
Në një prozë të shkurtë, me titull “I ikuni”, të botuar më 20 nëntor 1962, te gazeta Rilindja, personazhi i krijuar nga Ibrahim Rugova, “s’donte me qenë bari, me ia pre të huejt delet e tufës. Donte me qenë luftar.” Kjo frazë shumë vite më vonë, tingëllon profetike, sepse, Rugova vërtet u bë ky luftar i madh, së pari në fushën e letërsisë e kulturës, mbasandej të politikës, duke mbetur deri në fund të jetës një luftar i madh i transformimeve shpirtërore e politike shqiptare, në tokat e lëna djerr shekuj me radhë.

Nga Ndue Ukaj
Në librin “Kah teoria” (1978), letrari shkruante për transformimin e nevojave shpirtërore në shoqëri, të cilat, atëbotë synonte t’i ndihmonte dhe realizonte nëpërmes rrugëve të letërsisë, kurse te libri tjetër me shumë ndikim, “Refuzimi estetik” (1987), qartësisht shpalosi filozofinë e vet të jetës, e cila shpejt do ta aplikohej në praktikën shoqërore, si refuzim ndaj shtypjes dhe hapësirë e lirisë shpirtërore. Studiuesi besonte se përmes refuzimit estetik, letërsia ndikonte në vetëdijen kulturor të kohës, e kjo në vetëdijen dhe aksionin politik, apo të pushtetit, prandaj misioni i tij, qe një binom i pandashëm i luftëtarit për kulturë e politikë të lartë.
Dhe 20-vjet pas kalimit të tij në amshim, duket se jeta dhe vepra e Rugovës, ka një përkim domethënës me metaforën e luftarit. Në fakt, Rugova duke qenë pjesëtar i një letërsi që kishte kryer detyrat të mëdha e të shenjta ndaj kombit, ashtu siç do të thoshte Eqrem Çabej, ai“bëhet krijuesi që si një prisi shpirtëror i ra edhe barra e apostullit nacional,” – një barrë, që përpara tij e kishin kryer shumë shkrimtarë, në disa epoka vendimtare për ekzistencën tonë kombëtare, prandaj, Ernest Koliqi, në tekstin “Tre poetët më të mëdhenj shqiptarë”, shkruan me një vendosmëri prej eruditi se “De Rada (1814-1903), Naim Frashri (1846-1900) dhe Gjergj Fishta (1871-1940) mund të konsiderohen me plot arsye ndërtuesit e Shqipërisë së sotme.”
Në realitetin e ri shqiptar, të fundshekullit XX, Rugova me plot arsye konsiderohet ndërtuesi i Kosovës së sotme.
Sepse, ai “ishte më shumë se njeri, ai ishte një epokë” do të mund të thoshte një Viktor Hygo i yni, siç kishte thënë ky shkrimtar në njëqindvjetorin e vdekjes së filozofit dhe mendimtarit të madh, Volterit. Vërtet Rugova ishte një epokë, që pas vete ka lënë një trashëgimi shumë të pasur krijuese e intelektuale, me vepra përfaqësuese, dhe me rezultate politike monumentale.
Në 20-vjetorin e vdekjes së tij, teksa flasim për këtë trashëgimi të pasur letrare, kulturore e politike, flasim për një ide sublime të Rugovës: idenë e tij europiane, të cilën studiuesi Anton Berishaj, te teksti “Rugova dhe Bogdani – agape dhe ideja europiane”, duke cituar Buzukun, i cili veprën e parë në shqip ekrijoi “n’së dashunit së botësë sanë…, përse ata” (besimtarët, lexuesit), këtë koncept e lidh me ligjin e dashurisë krijuese dhe pohon: “Këtë e dëshmon vepra jo vetëm letrare, por edhe kulturore e politike e Bogdanit dhe e Rugovës. Ky ligj i dashurisë – agapismi, siç do ta definonte filozofi dhe semiologu i famshëm amerikan, Charles Sanders Peierce, do t’i udhëheqë këta të dytë në veprimtarinë e gjithmbarshme të tyre.”
Pra, është meritë e Rugovës ideja e agapizmit ose idesë europiane, që u mishërua në vite e nëntëdhjeta në Kosovë, jo në kuptimin e reduktuar politik, por si një ideal sublim shoqëror. Ishte kjo ide politike që në vitet e mëvonshme do të jepte rezultate të jashtëzakonshme për krejt kombin shqiptar.
Çfarë e dallonte Rugovën prej të tjerëve ndër shqiptarë dhe rajon?
Pikësëpari ai, ishte i vërtetë, besonte në demokracinë, dhe qysh në vitin 1986, kërkonte “më shumë demokraci për Kosovën”, pra, në një kohë kur demokracia ishte kontinent i paarritshëm për krejt rajonin Erupës Juglindore. Ai ishte i vërtetë në të gjitha pikëpamjet. Idenë europiane nuk e kishte zgjedhje politike, por ndjesi të përbrendësuar, identitet. Pra, ligjërimi i tij, letrar e shoqëror, estetik e politik ishte ligjërim i një shqiptari e europiani të vërtetë e të palëkundur në përcaktimet kulturore e identitare, që nuk lodhej kurrë së afirmuar punët pozitive, por që nuk heziton as të vinte gishtin tek të metat, dhe sa herë përmende të metat, nuk binte në kurthin e tyre, siç bëjnë ballkanasit, që vetëm ankohen e kritikojnë, thoshte ai, por vepronte si një europian i hapur ndaj evolucionit e mendimit alternativ, prandaj përditë zgjohej me ide krijuese dhe me një dëshirë të mirë për vendin.
Për Rugovën, identiteti europian i shqiptarëve, nuk ishte punë përcaktimi, luksi e as zgjedhje, siç sillen tash e sa kohë me këtë ide mendjet e tona të cekëta politike. Ky identitet, për të ishte një ndjesi e thellë shpirtërore, mënyrë e të menduarit e të jetuarit, në të cilën temë, ngjashëm me Ismail Kadarenë, ishte i pakompromis e i palëkundshëm. Në fillimet e viteve të nëntëdhjeta, Rugova thoshte: “Duke qenë gjithmonë popull i proviniencës oksidentale me histori, me traditë dhe me kulturë, në kuadër të proceseve të reja integruese evropiane, shqiptarët dëshirojnë dhe kërkojnë të jenë të bashkuar në një proces të afrimit dhe të bashkëpunimit në Evropë, me të drejta për vetëvendosje.”
Rugova besonte në anën e bukur të njeriut, te kultura, te fjala, si arma e vetme që ka njeriu për t’ia ndalë hovin së keqes, dhe ishte i vetëdijshëm se, “nji veprimtari politike e cila nuk ndriçohet prej kulturës nuk asht tjetër veçse nji lojë kote, qi argëton ndoshta ata qe e lozin, por pengon ecjen e kombit mbi udhën fatale të historisë.” (Ernest Koliqi)
Për më tepër, ai besonte te letërsia dhe te mjetet e saj për ta bërë shoqërinë më humane, besonte te kultura, si mjeti ma fisnik në duart e njeriut për t’i harmanizuar sjelljet njerëzore. Ai besonte tek e mira, fliste për të dhe ishte i palëkundur në këtë besim: nuk e ndiqte dhunën me dhunë, as dhëmb për dhëmb, por me opsionin e mirësisë, duke pohuar vazhdimisht se opsioni i paqes është ide europiane.
Rugova, përpara se të bëhej udhëheqës politik e president, ishte lexues i letërsisë, i filozofisë dhe i historisë, krijues e studiues ngulmues, intelektual i përgjegjshëm dhe i ndërgjegjshëm për rolin dhe detyrat që ka në shoqëri. Me këto tipare që e shquanin, ai mbetet intelektual unik në historinë kulturore shqiptare, të tillë, ta zëmë çfarë e kërkonte Josef Brodskyt, kur thoshte se “intelektual është ai që krijon një sistem, ose një antisistem vlerash, dhe është i gatshëm të mbrojë atë me gjithçka.”
Gjatë jetës së tij krijuese, prej intelektuali e prijësi, ai krijoi një sistem vlerash, por edhe një antisistem ndaj helmit të gjuhës e strategjisë negative, duke i zhvilluar dhe mbrojtur me mençuri përgjatë gjithë punës publike. Ai veproi në përkim me mësimet se “e vetmja gjë që nevojitet për të triumfuar e keqja është që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë”; mendim ky që e përshkon në thellësi gjithë qytetërimin perëndimor, me të cilin ai e lidhte letërsinë, historinë dhe përcaktimin politik të popullit të tij.
Në fushën e letërsisë e të kulturës, Rugova ishte kërkues i thellë i evidencave dhe ngjarjeve më pozitive që e karakterizojnë identitetin tonë, ndaj me përpjekje të pareshtura bëhet njëfarë mënyre zbulues i fenomenet Pjetër Bogdanit, vepra e të cilit e magjepsi, për filozofinë e thellë dhe dijet shumëdimensionale që ngërthente, duke e konsideruar atë “një universitet i kulturës sonë, në kuptimin e përfshirjes së dijeve, ashtu siç e njohim sot universitetin si institucion shkencor e shkollor, që ka modelin në mesjetën europiane. Aty, në gjuhën tonë, i kemi fillet e shumë shkencave me të cilat merremi sot në nivel të kohës sonë.”
Për Rugovën historia nuk ishte një regjistër skematik i ngjarjeve, por një leksion me mësime universale, prej së cilës mësonte, si nxënës shembullor, duke i kthyer mësimet e saj në veprime të mira publike. Ai kërkonte vazhdimësinë, prandaj ishte për qëndrime “kreative ndaj traditës dhe ekzistencës sonë historike-kulturore, se sa më shumë dhe më mirë ta çmojmë këtë komponentë, edhe të tjerët do të na çmojnë e pranojnë më shumë.” Më këto koncepte, ai ishte modern, në kuptimin siç e mendonte modernitetin nobelisti Tomas S. Eliot, kur thoshte se “përgjigja konservative kundrejt modenritetit është përqafimi i tij, por një përqafim me vetëdije kritike, duke mos u shkëputë nga rrjedha dhe historia.”
Rugova kur fliste për letërsi i shpaloste pikëpamjet e tij pa hezitim, vlerësonte rezultatet letrare, duke kërkuar përherë ndryshime, por ndryshme pozitive dhe zhvillime të vazhdueshme. Ai fliste për shkrimtarët e kritikët e brezit të tij, duke vlerësuar aspektet esenciale letrare, karakteristikat tematike të kohës dhe të individualiteteve të spikatura, nxiste krijuesit e rinj, për më shumë kërkime e gjakime estetike e kulturore. Dhe kudo, shfaqte shpirtin e tolerancës, gjë të cilën ua këshillonte edhe kolegëve letrarë.
Në librin “Pushteti dhe intelektualët” 2024, ku janë përfshirë të gjitha intervistat e letërsisë që ai ka dhënë për mediat e shtypin e kohës, shohim portretin e krijuesit këmbëngulës, që këshillonte se letërsia jonë duhet ta ketë njeriun tonë në qendër, gjë të cilën e identifikon si mungesë – edhe në poezi edhe në prozë.
Ky qëndrim, tingëllon si një fishkëllim kritike, për kohën e tij, pse jo edhe për kohën tonë, dhe shërben si këshillë, që letërsia të mos zhytet në ujëra ideologjik, e të ngjyejë lapsin me bojë të kuqe ose të larme, për të krijuar njeriun e ri, herë të kuq e herë të larmë, pa kujtesë e pa histori.
Ai thoshte: “E meta e madhe e romanit tonë është se atij i mungon njeriu ynë të cilin duhet ta ketë në qendër të vet dhe pastaj të vështrohet nga shumë pika, e jo të ketë pikëpamje e njeri askund”, ose: “në letërsinë tonë, këtu, fort pak ndihet prania e njeriut. Pra, të marrë frymë njeriu ynë.” Prandaj ai është kundër bredhacakëve, të cilëve, asnjë letërsi nuk iu kushton rëndësi (çfarë janë te ne si “realistët”, “socialistët”, “modernistët”, “popullorët”, etj., që i thyejnë dhëmbët për këto e s’e dinë se ç’janë asnjëra).
Duke kritikuar të metat e letërsisë, ai mendonte se “nuk është koha e tejçmimit të talentit. Është koha e punës.”
Ai fliste kundër epigonizmit në letërsi, që nuk sjell kreativitet dhe nuk thotë asgjë, kurse poetët tanë i këshillonte të “lëshohen, me vetëdije, në aventurat krijuese, e të mos rrudhen para çështjeve reale artistike, pra t’ia çelin vetes frymën.” Më tej, ai kritikonte ashpër egocentrizmit në letërsi, shkaqet e së cilit sipas tij, lidhen me një elemente sociopatik, kurse “në planin individual, si element psikopatik, të atyre autorëve që duan dhe që realizmin e vet e shohin në shembjen e tjetrit. Këtë dukuri e përcjellin mjaft elemente të tjera, si privatizimi, xhelozia dhe ambiciet e sëmura, karrierizmi, liderizmi letrar e shoqëror, dëshira për të dominuar e që kryesisht lidhet me impotencën krijuese.”
Në të kundërtën, ai kërkonte dhe promovonte një komunikimi sa më të hapur dhe pa komplekse, letërsinë e mendonte si dialog, kurse letërsinë shqipe e mendonte një dhe unike. Duke folur për rrjedhat letrare asokohshme dhe karakteristikat më të dallueshme, ai thotë:
“Do veçuar”, thotë ai “novelën e Kadaresë “Viti i mbrapshtë”, të cilën këto ditë një kritik i “Le Mondit” të Parisit e quajti kryevepër dhe siç bëri edhe disa herë kritika frënge, autorin ua rekomandoi akademikëve të Nobelit, si njëri ndër shkrimtarët e sotëm më të mirë të Europës.”
Ndërkaq, thellësitë historike të mendimit letrar shqiptar ai i kërkonte te Barleti e Bogdani, pastaj te themeluesi i kritikës, Faik Konica e breznia e tij, gjithnjë në funksion të ngulmimit për gjetjen e vazhdimësisë si një parakusht për ripërtëritje të frytshme kulturore.
Rugova, pra, nuk ishte letrar e intelektual dosido, që sheston realitetin prej një rahatie krijuese, por me guxim, si luftëtar i vërtetë i kulturës çmitizonte propagandën serbe, ishte kundër intelektualit konformist, fliste kundër padrejtësisë që i bëhej kulturës autoktone shqiptare, dhe kërkonte që letërsia, pra arti, të nxiste të mirën, t’i korrigjonte disa sëmundje sociale, siç janë raportet e egra mes shqiptarëve dhe serbëve, ngaqë letërsia, “përmban në vete dhe realizon humanitetin në mënyrë më burimore, autoktone në raport me botën dhe njeriun.”
Pra, ai ishte një krijues në kuptimin më të lartë të fjalës. Prijës në fushën e dijeve letrare e shoqërore, duke aplikuar në Prishtinë frymën e munguar perëndimore, në etapa kur po bëheshin transformime historike, shpirtërore e politike, duke u bërë kështu tharmi i një kulture që po formësohej.
Njeriu që e nisi betejën e luftëtarit si poet, poet ëndërrimtar, e zhvilloi si studiues i madh dhe e përfundoi si arkitekt e krijues i shtetit të Kosovës.
Ndërkaq, 20 – vjet pas vdekjes së tij, trashëgimia e tij bëhet gjithnjë e më e dobishme, në fushën e letërsisë, të mendimit shoqëror e të angazhimit politik.
Krijuesi dhe intelektuali u bë udhëheqës atipik në një rajon të egër e të paqytetëruar politik, ku zjarrmia politike shpesh shkaktonte tragjedi njerëzore, ku mentaliteti i rrënimit ishte më i fortë se ai ndërtimit. Këtë mendësi, ai e përmbysi, duke i dhënë jetë idesë europiane, në kuptimin autentik e klasik të fjalës, prandaj, ai nuk u bë europian, për hir të ideve politike, siç u bënë shumë të tjerë; ai nuk ishte pro euripian, siç dekorohen sot politikanët mashtrues; ai ishte europian i klasit, në fushën e letërsisë e të politikës, duke i mishëruar këto dy fusha në domenin e Res Publicas, si një frymë, ku etika e estetika marrin dimension sublim.
Ai luftari që nuk do t’i lë delet pa bari, që përmenda në fillim të këtij teksti, na kujton shëmbëlltyrën e barit të mirë biblik, që nuk i la delet e tij në udhëkryqet e kohës, por kujdeset për to, për secilën, madje edhe për delen e humbur. Dhe vërtet letrari u përfshi me tërë qenien për t’i mbrojtur njerëzit e tij, kur ideologjia komuniste jepte shpirt e hegjemonia serbe kanoste shqiptaret me shfarosje. Intelektuali i ndikuar nga mentaliteti i Parisit dhe Europës, doli në ballë të lëvizjes politike të kohës, me opsionin e paqes, një ide europine, atipike për rajonin e egër ballkanik ku dominonte gjuha e urrejtjes dhe ndarjes. Kjo ide ka dhanë fryte të shumëfishta për shqiptarët e kudondodhur-fryte të panjohura në historinë e tyre shumëshekullore – por edhe për krejt rajonin.
Shkrimtari Ismail Kadare, duke shkruar rreth figurës së Rugovës, te parathënie a librit “Çështja e Kosovës” përveç se paraqet tiparet që e karakterizojnë Rugovën, ai e vendos atë në një lartësi ku nuk mbërrinin liderët e tjerë të Ballkanit: “…Ajo që kapet edhe më qartë prej këtij libri është se sa larg dhe sa lart qëndron ky lider shqiptar në krahasim me gjithë liderët e tjerë që e kanë kthyer sot Ballkanin në log të tërbimit e të zisë.”
Rugova jetoi dhe punoi i ndërgjegjshëm se intelektualët “…duhet të ndikojnë në mjetet dhe vendimet politike, të përpiqen për mirëkuptim brenda kombit dhe me kombe tjera, të mos nxisin të keqen njerëzore, çfarë shpesh për interesa të verbëta e bën pushteti, siç na mëson historia.” Këtë e mision, ai e kreu me devocion, deri në fund të jetës së tij tokësore, duke lënë pas vete një vepër të madhe, me mësime autoktone e universale: sesi duhet të flasë, të punojë e të sillet një intelektual e udhëheqës, në kohë krizash e kohë paqe. Kështu, mësimet e tij nuk vjetrohen, sepse janë mësime të paqes, të krijimit, të zhvillimit e të solidaritetit, dhe si të tilla, lidhen me amshueshmërinë e vlerave njerëzore, për çka ai ka kontribuar si askush në Ballkan.
“Unë kam një filozofi”, thoshte Rugova, “më pëlqen shume që të krijoj lidhje, miqësi, ndryshe nga të tjerët këtu në Ballkan, që vetëm akuzojnë.”
Ç’mësim i bukur për jetë e mote!
(Kumtesë e lexuar në Institutin Albanologjik, në tryezën shkencore, “Ibrahim Rugova, mendimtari dhe prijësi, më 24 mars 2026)






