Ismail Kadare: Portreti i Skënderbeut

Portreti i Skënderbeut, poezi nga Ismail Kadare

Si ditë e plotë ai shtjellej
Me re dhe erë përmbi atdhe.
Një emër Gjergj e kish si diellin
Tjetrin si hënën, Skënderbe.

Dy brirë dhie kish mbi krye
Emblemë e vjetër e çuditëshme
Sikur ta dinte që mes brirëve
Dy perandorë do të godiste.

Njëzet e katër luftëra bëri
Njëzet e katër vdekje theu
Çka mangut linte ditën Gjergji
Plotësonte natën Skënderbeu.

Pas vdekjes eshtrat iu ndanë
Në mijëra varre ata u shtrinë
Gjithçka të shumtë ai e pati
Të vetme kish veç Shqipërinë.

ObserverKult


Lexo edhe:

SI E HODHËN NË ERË KOMUNISTËT KISHËN E SKËNDERBEUT E DONIKËS…

Njëra prej të dyjave ekziston edhe sot, është katedralja e famshme e Parisit, “Notre Dame” ose “Shën Maria” – që, ndonëse e dëmtoi rëndë një zjarr rastësor, është në rikonstruksion e sipër, me kujdesin më të madh, durimin dhe profesionalizmin e një populli që e vlerëson historinë dhe kulturën e tij.

donika skënderbeut

Ndërsa tjetra, më e vogla, nuk ekziston. Bëhet fjalë për kishën e famshme “Shën Maria” e Vaut të Dejës, që u hodh në erë me dinamit, nga komunistët, ngjarje e vitit 1967 – kohë që shënoi rrënimin e vlerave kulturore në Shqipërinë socialiste; kjo, nën shembullin e revolucionit kulturor kinez – pra, duke luftuar “zakonet prapanike”.

Por, kisha e Shën Marisë në Vaun e Dejës, kishte një specifikë shumë të rrallë për Shqipërinë dhe shqiptarët – aty, heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti, pranoi sakramentin e martesës me Donikën, bijën e Gjergj Arianitit, zotit të Kaninës.

Ndërsa “Notre Dame” po rikthehet në identitet – fazë ku, krahas vendeve të tjera të zhvilluara, Shqipëria dhuroi 100.000 euro,  –  “Shën Maria” e hershme e Skënderbeut, në Vaun e Dejës, është pa asfare vëmendje institucionale…

ObserverKult