Camaj apo Lasgushi: Cila nga këto dy poezi për dimrin ju shijon më shumë?

dimri

Ky asht dimni ynë, e Mira dhe Dimri. ObserverKult ju sjell dy poezi nga dy të mëdhenjtë tanë: Martin Camaj e Lasgush Poradeci. Të dyja flasin për dimrin si stinë e përjetuar së jashtmi e së brendshmi.
Që të dyja kanë vlerat e tyre të padiskutueshme, por kjo nuk do të thotë që njëra apo tjetra t’mos u shijoj më shumë…Atëherë, cila?

KY ASHT DIMNI YNË, E MIRA
M. Camaj


Dhija e egër la alpet
dhe u ul në luginë për dy kafshata bár
e gjet krizantemat në borë.

Ky âsht dimni ynë, e Mira.

Flaka në kaminin e vjetër skuq fletët
e bardha të kartës së panjollë:
të gjitha sendet, të bardha, shkojnë
e vijnë tue u sjellë në nji karosel
të bardhë dhe blerimi i trupit tand
mban pezull deshirat e linduna
në avullin e florës mes xhamave.

Ky âsht dimën i gjatë, e Mira.

Gjuetari tremb dhinë e egër
dhe krizantemat mbulohen me velin
e borës së re, e Mira,
si gacat e mbrame të votrës
me hijen e duerve t’ûnshme për ngrohje.

DIMËR
Lasgush Poradeci


Shpirti im që sot u mbyll
Dhe gëzimin m’a përzuri.
Nëpër mal e nëpër pyll
Zu dëbora prej qëkuri.

Bjenë flokët një-nga-një
Mbi katundin e shkretuar.
Duke mardhur nënë të
Dheri fjet e ri mbuluar.

Flet nga-dal e shpirti im,
Dhe në zi pikoj si fleta,
Pa më qit as pipëlim
Tërë fili, tërë jeta.

Në kaq heshtje-e qetësi
Ndjej vajtimthin e një shpesi:
Psherëtin me zë të ti
Jet’ e trembur se mos vdesi…

ObserverKult

Kliko edhe:

PANDI LAÇO: SERENATË DIMRI

ALEKSANDËR GJOKA: DITË DIMRI (TEKSTI DHE KËNGA)

HYGO: QESHJA ËSHTË SHKËLQIM DIELLI. AJO E HEQ DIMRIN NGA FYTYRA E NJERIUT!

DINO BUZZATI: DO TË DOJA QË TI TË VIJE TEK UNË NJË MBRËMJE DIMRI

GËRMIA NË NJË DITË DIMRI…(VIDEO)