“I kërkova Virgjëreshës të më ndihmonte, që zemra ime të mos vuante më”, fragment nga Paulo Coelho

paulo coelho

Fragment nga Paulo Coelho:

Tani bazilika ishte përpara nesh. Përpara se të thosha një fjalë të vetme, atë e pa dikush që u afrua për ta përshëndetur.

Shiu i lehtë binte me këmbëngulje dhe unë nuk e dija sa do të rrinim në mjedis të hapur; po mendoja se kisha vetëm ato rroba, prandaj nuk duhet të lagesha.

U përpoqa të përqendrohesha në këtë çështje. Nuk doja të mendoja për shtëpinë, për gjithë atë që nderej midis qiellit dhe tokës në pritje të dorës së fatit.

Ai më thirri që të më njihte me disa persona. Na pyetën se ku po rrinim dhe kur ai përmendi Shën Savinin, dikush u kujtua se pikërisht atje ishte varri i një shenjti eremit. Thoshin se kish qenë pikërisht ai shenjtor që kishte zbuluar burimin që ndodhej në qendër dhe që, në zanafillë, vendbanimi ishte ndërtuar si strehë për të gjithë ata që braktisin jetën e qyteteve dhe vinin në male në kërkim të Zotit.

“Jetojnë ende”, pohoi një tip.

Unë nuk mund të thosha nëse kjo histori ishte e vërtetë dhe as që e dija kush ishin “ata”.
Ngadalë, u afruan njerëz të tjerë dhe grupi u drejtua nga shpella. Një burrë, më i vjetri, provoi të më fliste në frëngjisht. Por, më pas, duke e parë që nuk kuptoja, provoi të fliste në një spanjishte të pasigurt.

“Ju jeni në shoqërinë e një njeriu shumë të veçantë”, tha. “Një njeri që bën mrekulli.”
Nuk u përgjigja, por më erdhi sërish në mend ajo mbrëmja në Bilbao, kur kishte ardhur ta kërkonte një njeri i dëshpëruar.

Ai nuk më kishte thënë se ku kishte shkuar, gjë që mua nuk më kishte interesuar. Tanimë mendimi im mbetej i ngulitur në një shtëpi që e përfytyroja në hollësi. Nuk i njihja librat, disqet, peizazhin dhe mobiliet.

Në nje cep të botës po na priste një shtëpi mbretërore. Një shtëpi në të cilën do ta kisha pritur e qetë kthimin e tij.

Një shtëpi në të cilën do të doja të prisja kthimin nga shkolla të një vogëlusheje ose të një vogëlushi që do ta kishte mbushur mjedisin me gëzimin dhe rrëmujën e tij.

Grupi ynë ecte në heshtje nën shi, derisa mbërritëm në vendin ku ndodhnin vegimet. Ishte ashtu si e kisha përfytyruar unë: shpella, statuja e Madonës dhe një burim, mbrojtur nga një xham, ku kishte ndodhur mrekullia e ujit.

Kishte aty disa pelegrinë që luteshin, ndërsa të tjerët ishin ulur aty brenda, në heshtje, me sytë e mbyllur.

Përpara shpellës rridhte një lumë dhe zhurma e ujërave të tij më dha qetësi.

Duke parë statujën, thashë një lutje; i kërkova Virgjëreshës të më ndihmonte, që zemra ime të mos vuante më.

“Nëse dhimbja do të vijë, le të vijë shpejt, thashë.

“Sepse e kam gjithë gjithë jetën përpara dhe duhet ta jetoj sa më mirë të jetë e mundur. Nëse ai duhet të bëjë një zgjedhje, le ta bëjë menjëherë. Kështu do ta pres. Ose do ta harroj. Të presësh është e dhimbshme.

Edhe të harrosh është e dhimbshme. Por të mos dish se çfarë vendimi do të marrësh, kjo është një nga vuajtjet më të mëdha.

Në thellësi të zemrës e ndjeva që Virgjëresha e kishte dëgjuar kërkesën time.

(Shkëputur nga romani ‘Buzë lumit Piedra u ula dhe qava’ të Paulo Coelhos)

Përgatiti: ObserverKult


dhimbjen të dua paulo coelho thenie proze observerkult

Lexo edhe:

PAULO COELHO: DASHURIA ËSHTË NJË PYLL PLOT ME KURTHE…

Dashuria është…? Çka është? Miliona përgjigje nga pikëvështrime të ndryshme e tërësisht individuale mund të marrim në këtë pyetje.
Por si e ka parë Paulo Coelho, përmes syrit të personazheve të tij në romanin “Buzë lumit Piedra u ula dhe qava”, mund ta shihni në fragmentin e mëposhtëm që ObserverKult ka zgjedhur për ju:

Paulo Coelho: Dashuria është…

Dashuria është si një pyll plot me kurthe. Kur do që të shfaqet, ajo lë të duket vetëm dritën e saj dhe na lejon të shquajmë vetëm hijet që krijon ky ndriçim.


“Shiko përreth”, tha ai. “Shtrihemi përtokë, të dëgjojmë të rrahurat e zemrës së planetit.”
“Jo tani”, iu përgjigja. “Nuk kam ndër mend të bëj pis xhaketën që kam veshur.”

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult