
Shumë vjet përpara, kur katunet janë kanë shum t’rralla e kishin pasë pak shpija, ish kanë çue ni rên komitë pej Malsije a pej Hotit e ishin kanë ardhë ktu e shkue n’Broliq, nër Prapaçan. Aty e kishin pa’ gjetë ni çikë t’mirë. Ata kishin pas ardhë me plaçkitë kije e kso sênesh e e marrin edhe at çikë, e grabitin m’e marrë njani për veti.
Kah ngjiten përpjetë, i çohet potera prej Broliqit, po nuk munen me i nxanë. Kta komita edhe me armë, ngjiten përpjetë rranzës Isniqit e nërmje’ Lbushe e Strellci. Kur vinë n’fun n’Isniq, ishin kanë tre vllazën tuj livrue n’arë. Ish koha e pranverës. I thonë shoqishojt:
-Ça à’kjo poter e kto pushkë t’rralla?
Po kqyrin; i shohin tu’ ardhë. E pvetin njâ t’Broliqit:
-Ça âsht?
-Na kanë marrë çikën komita.
-E,-i thotë njani vllaut t’vet-çohu, se dojmë me shkue m’u ndihmue!
Edhe mërthehen edhe ata e ngjiten përpjetë Malit t’Strellcit e dalin e jau zanë pritën n’Qafë atje, se komita s’e kishin pasë udhën bash n’njoftun. Kur vinë komita aty me gjithë vajzë, fillon pushka.
Edhe vrahen kta dy t’Isniqit aty edhe ishin kanë vra dy malsorë, e u vra edhe vajza qi e kishin grabitë me zor.
Atij vêni i thonë Guri i Nuses, se deshtën m’e marrë at vajzën me zor komita e m’e ba nuse t’njanit pej tyne, po nusja u vra aty.
Edhe sot gjinden vorret aty, n’at vên si i thonë Guri i Nuses n’Bjeshkë t’Strellcit.
*Shkëputur nga libri i Anton Çettës: “Nga folklori ynë I“
Përgatiti: ObserverKult

Lexo edhe:
ANTON ÇETTA: DO TË VIJ PRAPË, POR PËR NJË PUNË TJETËR, EDHE MA TË MADHE SE KJO
Nga: Blerim Latifi
Në vitet pesëdhjetë të shekullit të kaluar, një pjesë të madhe të kohës së tij, Anton Çetta, e kishte kaluar nëpër fshatra të Drenicës.
Ai ishte etnograf dhe kishte marrë përsipër projektin e mbledhjes së tregimeve popullore në gjithë Kosovën, para se tregimtarët e fundit të tyre të vdisnin.
Rezultatet e punës së tij etnografike në Drenicë u publikuan në tri vëllime me titullin “Prozë popullore nga Drenica”.
Për tre muaj Anton Çetta kishte qëndruar edhe në Prekaz, përkatësisht në konakun e Hazir Lutit, i cili dallohej nga pleqtë e tjerë të fshatit me faktin se njihte qindra tregime popullore, përralla, legjenda e mite.
Por edhe tekste këngësh të vjetra. Ai ishte një thesar aq i pasur etnografik. Anton Çettës iu desh një kohë e gjatë derisa ta eksploronte të tërin, për ta hedhur pastaj në letër.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult