Ilire Zajmi: Kur ti je larg…

Kur larg je ti gjysma e vetes sime më mungon
Nuk di me gjysmën tjetër si t’ia bëj
Ta mashtroj me fjalë nanuritëse
Se së shpejti do të më kthehesh në përqafim
Do të kthehesh te zjarri yt të ngrohesh
Ti kalorësi im.

Kur je ti larg
Unë veten time të tepërt e kam
Kohën e mbys në copëza pritjesh e shndërroj
E tëra shndërrohem në sy e vesh
Ra zilja cingërroi telefoni mesazh i ri në msn
Një lajmëtar dashurie nga ti.

Kur ti je larg
Aromën tënde nëpër shtëpi e ndjej me drithërimë
E mundohem orën e ardhjes tënde ta imagjinoj
E mundohem botën ta bëj të vogël të vogël
Të mos ketë shumë largësi
E të të puth me mall me mall
Kur të më kthehesh në gji.
Kur ti je larg
Largësitë i urrej
Pritjen e sfidoj.