Igballe Hoti Krasniqi: Nata e dantellave

Nata e dantellave

sonte
qielli dantellë e qëndisur me yje
është nata e profetëve të dashuruar
që në muajin e mjaltit
drejtë diellit të fshehtë
po nisën
mëngjeset
për t’i ndalu

Rekuiem

Do t‘ju këndoj atyre që u dashuruan
e në altarë u braktisën,
rekuiem do t‘ju këndoj
edhe kujtimeve të djegura shkrum,
në luftën e fundit,
rekuiem do t’ju këndoj
në fund të luftës
mosmirënjohësve
që të mirat me një thes i futën
dhe në deponinë e harresës i çuan,
e më pas pendueshëm vajtuan…
rekuiem do t’ju këndoj edhe maleve ,
që më shekuj
mëkatet fshehën,
e me errësirë i mbuluan,
rekuem do t’ju këndoj
edhe spektatorëve
që ovacione të rrejshme dhuruan.
e të dashurat prapa perdeve i braktisën..
rekuiem do t’ju këndoj,
poetëve që vdiqën e lindën
përsëri

Le të takohemi pas shiut

 le të takohemi pas hanës
atje ku rri i fshehur Zoti
dhe poezi lexon
të takohemi pas diellit
atje lartë në majën e Olimpit
të ngjitemi
e dhimbjen
malit t’ia hedhim
apo më mirë
le të takohemi pas shiut
ku takohen ngjyrat e ylberit
dhe gjithçka nag e para
të nisim

ObserverKult