Jo fort e kuptueshme kjo pranverë e njëzetës
Me rregulla t’rrepta, masa, shtrëngim
Dhe bota shprehet, thërret, nuk ndalet
Me të vetmen fjalë: vet izolim!
S’ka akullore në cep të sheshit
As s’ka lypsarë në trotuar
Ka veç policë me goje t’mbyllura
Një gjendje e trishtë dhe e pangjarë.
Dhe humb shikimi përtej së dukshmes
I pafuqishmi mendim, humbak,
Një ambulancë merr kthesën fort
Para një lajmi që vjen pas pak…
Perde lëshuar, heshtim të ndrojtur
Të armatosur veç me durim
Dhe as kujtimi nuk vjen i shkoqur
Siç pas harrimit një përqafim!
Hapet kosishta mbi flokë të thinjur
Dhe numrat rritën ditë e përditë
Çfarë është ky djall, tinëzar, i frikshëm
Që vjen papritur e na kositë?
Kush i dha leje të niset globit
Me hyrje-dalje pa pasaportë?
Apo, gjithçka s’është n’dorë të Zotit,
As n’dorë të shkencës qëkur u mposhtë.
Plot 70-vjet ajo u tkurr
Brram…, në një qoshe, ia shthurën fijet
Dhe për pasojë i ngritën armët
Që të luftojnë, t’i pushtojnë yjet.
S’dimë ku ta hedhim peshën e fajit
Sa larg e lart të hedhim gurë
Ka pasur të zeza e vite të mbrapshta
Por koha e tyre nuk ka qenë kurrë.
Teksa të betuarit e Hipokratit
Kësaj batërdie po i rrinë në ballë
Me mund Sizifi, të pa dorëzueshëm,
Engjëj, heronj i kemi shpallë!
Kush do e zbuloi një ditë të re
Që jetët tona, kot t’mos mërgojnë
Nëse e nesërmja shthurur do ngryset
Zogjtë zoologë do të na gërmojnë…
Këndej të vetmit ata do mbesin
Ato që i bëmë keq, shpejt do t’i prishin
Në degë ullinjsh do të ligjërojnë:
Njerëzit e Planetit të paditur ishin…
Dhe dikur lodhëm, paksa dremitëm
Qetësisht qepallat ngadalë i mbyll
Ca ëndrra e zhgjëndrra bashkë lebetiten
Për kartëmortoret, që rrinë në shtyllë.
Kjo pikë e zezë nën hark të hënës
Si bebëza e syrit nën qerpik
Është shenjë e vlefshme për hatër t’këngës
Për hatër të ëndrrës me pak muzikë.
Kur t’i bëjmë bashkë këto vitet tona
Do të na mungojë e bukura stinë
Së kush na mori, se kush na e treti
Do na e tregoi një Doruntinë…?
E koha ecën…, e jeta rrjedh…
Ditë pranverore, të tjera vijnë
Si para lajm, n’mes të universit
Dy akullore në buzë na shkrijnë!