“Kishte përfunduar studimet në dy fakultete në Vjenë, për Akademinë Tregtare të Vjenës në Agronomi, si dhe fakultetin e Shkencave Politike. Zotëronte katër gjuhë të huaja, gjermanisht, italisht, turqisht, anglisht. Ishte biri i atdhetarit të shquar, Aqif Pashë Biçakçiut, kryetar i Kongresit të Lushnjes, një nga themeluesit e shtetit shqiptar”.
Një burrë i gjatë, veshur me uniformën e komunales me çizme llastiku, shfaqej çdo ditë para markatës së Elbasanit, me një fshesë në dorë. Ishte Ibrahim Biçakçiu, pastruesi i banjove të qytetit. Ata që e jetuan atë kohë e mbajnë mend mirë Ibrahimin, sepse kishte qenë kryeministri i Shqipërisë, që komunistët e kishin kthyer në një punonjës të rëndomtë.
Ishte biri i atdhetarit të shquar, Aqif Pashë Biçakçiut, kryetar i Kongresit të Lushnjes, një nga themeluesit e shtetit shqiptar. Të afërmit e Ibrahimit rrëfejnë se kur kthehej nga puna si pastrues i banjove, Ibrahimi vishej si zotëri dhe vazhdonte të lexonte literaturën që kishte mundur të shpëtonte nga bastisjet e komunistëve.
Ibrahim Biçakçiu kishte përfunduar studimet në dy fakultete në Vjenë për Akademinë Tregtare të Vjenës në Agronomisë si dhe fakultetin e Shkencave Politike. Zotëronte katër gjuhë të huaja, gjermanisht, italisht, turqisht, anglisht. Ibahim Biçakçiu u kthye në Shqipëri, pas studimeve në Vjenë.
Në 1926, ndërroi jetë i ati, Aqif Pashë Biçakçiu dhe Ibrahimi mori nën administrim pasuritë e të atit. Biçakçiu ishte pronar i disa fermave, fabrikës së prodhimit të cigareve “Elbasani” (Flora) në Tiranë, dhe kafe “Flora” (këtu ka punuar dhe Enver Hoxha), pronar i shoqërisë tregtare “Ibrahim Biçakçiu”, bashkëthemelues i Shoqërisë “Albiger”, që merrej me tregtinë Shqiptaro-Italo-Gjermane, së bashku me Ahmet Ndroqin dhe Renzo Brunori-n, zotëronte rreth 2500 ha tokë, disa shtëpi rezidenciale dhe disa magazina.
Pas një përvoje të gjatë në administrimin e pasurive të familjes, Ibrahimi u angazhua në politikë në vitin 1937, kur u zgjodh deputet i pavarur i Elbasanit. Pas një shkëputje, Ibrahimi u kthye në vitin 1943, si Kryetar i Komitetit Ekzekutiv, kryeministër i vendit në një fazë tranzitore, kur komunistët po merrnin pushtetin.
Me të ardhur në pushtet, komunistët nisën goditjen e personaliteteve më të larta të Shqipërisë, duke vrarë e burgosur të gjithë elitën politike dhe intelektuale të asaj kohe. Në prill të vitit 1945, në Tiranë, u zhvillua gjyqi special, ku u gjykuan rreth 60 politikanë, ushtarakë, intelektualë, ndër të cilët ishte i akuzuar edhe Ibrahim Biçakçiu. Akuzoheshin si tradhëtarë të atdheut.
Gjyqi special u zhvillua në ish-kinema “Kosova”, më vonë Teatri Kombëtar, dhe gjyqi u drejtua nga Koçi Xoxe. Në atë gjyq, Ibrahim Biçakçiu u dënua me vdekje. Por në atë kohë, elita e kohës në Elbasan hartoi një peticion, ku kërkoi t’i falej jeta, duke argumentuar se Ibrahim Biçakçiu ishte pinjoll i një familje patriotike dhe bamirëse. Ata garantuan se Ibrahim Biçakçiu nuk kishte pasur kurrë veprimtari kundër popullit të tij, transmeton ‘kujto.al’.
Më pas, Ibrahim Biçakçiu u dënua me 18 vite burg. Pjesën më të madhe të burgut e kaloi në burgun e Burrelit, atje ku ishte e përqëndruar e gjithë elita e intelektualëve të dënuar nga regjimi diktatorial komunist. Ibrahim Biçakçiu doli nga burgu në 5 maj të vitit 1962. U kthye në Elbasan, ku u caktua nga regjimi komunist si punonjës i varrezave të qytetit. Pas disa vitesh, Ibrahimi u caktua në ndërmarrjen komunale për pastrimin e banjove të qytetit, ku punoi deri më 4 janar 1977, ditën kur u nda nga jeta.
Zotëria që pastroi banjot e Elbasanit
Ibrahim Biçakçiun e njihnin të gjithë në Elbasan sepse ishte i biri i Aqif Pashë Biçakçiut, personalitet i shquar, kryetar i Kongresit të Lushnjes, si dhe një nga themeluesit e shtetit shqiptar. Kushërira e tij, Dudush Biçaku, rrëfen:
“Ishte e rëndë për ne kur e shikonim Ibrahimin plak që pastronte banjat e qytetit. Sapo vinte në shtëpi, pikërisht ky pastrues, bisedonte në gjermanisht me babën tim. Të dy kishin studiuar në Vjenë dhe bisedat e tyre ishin të nivelit të lartë. Ne gratë kujdeseshim sa të mundeshim për të, duke e pastruar dhe larë.
E megjithëse ishte pastrues i banjave, Ibrahimi e mbante veten shik. Pasi lahej, ai shpesh vendoste kravatë”. Ajo tregon se të qenit pastrues i banjave, ishte si dënim që i bënë Ibrahimit, sepse më parë ai punonte roje i varrezave të qytetit.
Por, teksa bëhej një ceremoni e varrimit të një personaliteti në një gazetë, doli një fotografi, ku në sfond dukej edhe armiku Biçaku. Kaq mjaftoi që nga roje varrezash, ta “ulnin në detyrë” si pastrues i banjove të qytetit.
(Rrëfimet janë marrë nga libri i botuar nga gazetari Ronald Qafoku, ku përmenden detaje interesante lidhur me jetën e 33 kryeministrave të historisë së Shqipërisë).
ObserverKult