Hysen Biza, aktori që gjithëve na kujtohet me shprehjen “Hof t’shof”

Hysen Biza lindi në qytetin e Elbasanit, më 1 nëntor të vitit 1920. Shkollën fillore e kreu në shkollën e Tebojës, kurse mesmen e ndoqi në Normalen e Elbasanit. Karrierën e tij të gjatë artistike e filloi pikërisht në shkollën Normale, në vitin 1936, me dramën “Romaducët“, ku spikati për talentin e tij. Që nga ai moment mori jetë veprimtaria artistike e aktorit mirënjohur elbasanas, Hysen Biza.

Ai u aktivizua edhe gjatë shërbimit ushtarak, me teatrin e Amsamblit të Ushtrisë ku luajti krahas aktorëve të shquar të skenës shqiptare si Loro Kovaçi, Pjetër Gjoka e të tjerë. Këtu hodhi dhe bazat e aktrimit duke punuar me regjisorë të njohur si Pandi Stillo e Sokrat Miho. Pas mbarimit të shërbimit ushtarak më 1947 e deri në vitin 1955 punoi në grupin amator të Shtëpisë së Kulturës, ku krahas lojës së tij si aktor, ai vuri në skenë dhe shumë pjesë si regjisor. Më 22 shtator 1955, me krijimin e Estradës profesioniste në Elbasan, Hyseni u bë menjëherë pjesë e saj, duke mos u shkëputur për 21 vjet rrjesht, duke luajtur në 8 pjesë si: skeçe, parodi, kuplete, pantomima etj, transmeton ‘aktoretshqiptare.info’.

Del në pension në vitin 1976, por nuk hoqi dorë nga karriera e tij, të cilën e vazhdoi edhe për 15 vite të tjera, në teatër dhe estradë. Për vlerat artistike që paraqiste tek publiku gjatë gjithë karrierës së tij si aktor, më 27 nëntor 1992 iu dha titulli “Artist Merituar”. U nda nga jeta në 6 gusht të vitit 1993, në moshën 73-vjeçare.

Ndër rolet e tij më të spikatura përmendim: Jonuzin tek drama “ Vëllezërit”, në rolin e tregtarit Hasanit tek drama “Shpagimi “, Xhetin magazinierin te “Vera e vitit 1978“, pijanecin simpatik te komedia “Turneu“, Mahmutin te sken’ e Ministrave, një nga skenat më të realizuara te komedia “Sa shumë gjethe të thata“etj. Ai mori pjesë edhe në kinematografi tek filmi “Ndërgjegja“ , “Një natë Nëntori” etj. Do të mbahet mend gjithmonë për shprehjen proverbiale “Hof t’shof “.

LEXO EDHE: Stavri Shkurti, aktori që me zërin dhe interpretimin e tij i bënte të gjithë për vete