I gjithdituri dhe padija

Nga Eugen Kllapi

Ai zvarritej bashkë me kohën, vitet po i iknin, ai kapej pas tyre. Ishte i internuar në vendin e tij.

Qëkur lindja e kishte sjellë, ai kishte njohur çdo gur që i shihte syri hapësirë.

I rritur nën frymën e krenarisë kryelartë, lartësimi i tij kishte kaluar majën e malit e njësh me rininë e kishte thërrmuar atë, e kishte vullkanizuar, e kishte bërë tokë pjellore për krenarinë e tij, e kishte bërë brezare, në fund krenaria e kishte lënë malin djerrë.

Vendi i tij lindte krenarë kryelartë, krenarë për tokën, për qiellin, për prejardhjen dhe pasardhjen e lartësimit të tyre, një si lloj zgjatjeje qafe nga asfalti deri ku retë kapnin lartësi.

Vendi ishte i vogël, po kishte nxjerrë burra kryepërpjetë, vështrimngultës, hapëshpejtë e oratorë. Mendimi i çdonjërit duhet medoemos të lartësohej përndryshe ishte armik i të gjithëve.

Fëmijët këto duhen t’i mësonin nën ritmin e dajakut, dajaku edhe i mësonte, edhe i burrëronte, detyrë e vështirë e mësuesve përkushtues kjo në të kaluarën.

Dajaku ishte formë çudibërëse, jo vetëm me duar e mjete, po dajak me fjalë gjithëditëse, fjala i rrihte fort dhe mirë fëmijët që ata të bëheshin të gjithëditur.

Në tokën ku tronditej ditë pas dite nga kryelartët, ishte futur një kartmonedhë çudibërëse, ajo, edhe kishte lartësuar mendimin, edhe e kishte futur në luftë. Kryelartët i dinin të gjitha, kurse monedha iu shkiste si ngjalë nga një dorë në tjetrën.

Kur i di të gjitha nuk ke nevojë për libra, kështu që libri togje-togje ishte futur në manifakturat e riciklimit për t’u bërë gëzim shportash në të ashtuquajtura supermarkete.

Ato tashmë mbanin ushqimin, një detyrueshmëri më e lartësuar se gërmat me fjalë e reshta të pafundëm durimi. Kudo sa andej-këtej shkisnin dhe kartmonedha, dhe togjet e dijeve nëpër ingranazhe thërmimi letre që të riciklonin kryelartësinë e dikurshme, një evolucion i pashmangshëm ky.

Sa më tepër kartmonedha lartësonte kryelartët, aq më shumë të gjithë dinin, aq më tepër të gjithë flisnin, të gjithë nuk dëgjonin se dinin, të gjithë ngrinin zërin, të gjithë kuptoheshin për mrekulli për ato që dinin.

Të gjithë me kartmonedha e ndryshonin tokën në dobi të tyre, të gjithë bënin po të njëjtën gjë, atë që dinin po të gjithë, e kështu nuk kishte vend për mosdijen, të reshtuar në të ditur kryelartët mendonin për gjithëdijen e krijuar për nder e krenari të tyre.

Ai tashmë i internnuar me gjithëdijen e tij, në tokën e premtuar, në ag të jetës kishte rënë për herë të parë në mendime. Kryelartësia e tij ishte sëmurë keq nga kjo herë e parë.

Kjo e bënte arrogant, njëkohësisht po mendonte, njëkohësisht nuk duhet të mendonte, duhet te ishte pjesë e kryelartëve. Kishte rënë në hall të madh, i kishte ardhur mendimi, nuk dinte se ku e nga, pse, si e qysh.

Ai e kishte izoluar atë që në fëmijëri, kush i kishte bërë magji? Të gjitha mësimet e të gjithëditurve i kishte përvetësuar e shfrytëzuar tërë jetën radhë pas radhe cdo kohë pas cdonjërit të grupit, nga për dreq kishte ardhur ku mendim?

Ta thoshte këtë hapur do kryqëzohej, ta hiqte nuk e hiqte dot nga mendja, ta shkruante e ta vuloste në letra riciklimi kishte harruar si shkruhej, me figura nuk e hidhte dot cfarë të bënte?

Të gjithë në radhë jetonin për mrekulli, njëri pas tjetrit si ingranazhe të pafundëm të gjithëditurish, edhe u vinte kartmonedha, edhe u shkiste, por rëndësi kishte që, edhe rridhte, edhe pikonte, po ai?

Po të mendonte automatikisht i ikte kartmonedha, të gjithditurit nuk i toleronin lehtë ata që mendonin, sidomos ata që kishin dyshime, jo më të ndodheshe në kontraditë midis gjithëdijes dhe mendimit.

Pa kartmonedhë nuk lartësonte dot krykrenarinë e tij, me kartmonedhë mendimi i shtohej, dita-ditës vlonte e tërbohej, c’të bënte, të mendonte e të mos kishte kartmonedha, të kishte kartmonedha e të rrinte i vluar, i tërbuar me lindje mendimesh të palartësuara gjithëdijesh, si do i vinte halli? Vallë mos të gjithë ishin si ai?

Ditën tjetër ai i dha karar, u dorëzua te grupi, bëri autokritikë për dijen e lindur, e shkeli me këmbë paditurinë, e përdhosi mendimin dhe kërkoi hak.

Kryepërpjetët nuk e dëgjuan dot, ata tashmë nuk kishin mësuar të dëgjonin mirë, ata folën me zë baritonësh për veprat e tyre, për krenarinë, gjithëplotësinë e tyre, me zhurmën e madhe nuk mund dot të dëgjonin atë.

Ai u kthye në shtëpi i tronditur, tashmë nuk mund dot të kishte as kartmonedha, as gjithëdije, ai nuk ishte më i dëgjuar, ai ishte përjashtuar, mendimi e kishte internuar në tokën e tij të premtuar.

Midis mendimit dhe jo mendimit ai lëngoi në shtrat i majisur.