Ikona e muzikës greke këndon në shqip “25 gërshetat” (Video)

Këngëtarja e mirënjohur e muzikës greke, Glikeria, ka surprizuar publikun në Greqi duke kënduar një nga perlat e muzikës popullore shqiptare “25 gërsheta”. Ajo ka interpretuar së bashku me artistin shqiptar Dasho Kurti në shoun muzikor “Spiti me to Mega” (Në shtëpi me Mega) në televizion MEGA Channel.

“Kjo këngë është një ripërpunim nga Dasho Kurti, shqiptar me shtetësi edhe greke, i mrekullueshëm në akordeon dhe fizarmonikë. Unë, për herë të parë, do përpiqem të përcjell një fragment në gjuhën shqipe nga i madhi Dasho Kurti”, thotë përpara interpretimit këngëtarja e mirënjohur greke, transmeton ‘diasporashqiptare.al’.

Glikeria është një nga këngëtaret më të rëndësishme të pentagramit bashkëkohor grek, me qindra suksese e një karrierë shumëvjeçare me kompozitorët më të njohur të vendit, si Mikis Theodhorakis, Apostolos Kaldharas, Christos Nikolopulos e shumë të tjerë.