Ikona Shën Athanasi i Madh dhe Shën Nikolla punuar nga Tërpo Zografi në 1796

Ikona Shën Athanasi i Madh dhe Shën Nikolla, e cila daton në fund të shek. XVIII, ka qenë pjesë e kishës së Pojanit në Korçë dhe është punuar me metodën tempera në dru pikërisht nga Tërpo Zografi djali i Konstandin Zografit nga Korça i cili përveç ikonografisë ushtronte dhe profesionin e priftit.
Muzeu i Artit Mesjetar Korçë bën të ditur se të dy shenjtorët paraqiten të veshur me veshje liturgjike të pasura me dekore të shumta. Mbi stiharin kanë veshur petrahilët dhe epigonatët e për mbi to kanë hedhur sakon me hemaforët.
Epigonatët janë të dekoruara me krizantema shumëngjyrshe dhe në dorën e majtë mbajnë Ungjillin e Shenjtë. Shën Athanasi i Aleksandrisë ishte një teolog i krishterë, një atë i kishës dhe mbrojtësi i Trinitarizmit kundër Arianizmit, ndërkohë që Shën Nikolla është një shenjtor i krishterë i shek. IV, i cili jetonte në Azinë e Vogël.
Të dy ata ishin bashkëkohës dhe u takuan në Sinodin e parë të Nikesë në vitin 325. Ata ndanë të njëjtin qëndrim kundër arianizmit dhe kjo ndoshta është arsyeja pse ata janë pikturuar bashkë në ikonë.Në fund të ikonës shohim datën e realizimit të saj 3 dhjetor 1796./ATSH