Ilire Zajmi: Ata që kanë guxim të ëndërrojnë, arrijnë larg

ilire zajmi

Flasim përhanshëm me shkrimtaren Ilire Zajmi.

Nga: Xhemazije Rizvani

_____________________________

Në zbulim të unit si një person që ka energji të pashtershme, altruiste, komunikative, modeste deri në përunjësi.

Rob i fjalës dhe ambicies që nga zanafilla. Shpirt i lirë, që beson se vetëm ata që kanë guximin të ëndërrojnë, arrijnë larg.         

Kush të bën madhështore?

Karakteri luftarak që nuk më lë në baltë asnjëherë, parimet të cilat i mbroj me çdo kusht, e më ka ndodhur të paguaj për to çmim të lartë deri në sakrificë. Modestia, që fatkeqësisht, jo rrallë konsiderohet si dobësi dhe sfidat që i vendos vetes.           

Përse na duhet dashuria?

Ka miliona arsye për të treguar përse na duhet dashuria. Na duhet për shumëçka, por unë besoj se dy janë arsyet më të fuqishme: për të shpëtuar nga vetmia dhe për të jetuar përtej vdekjes.   

Ç’ka skandaloze bota?

Botën e shoh të mbushur me skandale. Injorancën e pakufishme, padrejtësitë, egoizmin, varfërinë dhe dhunën.  

Po turmat, ç’kanë të frikshme?

Kanë shumë gjëra të frikshme. Fuqinë e manipulimit dhe frymën që karakterizohet nga ndjenjat e jo nga mendimet. Në turmë njeriu shndërrohet në kafshë, dhe instinktet e tij primitive e bëjnë identik me ata që ndajnë të njëjtën përvojë. Humbja e arsyes është frika më e madhe.

Sigmund Frojd e ka cilësuar turmën si “tepër të sugjestionueshme dhe të padjallëzuar, pasi ajo beson me lehtësi dhe është e zhveshur nga shpirti kritik.”

A do të kishit mundur te jetonit pa poezi?

Nuk do ta njihja si jetë timen, gjallimin pa poezi.  

Cila është prova më e madhe se ekzistoni?

Besoj thellë se prova më e madhe e ekzistencës sime është shkrimi.

Shkrimet dëshmojnë se jam dhe ekzistoj. Janë antidot i helmit kundër pluhurit të harresës.     

Si duket parajsa e mohuar mbi dhe?

Parajsën mbi dhe e imagjinoj në formë të një biblioteke gjigante, ku të pasionuarit pas leximit përhumben mes rafteve të stisura me libra. Me njerëz të cilët e duan artin, librat dhe magjinë e jetës.   

Njerëz që dashurojnë fort dhe falin shumë.   

Pa cilët poetë shqiptarë nuk mund ta mendoni letërsinë?

Ka shumë poetë pa të cilët letërsia shqipe do të ishte shumë e varfër.  Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Lasgush Poradeci, Migjeni, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Frederik Rreshpja, Bardhyl Londo, Visar Zhiti, Luljeta Leshanaku, Mimoza Ahmeti, Azem Shkreli, Ali Podrimja etj., janë vetëm disa nga ata pa të cilët nuk mund ta paramendoj letërsinë shqipe.      

Cili libër ka lënë gjurmë në jetën tuaj?

Ka shumë libra që kanë lënë gjurmë të pashlyera në formimin tim letrar e jetësor. Komedia hyjnore e Dante Aligierit, pa dyshim që është njëri nga librat që lë gjurmë të thella në jetë. Përtej imagjinatës së Dantes te Komedia hyjnore, nëntë radhët e Ferrit të rastis t’i kalosh jo rrallë edhe në jetën reale.         

Për çfarë më së shumëti jeni përgjëruar në jetë?

Përgjërohem për të qenë vetvetja deri në frymën e fundit. Përgjërohem të mos heq dorë kurrë nga gjërat që dua, të kem fuqi, motiv e vullnet të bëj gjërat që më pëlqejnë, si dhe për shëndetin e njerëzve të dashur që më rrethojnë. 

Çfarë është e vrazhdë në Kosovën e lirë?

Lehtësia e padurueshme e një klase politike të papërgjegjshme, liria e mohuar që pikon gjak e plagë, mjegullnaja që mbulon kaltërsinë e qiellit nga ndotja e ajrit, frika nga një e ardhme e paqartë dhe çmimi i lirë i një jete njeriu.  

Ç’do të thotë guxim për ty?

Të mos frikësohesh nga mendimet e tua, t’i shprehësh ato publikisht, të ndjekësh shtegun në të cilin rrallë shkohet, t’i kundërvihesh tërë botës kryeneçe për të mbrojtur parimet e tua, të ballafaqohesh me vetveten në pasqyrë e t’ia numërosh të gjitha sukseset e dështimet.  

Përse dhuna ndaj gruas është kaq prezente në botën shqiptare?

Dhuna ndaj gruas si dukuri është shumë e pranishme në çdo vend të botës. Mirëpo, është vërejtur si një fenomen në rritje në botën shqiptare, sidomos viteve të fundit. Sigurisht, mund të numërojmë me qindra arsye pse ndodh kjo, mirëpo asnjëra nuk e justifikon vrasjen e grave e vajzave. Unë besoj se kjo ndodh pasi mbizotëron ende një mendësi partriarkale, ku gruaja akoma trajtohet si pronë e burrit dhe zëri i saj nuk dëgjohet. 

Një problem tjetër madhor është sistemi i drejtësisë, i cili nuk i shqipton dënime kapitale për fajtorët, nuk mbron viktimat e dhunës sa herë ato denoncojnë kërcënimet për vrasje, dhe ushtrimin e dhunës. Po të merreshin seriozisht organet e drejtësisë, gjyqësisë e të policisë me këto ankesa e denoncime, jam e bindur se do të shpëtoheshin jetë grash nga vdekjet e paralajmëruara. Dhuna ndaj grave duhet të shndërrohet në një alarm për shoqërinë, të reagojë sa nuk është bërë shumë vonë.        

Ç’ju mba të re?

Shpirti dhe dashuria e pafund për artin e poezisë.  

Ç‘ka të jashtëzakonshme një grua poete?

Guximin për të sfiduar veten dhe të tjerët me artin e fjalës si armën më të fortë për të luftuar kundër injorancës.   

Pa kë s’jeton dot?

Pa dashurinë dhe buzëqeshjen e Arbit e Andës, dy fëmijëve të mi.

Kur zemërohet më së shumëti Ilirja?

Zemërohem pa fund kur nuk arrij t’i përmbush objektivat që i caktoj vetes, kur humb shumë kohë në gjërat për të cilat mendoj se nuk ia ka vlejtur, kur dikush më gënjen pa iu trembur qerpiku, si dhe me smirëzinjtë që shtiren si miq.     

Cila është lutja jote më e madhe?

Zot na ruaj nga marrëzia!

Po ëndrrat a rrijnë bashkë me dhimbjet?

Ëndrrat dhe dhimbjet janë binjakë siamezë, jetojnë në një strehëz.  Asnjë ëndërr s’do të ishte e arritshme, as skajshmërisht e bukur pa shtërzime dhimbjesh. 

Kush je ti?

Një person të cilin po mundohem ta zbuloj qe pesë dekada. 

ObserverKult

Lexo edhe:

VISAR ZHITI: MË REVOLTON KUR NUK REVOLTOHEMI, MË TMERRON KUR NUK TMERROHEMI… 

XHABIR TABAKU: SHKODRA ÂSHT POEZI. LOÇKË ÂSHT…

LOER KUME: PRIVILEGJET T’I JEP FRIKA