Ilire Zajmi: Dashuria e shpëton botën nga vdekja dhe vetmia

ilire zajmi

Në rubrikën Personale, në ObserverKult, mysafir yni është poetjaIlire Zajmi

Si ndodhi takimi i parë me letërsinë?

-Takimi i parë me letërsinë ka ndodhur kur kam zbuluar magjinë e librave, në kohën e fëmijërisë së hershme. Librat e babait në bibliotekën e shtëpisë, karaktere që rrëfenin për bëmat e  jetës së tyre, më tërhoqën në atë mënyrë që s’më kishte joshur asgjë deri në atë moshë. Kështu, zbulova një tjetër univers, një botë magjike nga e cila s‘jam shqitur më kurrë. 

Kur ratë në “grackën” e saj?

-Ashtu si magjia që zbulova te leximi, e njëjta gjë më ndodhi edhe me shkrimin. U dashurova në letërsi, dhe kur fillova të shkruaj zbulova që ishte një gjë që më përfshinte të tërën, më pëlqente pamasë.

Botimi i poezive, tregimeve nëpër revistat e atëhershme si  “Shëndeti”, “Pioneri” pastaj  “Zëri”, “Kosovarja” , “Fjala” etj. më bëri të kuptoj se kisha rënë me të dy këmbët në dashuri me letërsinë, dhe s‘do të dilja kurrë më nga ajo kurth sa e lakmuar aq edhe tunduese për një vajzë të re që pretendonte të bëhej shkrimtare në të  ardhmen.

Kur nisët të ndiheshit shkrimtar?

-Me botimin e poezive, tregimeve, si dhe përkthimeve në revistat e gazetat e kohës, natyrisht se ndihesha ngapak shkrimtare. Nga ajo kohë më ka ngelur në kujtesë një moment interesant.

Duke idealizuar gjithçka që kishte të bëjë me botën e letërsisë e botimin, vendosa t’i dorëzoj personalisht disa përkthime e poezi të miat në njërën nga revistat që dilnin asokohe në kuadër të “Rilindjes”.

Kur në zyret e redaksisë në Pallatin e Shtypit në Prishtinë, u prezantova te redaktori dhe i dorëzova punimet e mia, ai më shikoi me habi të papërmbajtur e mosbesim. Më kishte paramenduar më të vjetër në moshë. I dukej e pamundur që unë isha Ilire Zajmi. 

Pas asaj vizite në redaksi, ai redaktor, nuk i botoi shkrimet e mia edhe pse vazhdoja t’i dërgoj në adresë të redaksisë, derisa u bind që unë isha autorja e vërtetë e atyre shkrimeve. 

Mirëpo me botimin e librit tim të parë, përmbledhjes me poezi në vitin 1991, në një moshë të njomë, kur sapo kisha nisur studimet për drejtësi, e dyert e Universitetit të Prishtinës u mbyllën për studentet shqiptarë, mua më ngjasoi se vetëm e vulosa fatin tim për atë që doja të bëja në jetë. S ‘kisha më asnjë dilemë.

A  ja keni shtruar ende atë pyetjen shumëdimensionale vetes “Pse shkruaj”?

-Është një pyetje që ia bëj vetes shpesh, mirëpo jo gjithnjë i gjej përgjigjet. Besoj se cilado qoftë arsyeja që kam për të shkruar, është një arsye e mirë. Në radhë të parë shkruaj, sepse besoj se kam për të thënë diçka. Shkruaj se më bën të ndihem e gjallë, e përmbushur emocionalisht.  

Shkruaj sepse i shoh gjërat në një mënyrë që shumë të tjerë nuk i shohin. Sepse, akti i krijimit ndërton ndjenjën e vlerësimit të vetvetes.

Shkruaj sepse më ndihmon të shoh pjesët e jetës që janë të bukura dhe interesante, por edhe ato të zymtat e pikëllueset.

Shkruaj pasi ndodh të prekem thellësisht nga diçka që lexoj apo përjetoj dhe kam dëshirë pastaj ato përjetime t’ia përcjell lexuesit tim. Më pëlqen të shkruaj sepse dua t’ua jap atë përvojë të tjerëve.

Arti i fjalës është i bukur. Fjalët mund të jenë të bukura, edhe atëherë  kur përshkruajnë  gjëra të tmerrshme si luftën, dhunën, egërsinë, shëmtinë apo abuzimin.

Besoj se shkrimi i jep zë zjarrit në shpirtin e njeriut, atij shpirti që digjet aq shumë sa të kthejë edhe dritën e thjeshtë të ditës në mall, bukuri dhe dhimbje zemre.

Çka ju bënë të veçantë si shkrimtar?

-Origjinaliteti dhe temat që trajtoj kujtoj se më dallojnë nga të tjerët, si dhe guximi për të sfiduar veten në zhanre të ndryshme letrare, sepse për të shkruar  përveç dhuntisë,  të duhet shumë guxim.    

Çka keni thënë me shkrimet tuaja?

-Kam rrëfyer se është e rëndësishme gjithmonë të jesh vetja, se ia vlen të luftosh për gjërat që do, të ndjekësh ëndrrat e tua. Kam folur me zërin e atyre që s‘kanë zë, kam dashuruar me ata që s‘kanë dashuruar kurrë, kam qarë e kam qeshur për humbjet e gëzimet e jetës, kam rrëfyer çka do të thotë të mos jesh zot në tokën tënde e të dëbohesh në kampe refugjatësh, çfarë shije ka liria e çfarë çmimi duhet të paguash për një copë atdhe. Por edhe kam thënë se vetëm dashuria e shpëton botën nga vdekja dhe vetmia. 

Çfarë u ka mbetur ende pa thënë?

-Kam ende shumë gjëra për të thënë. Se fëmijëria është mosha më e bukur e jetës, se dashuria e mund vdekjen e paqja luftën. Dhurata më e çmuar që kemi në këtë jetë është koha, dhe ajo duhet shfrytëzuar sa më mençur. Unë i uroj kohë vetes, që të kem mundësi t’i them ato që më kanë ngelur pa i thënë.

I besoni muzës apo përvuajtnisë së punës së pareshtur?

-Muza di edhe të tradhtojë, të na braktisë herë-herë, prandaj duhet punë dhe këmbëngultësi e takt.        

Sa jeni sistematik në të shkruar?

-Varet nga ajo që jam duke shkruar. Më pëlqen të ndaloj, të rikthehem e të vazhdoj aty ku kam mbetur. Është proces i gjatë e i mundimshëm, një lloj udhëtimi i gjatë, interesant e  me plot befasi.     

Sikurt’fillonit nga e para, do t’bëheshit sërish shkrimtar apo jo?

-Edhe sikur të kisha një tjetër jetë, jam e bindur se sërish do të bëhesha kjo që jam sot. 

ObserverKult


Lexo edhe:

ILIRE ZAJMI: ATA QË KANË GUXIM TË ËNDËRROJNË, ARRIJNË LARG

BUQETË POETIKE NGA ILIRE ZAJMI: GRUA MOJ, DUAJE FORT TRUPIN TËND!

ILIRE ZAJMI: KUR TI JE LARG…