë kohë. Mund të veje në kinema e në teatër, ta kaloje mbrëmjen pa të shkuar mendja fare tek ata që kryenin po atë ceremonial që kryeje dhe ti, në po atë orë e po atë vend, visheshin, vinin e uleshin në lozhë, apo në platè, sipas dëshirës për hije apo muzikë, mes asaj bote të askujt e të gjithkujt, ku gjithkush është askush, grua a burrë qoftë, mbase edhe një fjalë ndjesëlypjeje për ardhjen me vonesë, një komentim me të pëshpëritur që tjetri e dëgjonte ose jo, heshtje thuajse gjithmonë, vështrimet e shkulura nga fqinji pranë e të ngulura në skenë apo në ekran, e kështu me radhë.

Vështirë ta kuptoje, vërtet, se qemë gjithë ata (hiq mënjanë reklamat, radhët pa mbarim para biletarive, afishet e kritikat), qemë gjithë ata që e donim Glendën.

U deshën tre-katër vjet të mirë për këtë dhe një fjalë goje është të thuash se bërthama fillestare u formua rreth Irasustës apo Dianë Riveros. As ata vetë nuk e dinin sesi e pat sjellë puna që, tek kthenin shoqërisht nga një gotë pas kinemasë, të flisnin ose të mos flisnin fare për gjërat që do të krijonin këtë lidhje, të cilën më pas ne kishim për ta quajtur «bërthamë qendrore », ndërsa më të rinjtë «klub».

Po këtu s’qe punë klubi, puna qe se ne e donim Glenda Xheksonin dhe pikë, e kjo mjaftonte për të na dalluar prej atyre që vetëm sa e pëlqenin. Për ta pëlqyer, edhe ne e pëlqenim, sikurse pëlqenim Anukun, Merilinin, Aninë, Silvanën, e pse jo edhe Marçelon, Ivin, Vitorion e Dërkun, por për ta dashur aq shumë, e donim vetëm ne dhe bërthama fillestare u përftua duke u nisur e duke marrë shkas pikërisht prej kësaj dashurie. Vetëm ne e dinim këtë dhe s’i hapeshim askujt, përveç atyre që, në bisedë e sipër, na e mbushnin mendjen se donin Glendën sa ne.

Duke filluar nga Diana ose nga Irasusta, bërthama erdhi e u zmadhua ngadalë. Vitin që u dha «Zjarri i dëborës» bëheshim a s’bëheshim gjashtë a shtatë, kurse ditën e premierës së filmit «Si të sillemi hijshëm» e ndiem se bërthama po merrte përpjesëtime alarmuese dhe se na kërcënohej rreziku i imitimeve snobe ose i sentimentalizmit të bujshëm.

Me Irasustën, Dianën e dy-tre të tjerë vendosëm t’i shtrëngonim radhët, të mos pranonim më njerëz pa provim, provim që fshihej pas gotash me uiski dhe sulmesh erudicioni kinematografik ( provime mesnate këto, si në Londër, ashtu dhe në Meksikë apo Buenos Aires).

Kur doli «Kthimi i pasigurt», na u desh ta pranonim me një ngadhënjim melankolik se qemë gjithë ata që e donim Glendën. Nga takimet në kinema, nga vështrimet në dalje, nga pamja si e përhumbur e grave dhe heshtja e përmallshme e burrave, dalloheshim më mirë se nga ndonjë parullë apo devizë.

Ca mekanizma të pakuptueshëm na mblidhnin e na shpinin në të njëjtën kafene të qendrës, tryezat gjer më atëherë të veçuara tani puqeshin dhe ne s’harronim kurrë të porositnim të njëjtin kokteil për t’u prerë udhën bisedave pa grat e ta këqyrnin soku-shokun në sytë ku ende jetonte e gjallë figura e Glendës në të fundmen skenë të të fundmit film.

Njëzet a tridhjetë, kurrë s’e morëm vesh saktësisht sa qemë bërë, se Glenda jepej me muaj në një kinema ose në dy-tri salla njëkohësisht, madje një herë qe kulmi , kur ajo doli edhe në skenë për të luajtur rolin e vrasëses rioshe te «Të përçarturit». Suksesi i atëhershëm kaloi çdo kufi dhe pati nga ata që morën kot e fluturuan, por ne s’u pajtuam kurrë me këto teprime.

Njiheshim në atë kohë dhe qemë gjithë ata që shkëmbenim vizita për të folur për Glendën. Irasusta, me ç’u duk, mbajti qysh në fillim atë qëndrimin e tij të natyrshëm, që s’ta bënte të gjatë, kurse Dianë Riveroja përdorte vazhdimisht variantin e saj të shahut pranim-mospranim, i cili na ruante pastërtinë e radhëve, duke na mbrojtur nga karrieristët ose nga kokëkrisurit.

Ajo shoqata e mirë e kohëve të para tani mori trajta klani dhe nga pyetjet e kujdesshme të fillimit u kalua në pyetje të përpikta: sekuenca e hapit të gabuar te filmi «Si të sillemi hijshëm», replika e fundit te «Zjarri i dëborës», skena e dytë e dashurisë te «Kthimi i pasigurt».

Aq shumë e donim Glendën, sa kurrsesi s’mund t’i honepsnim admiruesit e rastësishëm, lesbiket rrëmujaxhesha, eruditët e estetikës. Madje (as vetë s’e dimë se qysh e tek) u morëm vesh që, kur një film i ri i Glendës shfaqej në qendër, të piqeshim në kafene të premteve, ndërsa kur vazhdonte të shfaqej nëpër kinematë e lagjeve, të mblidheshim pas një jave, në mënyrë që çdonjëri të kishte kohë ta shihte.

Detyrimet ishin përcaktuar qartë e prerë, si në një rregullore të rreptë dhe, të mos i përmbushje, do të thoshte të prisje që Irasusta me atë buzëqeshjen përçmuese ose Dianë Riveroja me atë vështrimin përzemërsisht të tmerrshëm të padisnin për tradhti e të shpallnin ndëshkimin.

Asokohe mbledhjet ishin mbledhje Glende e vetëm Glende, të gjithëve, pa dallim e pa përjashtim, na i merrte sytë shkëlqimi i saj. Çikë e nga një çikë, madje në krye me një ndjesi faji, kuturisi ndonjëri të kritikonte detajet, të shprehte habinë ose zhgënjimin për një sekuencë jo dhe aq të goditur, për shtampat dhe konvencionalizmat. E dinim faremirë që s’qe përgjegjëse Glenda për dobësitë që, kur e kur, ia bjerrnin shkëlqimin e qelqërisë së «Kamxhikut» apo finales së filmit «S’dihet se përse».

Kishim parë dhe vepra të tjera të regjisorëve të saj, e dinim kush i kish bërë skenarët dhe s’kishim pikë mëshire ndaj tyre, ngaqë po fillonim të kuptonim se dashuria jonë për Glendën e kalonte cakun e thjeshtë artistik dhe se ajo, në fund të fundit, s’kishte asnjë faj për punën e papërkryer të të tjerëve.

Diana që e para që foli për një detyrë dhe e bëri këtë siç e kishte zakon, duke i rënë rotull e rrotull, duke u ruajtur të mos e shprehte tërësisht ndërmendjen e saj dhe, kur ne më së fundi e pranuam se qe e vërtetë, se s’duhej të mjaftoheshim vetëm me kinematë, kafenetë dhe dashurinë e marrë për Glendën, ajo erdh e u ngazëllye si të kish kthyer një dopio uiski edhe vuri buzën në gaz e kënaqur sa më s’bëhej.


As kësaj radhe s’qe nevoja për fraza të përpikta, ne e kuptonim njëri-tjetrin edhe me gjysmë fjale. Vetëm lumturia «Glenda» kishte rëndësi për ne dhe kjo lumturi mund të arrihej vetëm nëpërmjet përkryerjes. Befas filluam të mos i duronim më gabimet, dobësitë e vënies në skenë; s’e duronin dot që «Filmi s’dihet se përse» të mbaronte ashtu si mbaronte, apo që «Zjarri i dëborës» të kishte atë palo sekuencë të pokerit (ku Glenda s’dilte, por sidoqoftë, prekej si nga një spërkatje të vjelluri prej gjestit të Nensi Filipsit dhe kthimit të papranueshëm të djalit të penduar).

Siç ndodhte thuajse gjithmonë, Irasustës i ra në pjesë të përcaktonte qartas detyrën e vështirë që na priste dhe në atë mbrëmje u kthyem nëpër shtëpi si të dërrmuar nga pesha e përgjegjësisë që patëm marrë mbi vete, por edhe duke ndier para kohe lumturinë e një të ardhmeje të panjollë, të një Glende të çliruar nga çdo ngathtësi e tradhti në ekran.

Klani i mbylli portat vetvetiu. Detyra kërkonte siguri dhe pjesëtarët e shumtë na e vinin në rrezik këtë siguri. Si u vendos në një vilë të qetë të Resife de Lobos, Irasusta zuri në gojë laboratorin. Ngaqë kishte pak të meta, në fillim u zgjodh «Kthimi i pasigurt » dhe detyrën e të shtënit në dorë të të gjitha kopjeve ne e ndamë barabar njëri me tjetrin. Asnjëri se ngriti problemin e parave .

Irasusta kish qenë ortak me Haruard Hjuzin për çështjen e minierave të kallajit në Piçinça; e njihnim gjithashtu edhe mekanizmin e depërtimit nëpër shoqëritë apo trustet (siç ishte rasti i «Boeingëve»), si dhe të ryshfeteve. Madje as për zyrë s’patëm nevojë: kompiuteri i Hagar Lossit na programoi veprimet e ndryshme që duhej të kryenim edhe etapat.

Dy muaj pas asaj fjalisë së Dianë Riveros, laboratori arriti ta zëvendësonte edhe sekuencën mediokre të zogjve te «Kthimi i pasigurt» me një tjetër, që i jepte Glendës një ritëm të përkryer dhe ikuadrohej për mrekulli brenda veprimit të saj dramatik. Filmi kishte vite që qe prodhuar dhe rivënia në qarkullim në qarqet ndërkombëtare nuk shkaktoi asnjë habi. Kujtesa bën lojëra të çuditshme me mendjet e njerëzve dhe i detyron të pranojnë ndryshime e motërzime.

Mbase as Genda vetë s’do ta vinte dot re rregullimin, por me siguri që do të mrekullohej (këtë e patëm provuar të gjithë ) nga përputhja e këtij motërzimi të ri me një kujtim të dikurshëm të zhveshur prej çdo zgjyre, gati-gati të barabartë me dëshirën.

Detyra po kryhej mirë. Me t’u bindur për dobinë e laboratorit, hymë në bisedime për riblerjen e «Zjarrit të dëborës » dhe «Prizmit»; filmat e tjerë kaluan në të njëjtin proces, pikë për pikë sipas ritmit të programuar nga personeli i Hagar Lossit dhe i laboratorit.

Me filmin «Si të sillemi hijshëm» patëm probleme, ngaqë në emiratet e naftës ruheshin kopje për kënaqësitë vetjake të atyre zotërinjve dhe na u desh të bënim çmos e çnuk derisa t’ua vidhnim (më duket se s’kam pse përdor term tjetër) e tua kthenim pa vënë re gjë të zotët. Laboratori punonte si sahat dhe neve në fillim fare as që na e kish marrë mendja se kishte për të punuar kështu, sido që Irasustës s’ia kishim thënë.

Për çudi, ajo që dyshonte më shumë ishte Diana, por, kur Irasusta na tregoi filmin «S’dihet se përse» dhe në mbylljen e vërtetë pamë Glendën, e cila, në vend që të kthehej te Romanoja, e ngiste veturën drejt shkëmbit mbi det e na sfiliste zemrën me atë rënie në greminë, aq të mrekullueshme e aq të nevojshme, atëherë e kuptuam se përkryerja s’qenka gjë e paarritshme në këtë botë dhe se tani ajo ishte Glenda përgjithmonë, Glenda përfare.


Puna më e vështirë, pa fjalë, ishte të bëje ndryshimet, prerjet, modifikimet e montazhit e të ritmit. Ngaqë e perceptonim Glendën në mënyra të ndryshme, lindnin debate të ashpra, që fashiteshin vetëm pas analizash të gjata e, nganjëherë, me vendimin e shumicës së klanit.


E ndonëse disave prej nesh (atyre që ishin mundur) u duhej të merrnin pjesë në motërzimin e ri me gjysmëzemre, ngaqë ai s’përputhej plotësisht me ëndrrat e tyre, ma thotë mendja se askush nuk u zhgënjye nga puna e bërë. Aq shumë e donim Glendën, saqë përfundimet kanë qenë ngaherë të kënaqshme, shpesh i kalonin edhe parashikimet tona.

Patëm vetëm ndonjë shqetësim tek-tuk: letrën e një lexuesi të «Taimsit», i cili çuditej se tri sekuenca të «Zjarrit të dëborës» s’qenë dhënë sipas radhës që mbante mend ai, si dhe artikullin e një kritiku të «Opinionit», i cili kundërshtonte për një prerje që i dukej atij se qe bërë te «Prizmi» e për të cilën ia hidhte fajin fanatizmit burokratik.

Sidoqoftë, morëm masa të menjëhershme për të shmangur ndonjë pasojë; dhe s’e patëm të vështirë, se njerëzit janë mendjecekët, harrojnë shpejt e pranojnë lehtë, ose më mirë presin vazhdimisht diçka të re, mbasi bota e kinemasë, ashtu si aktualiteti historik, ka vetinë të ikë e të fluturojë për të gjithë, përjashto ne, që e duam aq shumë Glendën.


Më të dëmshme, veçse, qenë polemikat në gji të grupit, rreziku për një përçarje ose një diasporë. Ndonëse e ndienim veten të bashkuar më shumë se kurrë prej detyrës sonë, pati mbrëmje kur u dëgjuan të ngriheshin do zëra filozofësh, që donin të na bënin politikë duke shtruar pyetjen se mos po ndërtonim kësisoj me duart tona një galeri pasqyrash onaniste , se mos po gdhendnim si të lajthitur një figurë barroke mbi një kokërr orizi.

S’qe e lehtë t’u ktheje shpinën,vetëm ngaqë deri atëherë klani i pati bërë të gjitha punët ashtu siç i bën një kor apo një avion, me një ritëm ku zotëron harmonia e plotë. Nuk ishte e lehtë të dëgjoje sesi të padisnin për njëanësi dhe cektësi, sesi gjithë punën ta quanin një shpenzim energjish të shmangura prej një realiteti që lëviz aq shpejt, saqë s’pakësh nevojë për ndihmën tonë në kohën që jetojnë.

E, megjithëkëtë, s’qe fjala për të mbytur në embrion një herezi në lindje e sipër, mbasi vetë heretikët u mjaftuan veç me disa kufizime. Ashtu si ne, edhe ata e donim aq shumë Glendën, saqë një ndjenjë e vetme ngrihej mbi mosmarrëveshjet etike ose historike, një njdenjë që na bashkonte gjithmonë: siguria se të përkryerit e Glendës do të na përkryente ne e do të përkryente edhe botën.

Madje na u duk si një shpërblim i mrekullueshëm ardhja e njërit prej filozofëve tanë për të vendosur sërishmi ekuilibrin, pas asaj periudhe-skrupujsh të kotë. Nga goja e tij dëgjuam se çdo vepër e pjesshme është edhe historike, se edhe një gjë aq e madhe sa shpikja e shtypshkrimit pat lindur prej dëshirës më të vogël e më vetjake: prej dëshirës për të përsëritur e përjetësuar një emër gruaje.


Kështu ia mbërritëm asaj dite kur qemë të sigurt se figura e Glendës projektohej tashmë pa kurrfarë të mete; ekranet e botës mbarë e jepnin pikërisht ashtu si ajo vetë (s’kishim pikë dyshimi për këtë) do të kish dashur ta shihte veten; ndoshta prandaj edhe s’u çuditëm kushedi se çfarë tek mësuam nga shtypi se ajo paskësh njoftuar vendimin për ta lënë skenën dhe ekranin.

Kjo ndihmë e mrekullueshme, që ajo pa dashur i jepte punës sonë, s’mund të qe as rastësi as mrekulli; diçka përbrenda asaj duhej ta kish ndier e kuptuar dashurinë tonë të paemër dhe, që përthellë saj, na vinte e vetmja përgjigje që ajo mund të na jepte, një gjest dashurie që na përfshinte të gjithëve në këtë blatim të mbramë, të cilin vetëm profanët mund të mos e merrnin vesh.


Kishim provuar tekembramja lumturinë e fundjavës, prehjen pas krijimit: tani mund t’i shihnim të gjitha veprat e Glendës pa kërcënimin e shurdhët se mos zgjoheshim një mëngjes me gabime e të meta rë reja për të ndrequr. Mblidheshim të qetë e të lehtë, si engjëj apo si zogj, në një të tashme absolute që mbase i ngjante përjetësisë.


Po, por siç ka thënë një poet mu nën qiellin e Glendës, përjetësia ka shtënë në dashuri pas kohës që ikën. Diana e mori vesh dhe na e njoftoi lajmin një vit më vonë. Në mënyrë të rëndomtë e njerëzore, Glenda shpallte se po i kthehej ekranit, e shtyrë nga arsyet e zakonshme: zhgënjimi i profesionistit që befas mbetet duarbosh, një rol i përshtatshëm, një xhirim i menjëhershëm.

Asnjëri prej nesh s’ka për ta harruar atë mbrëmje në kafene, fill pasi kishim parë «Si të sillemi hijshëm», që po rishfaqej në kinematë e qendrës. Irasusta s’pati nevojë ta shprehte me fjalë atë që ne e përjetonim të gjithë me një pështymë të hidhur revolte e padrejtësie në gojë.

Aq shumë e donim Glendën, sa zhgënjimi ynë atë s’e çikte asfare. Mos e kishte ajo fajin që qe aktore e që qe Glendë? Fajin e kishte ai mekanizëm i përçudnuar, ai realitet shifrash, reklamash e çmimesh «Oskar» që krijonin një si të çarë tinzare në sferën e qiellit tonë të fituar me aq mund.

Kur Diana i vuri dorën në krah Irasustës dhe tha: «Po, vetëm këtë mund të bëjnë tani», ajo kishte folur në emër të të gjithëve pa qenë nevoja të na pyeste. Kurrë s’e kish pasur klani një forcë aq të tmerrshme, kurr s’kish pasur nevojë për aq pak fjalë që ta vinin në lëvizje.

U ndamë, ashtu të hallakatur, duke përjetuar paraprakisht atë që do të ngjiste në një datë të cilën vetëm njëri prej nesh e dinte qysh më parë. Ishim të sigurt që s’kishim për t’u takuar kurrë më në kafene dhe që çdonjëri prej nesh do të ruante në vetvete përkryerjen vetmitare të mbretërisë sonë.

E dinim që Irasusta kishte për ta bërë atë që duhej bërë dhe kjo qe gjë fare e thjeshtë për një njeri si ai. As për t’u ndarë nuk u ndamë si zakonisht, me atë sigurinë e gjithsesishme se kishim për t’u pjekur rishmëzi pas kinemasë, mbrëmjen që ishin shfaqur «Kthimi i pasigurt» apo «Kamxhiku».

Qe njësoj sikur t’i kishim kthyer shpinën njëri-tjetrit, kinse qe bërë vonë e duhej të iknim. Sikush ia mbajti nga e kishte rrugën, me dëshirën për të harruar gjer edhe faktin se gjithçka kish marrë fund, ndonëse duke e ditur fare mirë që s’kishte për të qenë ashtu, mbasi do të vinte një mëngjes kur do të na duhej të hapnim gazetën e të lexonim aty lajmin, ngushëllimet budallore për humbjen e koleges etj.

Këta s’kishim për t’ia treguar askurrë askujt, kishim për t’i bishtnuar njerëzisht njëri-tjetrit nëpër sallat e kinemasë e në rrugë; për klanin kjo do të qe e vetmja mënyrë për t’i qëndruar besnik veprës së kryer, për ta ruajtur atë të rrethuar me heshtje. Aq shumë e donim Glendën, sa po orvateshim ta përkryenim një herë e mirë, që të mos shpërkryhej kurrëmë. Te maja e paarritshme ku e patëm ngjitur, do ta ruanim nga çdo rënie, besnikët mund të vazhdonin ta admironin përherë atje lart: nga kryqi nuk zbritet gjallë.

*Shkëputur nga Hulio Kortasar: Autostrada e jugut

Përktheu: Aurel Plasari

Përgatiti: ObserverKult

Lexo edhe:

LETËR DASHURIE E DRITËROIT PËR SADIJEN: TANI DO TË PAJTOHEMI, SE TËRË KËTË JAVË JEMI GRINDUR