“I vetmuari”, tregim nga Ismail Kadare

ismail kadare
Ismail Kadare

Midis vizitorëve të ekspozitës së arteve figurative ishte dhe një prift, që punonte në selinë e kryeepiskopatës. Prifti erdhi në ekspozitë tri pasdite rresht.
Pasditen e tretë, ai iu afrua një burri me qafë të shkurtër, që rrinte i menduar përpara ca gravurave.
-Më falni, ju lutem. Ju jeni piktori Kristo I?
-Po.
Prifti i tha emrin e tij.
-A mund të bisedonim për një çështje, në qoftë se jeni i lirë?
-Çfarë çështje?-pyeti i hutuar piktori.
Prifti u përtyp pak. Dukej që e kishte vështirë të shpjegohej.
-Më kuptoni, në qoftë se ju do të pranoni, ne do t’ju jemi shumë mirënjohës. Veç kësaj, edhe nga pikëpamja financiare besoj se do të mbeteni i kënaqur.
-Për se e keni fjalën?-pyeti piktori. Gjithë ato ditë, ai kishte qenë i mërzitur, sepse asnjë nga punët e tij nuk ishte vënë në ekspozitë.
Prifti buzëqeshi.
-Ne kemi nevojë për një piktor që të na pikturojë një kishë ortodokse. Kryeepiskopata ka caktuar për këtë gjë një fond prej dyqind mijë lekësh të vjetër. Në qoftë se ju…
Piktori hapi sytë. Prifti buzëqeshi qetë.
-Të mendohem, -tha piktori.
Prifti nuk e zgjati më. I tha natën e mirë dhe u largua.
Pas dy ditësh, piktori Kristo I. bëri kontratën me kryeepiskopatën. Ai mori tetëdhjetë mijë lekë paradhënie dhe filloi menjëherë nga puna.
Muaj me radhë, piktori, që nga mëngjesi e gjër në mbrëmje, mbyllej brenda mureve të kishës. Ai lodhej. Kishte shumë punë për të bërë: duheshin pikturuar një pjesë e mureve dhe pothuaj të gjitha kupolat.
Ai i la mënjanë të gjitha planet e vjetra dhe u dha tërësisht pas punës së re. Tani nuk shoqërohej më as me shokët e vjetër dhe nuk merrte pjesë në diskutimet e piktorëve.
Kolegët e tij shkonin poshtë e lart nëpër Shqipëri, nëpër kantiere e qendra pune. Ca niseshin për në hekurudhën e re, ca ktheheshin nga kooperativat e reja malore, ca të tjerë bëheshin gati për të shkuar me ekipet për prishjen e fejesave të të miturve dhe për zhdukejn e zakoneve prapanike. Ata ishin plot telashe, plane dhe skica. Kurse ai kishte vetëm një telash: të mbaronte brenda afatit pikturimin e kishës dhe të merrte paratë. Në kokën e tij, në vend të vinçave, tarracave dhe peizazheve malore kishte një mori kryqesh, shenjtorësh e fytyrash të zbehta me aureola.
Kishte mbaruar pikturimin e mureve dhe tani po pikturonte kupolat. Kjo ishte një punë fort e vështirë. Qafa i dhembte vazhdimisht.
Orë të tëra duhej të mbante kokën lart.
I jepte kurajë vetes, duke menduar se, ndoshta njerëzit që do të vinin në kishë do ta pëlqenin punën e tij. Nëpër ekspozita, ai nuk kishte pasur asnjëherë sukses. Së paku, të kishte këtu. Veç kësaj, ishin dhe paratë. Asgjëkund nuk të jepnin përnjëherësh një honorar kaq të madh.
Për sa i përket ndërgjegjes, ishte pothuaj i qetë. Ai nuk kishte pasur asnjëherë ndjenja antifetare. Nganjëherë çuditej: si qëlloi që pikërisht priftërinjtë i vunë syrin atij dhe jo ndonjë tjetri. Thonë se priftërinjtë janë të zgjuar, mendonte. Ata e kuptuan menjëherë se ai ishte i përshtatshëm për një punë të tillë.
Pikturimi i kupolave po i afrohej fundit. Qafa i dhembte tani më shumë. Herë –herë i errësoheshin sytë.
Dhe ja, erdhi dita e fundit. Ai e ndiente veten keq. Ishte lodhur shumë. Erdhën priftërinjtë nga episkopata. E falënderuan dhe nënshkruan çekun.
Po atë mbrëmje u shtrua në spital. Kishte një dëmtim serioz në nervat e qafës. Në spital qëndroi shtruar tre muaj.
S’ka dy javë që ka dalë nga spitali. Qafa i ka mbetur pak e shtrembër dhe ecën ngadalë. Kur i flet ndonjë i njohur në rrugë, kthehet i gjithi, me mundim. Por ai ka pak të njohur dhe shumë  rrallë detyrohet ta bëjë këtë gjë.
                                                 

 1967



Përgatiti: ObserverKult