“Ikja e parakohshme e Enea Zhegut, boshllëk i jashtëzakonshëm për artin”

Prefekti i Tiranës, Afrim Qëndro zhvilloi homazhe në nderim të aktorit të njohur të kinematografisë shqiptare Enea Zhegu, i cili ndërroi jetë ditë më parë në moshën 57-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë.

“Homazh për Enea Zhegun, aktorin që shkëlqeu në kinematografinë shqiptare prej kur ishte fëmijë dhe vazhdimisht më pas në çdo rol tjetër që ka pasur.

Është një ikje e parakohshme e që le një boshllëk të jashtëzakonshëm në familjen e tij, por dhe për artin në tërësi. Fizikisht s’ka për të qenë më mes nesh, por për aq shumë sa na ka dhënë përmes interpretimeve të tij kurrsesi nuk ka për t’u harruar.

Personazhi i Tomkës te filmi “Tomka dhe shokët e tij” që ai e luajti aq mjeshtërisht, mbetet emblematik për gjenerata e gjenerata të tëra. Vetëm përmes këtij roli aktori ynë i madh dhe miku i të gjithëve, Enea Zhegu, do të kujtohet në jetë të jetëve.

Ngushëllime familjes së tij dhe kurajo për të jetuar këtej e tutje me kujtimet më të bukura të njeriut tuaj të shtrenjtë”, shprehet Qëndro në mesazhin e tij.

Aktori Enea Zhegu e filloi veprimtarinë e tij në filmin shqiptar që në moshë 12-vjeçare, duke u angazhuar nga regjisori i mirënjohur Dhimitër Anagnosti, për të interpretuar në filmin “Lulëkuqet mbi mure” në vitin 1976, ku interpretoi me shumë sukses rolin e Lelos.

Një vit më pas, 1977 spikati me rolin e Zigurit në filmin “Njeriu me top” dhe veçanërisht shkëlqeu me atë të Tomkës në “Tomka dhe shokët e tij”, rol i cili e bëri të njohur dhe e identifikonte tek artdashësit./ATSH


Lexo edhe:

“DYSHOJE SA I MADH ISHE, TA MORËN VENDIN TË PAAFTËT ‘TOMKA IM’”, FREDERIK NDOCI NA EMOCIONON ME BISEDAT ME ENEA ZHEGUN

ObserverKult