I jepet lamtumira e fundit poetit të njohur shqiptar, Hamit Aliaj

Në ditën e sotme me nderime të larta shtetërore, qytetare e familjare, poeti i shquar Hamit Aliaj, “Mjeshtër i Madh”, u përcoll me homazhe në vendlindjen e tij, në Tropojë.

Në ceremoninë përcjellëse para Muzeut Historik të Tropojës mbajti një fjalë kryetari i Bashkisë Tropojë, Rexhë Byberaj.

Për krijimtarinë, jetën e veprimtarinë e tij folën miqtë e tij, ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka, ish-Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, poeti e shkrimtari Besnik Mustafaj dhe krijuesi e studiuesi nga Kosova, Kamber Kamberi.

Gjithashtu folën edhe të afërm të tij, veprimtari i njohur i Tropojës, Ali Berbati dhe kryetari i Shoqatës së Shipshanit, Besnik Bajraktari.

Këshilli Bashkiak i Tropojës rrugën kryesore të fshatit të tij të lindjes, Kasaj i Shipshanit e pagëzoi me emrin e poetit të shquar Hamit Aliaj.

Folësit në ceremoninë përcjellëse vunë në dukje meritat e mëdha dhe vlerat e larta të 7 librave të tij poetik të vlerësuara edhe me çmime kombëtare që siç thotë një akademik emri i tij i bën nder edhe letërsisë evropiane.

Ndërsa me tekstet e mbi 200 këngëve të tij si “N’Dardani bie një tupan” etj siç thotë një poet e mik i tij ishte “UÇK para se të krijohej UÇK”, sepse këngët e tij ishin hotel e himne të Lirisë e Pavarësisë së Kosovës dardane./balkanweb

ObserverKult


Lexo edhe:

NDAHET NGA JETA POETI I NJOHUR SHQIPTAR, HAMIT ALIAJ

Poeti i njohur, Hamit Aliaj, është ndarë nga jeta në moshën 69-vjeçare.

Lajmin e trishtë e ka bërë të ditur shkrimtari Luan Rama përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook”.

“Ike në heshtje,
dhimbjen e more me vete,
për të mbetur përjetësisht
gjëmim mes malesh,
dhe këngë ndër zemra!
U prehsh në paqe e të ndritë shpirti miku im!” ka shkruar Luan Rama për poetin e njohur.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult