Nikolla Paganini mishëron atë që është absolutisht dhe pa mëdyshje, një nga figurat muzikore më virtuoze dhe më të talentuara të historisë.
I mirënjohur për prirjen si violinist dhe kompozitor, pavarësisht se vinte nga një familje modeste dhe me një arsimim të pamjaftueshëm muzikor, Paganini ia doli që për një periudhë të shkurtër kohore, ende në moshë rinore, të bënte emër në oborret italiane, po edhe të huaja. Ekzekutimet e tij u vlerësuan dhe u lavdëruan në mbarë gadishullin: në oborret mbretërore të Parmës, Toskanës dhe më pas në Luka, Firence, etj. Që në fillim, ai u shqua për teknikën dhe virtuozitetin, duke krijuar kështu një stil unik, të pamundur për ta riprodhuar. Mirëpo, fati i keq, së bashku me famën, nuk vonoi ta ngërthente: iu desh të përballej me sëmundje të shumta, të rralla dhe të vështira për t’u kuruar asokohe. Trajtimet e detyruara, ndonjëherë edhe me metoda të gabuara, kombinuar me sëmundje dhe një talent të jashtëzakonshëm, do çonte në atë që imazhi i Paganinit të merrte cilësi dhe aspekte misterioze, thuajse të errëta. Sa hap e mbyll sytë lindën mite dhe legjenda, për mënyrën sesi i fitoi ato aftësi të jashtëzakonshme, duke e etiketuar si “violinisti i djallit”.
Paganini – violinisti i djallit midis historisë dhe folklorit
Histori të pabesueshme filluan të qarkullojnë për kompozitorin. Jo rrallëherë imazhi i tij lidhej me Satanin: shumë ishin më se të bindur, që ia kishte shitur shpirtin djallit në këmbim të asaj dhuntie magjike. Për më tepër, violina është parë gjithmonë si instrumenti i djallit. Madje, as violina e tij nuk u shpëtoi sajesave, mendohej se telat ishin krijuar nga zorrët e të dashuruarve të vrarë nga muzikanti, njëri pas tjetrit, për t’i ringjallur më pas, me muzikën e tij, në një kufi të përjetshëm midis jetës dhe vdekjes. Miti tjetër lidhej me faktin që telat e violinës, thyheshin rëndom gjatë ekzekutimeve plot nerv, të gjithë përveç atij të solit. Prej nga lindi historia, se Paganini përfundoi në burg për një duel dashurie dhe atje, i dhanë një violinë për t’u praktikuar, por me kalimin e kohës ai i kishte këputur të gjithë telat, përveç solit. Aureola e misterit mbështolli figurën e tij, kësisoj edhe pse i mungonte bukuria, atmosfera misterioze e bënte atë të parezistueshëm, sidomos për gratë.
Paganini ishte i vetëdijshëm për legjendat që qarkullonin e ndoshta, për çështje imazhi ose ekonomie, në njëfarë mënyre u përpoq t’i ushqente. I ruante me një fanatizëm të çuditshëm partiturat, bënte kërcime prej disa oktavash, me kalime akordesh të mëdha që mbulonin të katër telat, duke alternuar notat me harkun e këputur, me dorën e majtë. Partiturat duhej të mbeteshin sekrete, në koncerte ia jepte orkestrës vetëm disa orë para, në mënyrë që instrumentistët të mos kishin kohë t’i mësonin dhe detyroheshin t’i luanin në mënyrë të thjeshtuar. Për këtë arsye, kërkoheshin muzikantë që ishin veçanërisht të zotë në leximin e partiturave në shikim të parë. Duke vepruar kështu, Paganini ishte i vetmi që interpretonte me repertor të plotë, gjë e cila tingëllonte edhe më komplekse dhe e ngatërruar në veshët e publikut. Gjithsesi, me mister nuk u mbulua vetëm aftësia që kishte kur luante në instrument, gjithçka në lidhje me aspektin fizik të bënte të mendoje për një figurë djallëzore. Për shkak të sifilizit, ai ishte thatim, fytyrëzbehtë me sytë si zgavra.
Në shfaqje paraqitej i veshur me të zeza. Ata që e shikonin duke luajtur, lidhja ishte e dukshme, veçanërisht pasi shumë e përkufizuan si një skelet veshur në frak, me violinë të mbërthyer nën nofull. Thuhet madje se në Palermo, gjatë një prej koncerteve të shumta, një dëgjues nga publiku u betua se e pa Paganinin duke luajtur dhe, pas tij, hija e djallit lëkundte harkun. Edhe pse imagjinata e njerëzve shkonte deri në cakun e bestytnisë, Paganini u vlerësua shumë nga muzikantët e rangut të tij.
Nga Shuberti, te Shumani dhe Shopeni, të gjithë e konsideruan si një fenomen unik. “Campanella” u konsiderua nga kritikët si kryevepër e vërtetë, aq sa e shtyu Franc Lizstin ta përmirësonte në pjesë për piano, kurse Rosini u shpreh: “Në jetën time kam qarë vetëm dy herë: kur një gjel deti i mbushur me tartuf më ra aksidentalisht në ujë dhe kur dëgjova Paganinin teksa luante”.
Ndër veprat për violinë kujtojmë “24 kapriço”, kompozime me një karakter jashtëzakonisht virtuoz, me një larmi të gjerë teknikash. E veçanta e “Kapriçove” përfaqësohet nga treguesit shprehës të Paganinit, i cili la sugjerime të shkruara, të tilla si “imtimi i flautit” ose “imitimi i bririt”. Në fakt, kompozimet e tij bazoheshin në imitime të tingujve të natyrës, këngës së zogjve ose instrumenteve të tilla si fyelli dhe briri. Nga jeta e Nikolla Paganinit, kushtuar tërësisht artit të instrumentit dhe eksperimentimeve të vazhdueshme muzikore, na mbetet vetëm violina ikonike me nofkën “Cannone” (topi), e ekspozuar në “Palazzo Tursi” në Gjenovë.
Edhe në ditët e sotme, kur dëgjon kryeveprat e tij, të lind vërtet dyshimi që muzika e tij buron nga një tjetër dimension, se ai ishte ndërlidhësi midis botës së vdekshme dhe asaj të padukshme për syrin, por e arritshme vetëm përmes notave të tij hyjnore. Në fund të koncerteve, shpesh e gjente me majat e gishtave të dëmtuar, sikur gjatë performancës ta kishte poseduar një tjetër frymë.
Në njërën nga këto, ai madje, refuzoi përsëritjen e numrit për mbretin Çarls të Savojës, prej nga lindi thënia: “Paganini, nuk përsëritet!”. Dhe me të vërtetë, ishte i papërsëritshëm./konica.al