I jepet lamtumira e fundit poetit, Xhevdet Bajraj

xhevdet bajraj

Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi ka njoftuar se i është dhënë lamtumira e fundit poetit Xhevdet Bajraj, i cili ndërroi jetë ditë më parë.

Ai ka thënë se Rahoveci, vendlindja e poetit, përbënte thelbin e shpirtit të tij.

“I dhamë sot lamtumirën e fundit poetit me përmasa botërore, të cilit inspirimi poetik i buronte nga dashuria e madhe që e ndjente dhe e shfaqte për vendlindjen e tij, Rahovecin e rrushit e të hardhive. Rahoveci përbënte thelbin e shpirtit të tij, sepse këtu ishte rritur e edukuar, këtu kishte njohur dashurinë e parë dhe këtu ishte mbrujtur me dashurinë për atdheun e tokën e të parëve”, ka shkruar Latifi.

Kryetari i Rahovecit ka thënë se Bajraj, përpara se të ishte poet e profesor i shquar i poezisë në Meksikën e largët, ishte njeri i mirë e me standarde të larta të etikës njerëzore, transmeton EO.

“Ishte një prej njerëzve të rrallë që mundte ta respektonte secilin, pa ngarkesën e paragjykimeve të çfarëdoshme.

Xhevdeti iku duke lënë shumë poezi të pashkruara, por gjithashtu la edhe shumë sosh të shkruara, përmes të cilave do të jetojë në përjetësi.

E thashë edhe në fjalimin që mbajta në funeralin e tij, ta kesh pjesë të kombit një poet si Xhevdet Bajraj është pasuri e paçmuar.  Ngushëllimet më të sinqerta familjes së Xhevdet Bajrajt, kombit shqiptar dhe artistëve kudo në botë, që e njohën dhe u shoqëruan me Xhevdetin. I paharruar qoftë kujtimi për poetin tonë të madh, Xhevdet Bajraj!”, ka shkruar në fund Latifi.


Lexo edhe:

U NDA NGA JETA POETI I NJOHUR XHEVDET BAJRAJ

ObserverKult