(Ni ese i vogël për ni art të madh)
Nga Halil Matoshi
1.
Tom & Jerry janë heronjtë tanë të përjetshëm, me të cilët fëmijtë e gjysmës së dytë të shekullit 20 e kanë bâ vajin dhe gazin e parë dhe tashma miliona nga ta kanë ikë nga kjo botë.
Në skenën e luftës që “Klauzevitzi” i animacionit e shfaqte sy botës, (që nga viti 1940) askush nuk vdes, se luftarët bien e çohen deri në sfidën e re, por madje edhe mas artilerisë së rânë, vjen armëpushimi, idila e pajtimit, prap acarimi, intriga, kurthi e megjithatë, ajo arenë reflekton lojë & dashtuni!?
Sepse, drama gjithnjë ka një shthurje çehoviane: Lotë e heqamë, por para se me ra perdja, të gjithë luftarët mbesin gjallë!?
2.
Jemi rritë me Tom & Jerry, që kur baba, në vitet ‘70 bleu ni televizor të markës sllovene ‘Gorenje’ bardh-zi, “me llama” që thojshim dhe që për dreq, prishej zakonisht në prag të Vitit të Ri!?
Geine Deitch me lojë e ka laku realitetin, kur maca e shpisë nuk âsht gjithmonë e zellshme në detyrë dhe Jerry nuk âsht gjithnjë ai tipi i bezdisshëm që na i ngrit nervat, por dytë janë thjesht lojtarë, që në ‘cartoon’ na kënaqin me dromcat e tyne komike pa na detyru që të ndërhyjmë, për t’i ndjekur nga dhoma jonë!?
3.
Nga krijuesi i dashtunisë dhe urrejtjës eternale, përmes dy personazheve emblematik të shekullit 20, dhe i përballjës me luftën e ashpër për hapësirë, qoftë në glob apo në vrimat e djathit, Geine Deitch, kam mësu se jo gjithmonë mbretnon ligji i të fortit dhe jo gjithmonë fiton i madhi, në këtë botë jo gjithnjë dashamirëse!?
Theatri i tij, tu e shfaqë me vija, realitetin, në “cartoon”, e çuditshme, ka shkaktu të qeshuna vend ankthit dhe empati edhe për “personazhet negative”, duke e shfaqë transformimin e botës sonë nga mik-anmik, nga ajo bota moniste bardh-zi, në atë të pluralitetit të ngjyrave, sikur televizorët tanë të viteve ‘70 krahasu me ‘plazmat’ e dekadës së dytë të shekullit 21.
4.
Do të vazhdojmë të shtrihemi në kanape e të qeshim me dy musteqokët tu, hokatar, Maestro, pa i dhânë tagër as politikës as religjionit dhe as “të gjelbërtëve” dhe shoqatave që mbrojnē kafshët, e performojnë me peliqe, veshë e mâthë me lëkurat e ‘wildworld’, asaj të vërtetës!?/ ObserverKult