Balerini dhe koreografi shqiptar, Ilir Kerni, është emëruar drejtor i Baletit në Teatrin Kombëtar të Splitit të Kroacisë me një kontratë deri në vitin 2023.
Ndër personat e parë që e kanë uruar ka qenë sopranoja shqiptare me famë botërore, Ermonela Jaho.
Marrë shkas edhe nga shkarkimi i tij si drejtor i teatrit të Operas dhe Baletit të Tiranës dy vjet më parë, Jaho komplimenton kroatët për largpamësinë dhe vlerësimin ndaj një vlere artistike kombëtare shqiptare.
“Urime Ilir Kerni për emërimin e merituar si Drejtor i Baletit në Teatrin Kombëtar të Splitit (2019-2023) dhe komplimenta kroatëve për largpamësinë dhe vlerësimin ndaj një vlere artistike kombëtare shqiptare si ju…”, ka shkruar Jaho.
Shkarkimi i Kernit dy vjet më parë nga Këshilli i Ministrave erdhi pasi ai më parë kishte paraqitur dorëheqjen i zhgënjyer që kishte besuar në premtimet e mëhershme të Qeverisë së Edi Ramës për politikat e artit.