Ngjashëm si Pjetër Bogdani që përfaqësonte ndërthurjen e misionit fetar dhe atdhetar, edhe Ibrahim Rugova gjithë kauzën e tij e ndërtoi duke e gërshetuar kulturën dhe rezistencën politike në funksion të shtendërtimit të Kosovës.
Modeli që përfaqësoi Rugova ishte për nga karakteri bogdanian, kurse për nga largpamësia i ngjante një “çete profetësh” që vazhdon të na frymëzojë me urti, vizion dhe unitet brenda dallimeve
Nga Skender Asani
Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, në bashkëpunim me redaksinë e revistës “Drita” (organ i Ipeshkvisë së Kosovës) për tre vjet me radhë, organizon manifestimin kuluror-shkencor “Ditët e Bogdanit”, në nderim të figurës së ndritur të historisë kombëtare, Pjetër Bogdani, kjo edhe për faktin se veprimtaria atdhetare e fetare e Bogdanit ishte e lidhur me Shkupin, prej ku filloi edhe përpjekjet e tija çlrimtare në fund te shekullit te 17. Prandaj jorastësisht ky manifestim fillon më 5 dhjetor në Shkup, dhe përfundon më 6 dhjetor në Prishtinë, një datë kjo që përkon me 6 dhjetorin e viti 2019 kur Imzot Pjeter Bogdani, simbolikisht u rivarros ne Kripten e Katedrales “Shën Nene Tereza” në Prishtine.
“Ditët e Bogdanit” organizohen për të sensibilizuar vëmendjen publike ndaj çështjeve e temave që ndërlidhen me veprimtarinë atdhetare, kulturore e teologjike të Pjetër Bogdanit, jo vetëm në kohën kur ai jetoi e veproi, por edhe në periudhat e mëvonshme kohore. Kjo ka qenë edhe arsyeja që ne për çdo vit organizojmë edhe nga një tryezë shkencore që si lajtmotiv ka një figurë emblematike e dimensionit gjithëkombëtar, kontributi i të cilit i tejkalon kufijtë e kohës dhe hapësirës ku vepron ajo figurë. Nisur nga ky parim, vitin e kaluar, me pjesëmarrjen e disa studiuesve nga Tirana, Prshtina e Shkupi, e trajtuam figurën e Imzot Lazër Mjedës, Arqipeshkëv i Shkupit nga viti 1909 deri në vitin 1921, kontributi i të cilit ishte kolosal në ruajtjen e qenies shqiptare nga furtunat shkombëtarizuese që po i sillnin pushtuesit e huaj. Për rrjedhojë, revista ‘Scupi’, që posa ka dalur nga shtypi, në numrin e fundit kushtohet kryesisht Imzot Lazër Mjedës, me punimet shkencore të studiuesve tanë të prezentuara në tryezën shkencore të vitit të kaluar.
Sivjet “Ditët e Bogdanit” kanë në fokus një temë tjetër, që ndërlidhet me një personalitet të rëndësisisë së veçant për historinë e shtetndërtimti të Kosovës dhe kontributin madhor në çështjet kulturore e letrare. “Personaliteti Ibrahim Rugovës – nga studiuesi i letërsisë te burrshtetasi vizionar”, quhet tryeza e sivjetme shkencore, që i kushtohet kryesisht liderit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës dhe ndikimit të tij në mendimin dhe veprimin politik modern tek ne.
Rugova promovoi filozofinë e rezistencës jo të dhunshme dhe dialogun ndërkombëtar për çështjen e Kosovës. Ai kontribuoi në njohjen ndërkombëtare të Kosovës dhe krijimin e institucioneve të para të saj.
Në veprimtarinë e tij shkencore-letrare, Rugova shquhet me vepra që studimeve letrare te ne iu ka dhënë një dinamikë të avancuar. Duke e trajtuar letërsinë si hallëkën më të fuqishme në ndërgjegjësimin kombëtar e politik, Rugova një kohë të gjatë u mor me studimin e figures së Pjetër Bogdanit. Ai e trajton Bogdanin jo vetëm si shkrimtar të shquar, por edhe si figurë themelore në ndërtimin e identitetit kulturor dhe kombëtar shqiptar. Në studimet e tij, Rugova e ka vlerësuar Pjetër Bogdanin (1625–1689) si autorin e parë që krijoi një vepër monumentale në gjuhën shqipe, “Çeta e Profetëve” (1685). Ai e konsideroi këtë vepër si një pikënisje themelore për letërsinë shqipe, jo vetëm për përmbajtjen fetare dhe filozofike, por edhe për rëndësinë kulturore që ajo pati në ndërtimin e një tradite letrare kombëtare. Rugova e përshkruan Bogdanin si një figurë që ndërthur elementet e religjionit, filozofisë dhe artit, duke krijuar një model të letërsisë që bashkonte universalizmin evropian me identitetin shqiptar, sidomos me rolin që luajti si formues i ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve, si udhëheqës i kryengritjes çlirimtare të vitit 1689 dhe pararendës i hershëm i lëvizjes së rilindjes kombëtare.
Në veprën e tij historiko-letrare, Rugova analizoi aspektet estetike dhe filozofike të “Çetës së Profetëve” si dhe gërshetimin e ideve fetare dhe filozofike Vepra e Bogdanit është një përpjekje e Rugovës për të përçuar vlera universale, por gjithashtu përmban një reflektim mbi historinë dhe kulturën e kohës.
Përpos dimensionit filozofik e telogjik, Rugova në veprën e Bogdanit gjeti dhe një pejsazh të pasur gjuhësor cili e afirmoi identitetin kombëtar shqiptar në kohë më të errëta nëpër të cilat po kalonte populli shqiptar.
Ibrahim Rugova e sheh Bogdanin si një model intelektuali dhe lideri të rezistencës kulturore. Në frymën e Bogdanit, Rugova gjeti një lidhje mes krijimtarisë letrare dhe përpjekjeve për ruajtjen e identitetit kombëtar. Kjo është e dukshme në mënyrën se si ai vetë e përdori kulturën dhe letërsinë si mjete rezistence ndaj represionit serb.
Në studimin e tij Rugova insistoi që figura e Bogdanit të njihej dhe të vlerësohej më gjerësisht si një simbol i hershëm i identitetit kulturor shqiptar. Ai kontribuoi në nxjerrjen në pah të rëndësisë së Bogdanit për të treguar kontinuitetin e përpjekjeve për afirmimin kombëtar, kurse studimin dhe promovimin e figurave si Bogdani e shihte si pjesë të projektit të tij më të gjerë për të integruar kulturën shqiptare në traditën europiane.
Ngjashëm si Pjetër Bogdani që përfaqësonte ndërthurjen e misionit fetar dhe atdhetar, edhe Ibrahim Rugova gjithë kauzën e tij e ndërtoi duke e gërshetuar kulturën dhe rezistencën politike në funksion të shtendërtimit të Kosovës.
Modeli që përfaqësoi Rugova ishte për nga karakteri bogdanian, kurse për nga largapamësia i ngjante një “çete profetësh” që vazhdon të na frymëzojë me urti, vizion dhe unitet brenda dallimeve. Ky pra ishte Rugova….
(Fjalë e mbajtur në Prishtinë në kuadër të “Ditëve të Bogdanit”, 6 dhjetor 2024)
ObserverKult
Lexo edhe: