“Iku Kujtim Alija, zbuluesi i talenteve të rinj”

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të dirigjentit të njohur, Kujtim Alija, “Mjeshtër i Madh”. Ruçi shkruan se iku emblema e festivalit dhe e këngëve të fëmijëve.

“Dirigjenti virtuoz, mjeshtri Kujtim Aliaj, për tre dekada ka drejtuar Festivalin Kombëtar të Këngës për Fëmijë. Gëzimi dhe emocionet e këngëve të fëmijëve dhe melodia e zërave të tyre na janë përcjellë dhe i kemi dëgjuar e përjetuar nëpërmjet talentit dhe virtuozitetit të mjeshtrit Kujtim Aliaj. Ky artist i madh u bë emblema e festivalit të fëmijëve dhe e këngëve fëminore. Prej festivaleve të drejtuara prej tij u zbuluan dhjetra talente të cilët kontribuan në këngën, muzikën dhe artin shqiptar. Shkodra dhe Shqipëria do t’i jenë përjetësisht mirënjohës këtij artisti e mjeshtri të madh.”, shkruan Ruçi.

Presidenti Ilir Meta ka reaguar me një mesazh ngushëllimi, pas ndarjes nga jeta të Mjeshtrit të Madh Kujtim Alija, ndërsa thotë se humbja e tij, lë pas shumë dhimbje. Për Metën, Alija ishte personalitet i shquar i muzikës shqiptare, shembull i intelektualit dhe qytetar model i Shkodrës.

“I trishtë lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta të artistit të mirënjohur shkodran, Mjeshtrit të Madh Kujtim Alija, simbolit të Festivaleve të Këngës për Fëmijë.

Personalitet i shquar i muzikës shqiptare, dirigjent virtuoz, edukator energjik dhe mësues i palodhur i shumë gjeneratave me vlerat e artit dhe kulturës kombëtare, zbulues i talenteve të rralla që do shkëlqenin në skenat vendase dhe botërore, shembull i intelektualit dhe qytetar model të Shkodrës, humbja e tij le pas shumë dhembje.

Ngushëllime familjes, komunitetit të dashur shkodran, artistëve dhe bashkëpunëtorëve të shumtë. Të prehet në paqen e merituar!”, shkruan Meta.

LEXO EDHE: Homazhe për ‘Mjeshtrin e Madh’ të Shkodrës, qytetarët e përcjellin në banesën e fundit Kujtim Alijan