
(Tregim i shkurtër nga Eduardo Galeano)
“Na ishte një herë, në një qytezë province, një grup njerëzish që dëfrenin duke qesëndisur “Idiotin” e lagjes së tyre; një burrë të ngratë dhe mendjelehtë, i cili e mbante frymën gjallë me punë të vogla e duke lypur. Përditë e shpotisnin si “Idiot” në barin e qytezës, ku i jepnin të zgjidhte midis dy kartëmonedhash: një të madhe syresh, me vlerë njëqind pesos, dhe një të vogël, me vlerë pesëqind pesos. I gjori përherë zgjidhte më të madhen në përmasa, domethënë më pak të vlefshmen në vlerë monetare, prandaj të gjithë gajaseshin rrjedhimisht. Një ditë prej ditësh, dikush i pranishëm në këtë qesëndi të përditshme, i tronditur, priti që të tjerët mos ta kishin mendjen, gjersa e mori veçmas lypsarin e ngratë, për t’i shpjeguar se kartëmonedha me përmasa më të mëdhaja, vlente më pak…
– E di fare mirë këtë gjë, – ia ktheu lypsari, – ajo vlen pesëfish më pak. Megjithatë, ditën kur do të zgjidhja tjetrën, kjo lojë do të përfundonte, e nuk do të fitoja më monedhën time.
Ky tregim mund të mbaronte me kaq, si një rrëfenjë e këndshme, si diçka komike, mbase. Megithatë, mund të nxirren edhe disa përfundime prej saj:
I pari, që ‘kush shtiret si idiot, jo gjithmonë është i tillë vërtet’.
I dyti, që ‘kush ishin mirëfilli idiotët në këtë rast?’
I treti, që ‘një ambicie e tepërt, të bën të pangopur dhe të lë pa bukë nganjëherë’.
Gjithsesi, përfundimi më i rëndësishëm është se ‘mund t’ia kalojmë shumë mirë në jetë pa e vrarë mendjen se çfarë mendojnë të tjerët për ne’. Po ashtu se ‘me raste njeriu vërtet i zgjuar është ai që shtiret si idiot kundruall një idioti që pandeh se është i mençur'”.
Përzgjodhi e përktheu nga spanjishtja: Elvi Sidheri
ObserverKult
Lexo edhe:
Pyetësori i Prustit/Elvi Sidheri: Jetoni, sepse koha nuk kthehet mbrapsht!





