Mëngjeset e 4 dhe 8 shtatorit për artistin “I am I” ishin momente të shprehjes së revoltës së tij qytetare ndaj ngjarjeve të fundit politike, me theks të veçantë për dialogun me Serbinë.
Përmes thumbimit, ironizimit e sarkazmit në dy performanca para Qeverisë së Kosovës – “Banana Republic” dhe “From Banana to Carrot Republic”, artisti trajton tërthorazi temën e rrezikut të shkëmbimit territorial, ose, siç thekson ai, ndarjen e Kosovës.
“Aktiviteti artistiko-protestues në kuadër të konceptit ‘The Art of Protest’, temën e marrëveshjes Kosovë – Serbi e kam trajtuar tërthorazi në mënyra të ndryshme në mbi 3 performanca, duke goditur temën që është e proklamuar që tani e disa kohë, atë të mundësisë së ndarjes së Mitrovicës së Veriut, andaj ‘Banana Republic / From Banana to Carrot Republic’ është goditja më konkrete direkte në këtë tematikë”, ka thënë artisti “I am I”, i cili brenda vitit ka realizuar 14 performanca artistike si protestë për fenomenet shoqërore, transmeton ‘koha.net’.
Ai ka thënë se këto dy performanca mund të konsiderohen si një e vetme ose dy pjesë të një performance, pasi që “From Banana to Carrot Republic” është vazhdimësi e “Banana Republic”.
Me temat politike të cilat i trajton në kuadër të konceptit “The Art of Protest”, artisti ka thënë se synon të informojë dhe vetëdijesojë masën për gjendjen aktuale socio-politike në vend, e njëkohësisht ta stimulojë që të marrë guximin e reagimit dhe të shprehë revoltën qytetare duke adresuar problemet dhe brengat.
“Si artist performativ protestën time e zhvilloj përmes artit, duke avokuar dhe reaguar në mënyrë ‘artistiko-protestative’ për dhe ndaj zhvillimeve politike në vend, duke sjellë një formë të re të protestës nëpërmjet artit, një ndërthurje e artit dhe protestës, e anasjelltas”, ka thënë artisti i cili deri më tash nuk identifikohet ndryshe pos “I am I”.
Ai ka shpjeguar simbolikën prapa performancës së tij të parë të 4 shtatorit, pikërisht në ditën kur do të zhvillohej takimi në Washington, që më pas solli edhe marrëveshjen.