Në vend të përkujtimit për Ali Podrimjen
Nga Ilire Zajmi
Po bëhen tetë vite kur poeti i Kosovës, poeti i hartës së grisur të atdheut në qytetin Lodeve të Francës, la botën e vdekatarëve të rëndomtë, për të kaluar në përjetësi.
E quajtën poet të Panteonit letrar shqiptar, të tjerë “Ali Shën Pagëzori”, zëdhënës shpirtëror të Kosovës, poet të rangut evropian, zëri i poezisë shqipe jashtë vendit, krijues vargjesh elitare, shëmbëlltyrë poetike e etnisë, zë lirie nën qiell robërie…
Poezia e tij e përkthyer në shumë gjuhë të botës, kishte kryefjalë Atdheun e tij, Kosovën të cilën ai e njihte më mirë se kushdo tjetër.
I çmuar për vlerat artistike të kultivimit të poezisë bashkëkohore nga kritikë, shkrimtarë, studiues, gjithandej në vend, Evropë e botë. Për të është shkruar e do të shkruhet në vazhdimësi.
Nuk do të shkruajnë vetëm njohësit e veprës së tij elitare, por do të shkruajnë edhe të njohurit e të panjohurit, shkrimtarë, kolegë, miq, edhe ata që janë rritur me poezitë e Lum Lumit.
Pas vdekjes së tij kujtoj bardin e poezisë, duke ndërmendur udhëtimin e fundit. Një udhëtim shumë i dëshiruar, i përfolur me dhjeta qindra herë në bisedat tona miqësore në bufenë e Radio Kosovës, ku shiheshim thuaje çdo ditë. Aliu kishte qenë në Festivalin e poezisë në qytetin e Lodeve të Francës edhe dy herë të tjera. Nuk arrita kurrë t’a kuptoj përse nuk i pritej të shkonim atje.
Sikur diçka misterioze e joshte drejt Francës. Diçka e pathënë, e padeshifruar që vetëm poeti i madh mund t’a ketë parandjerë. Njeriun e poetin që frymoi dhe u shua për Lumin.
Tërë kohën ndihej i trazuar shpirtërisht. Kujtimet e trishta për humbjen e të birit, i ishin ngjallur në këtë udhëtim të mbramë. Lumi do të diplomohej tani në Sorbon, i thoshte mendja. Po të kishte mundësi do të ndërronte edhe biletën e aeroplanit për të shkuar te Lumi. Ai në vazhdimësi sikur po gjurmonte mënyrat sesi mund të bashkohej me të birin.
Lumi ishte kryefjala e tij gjatë tërë udhëtimit për në Lodeve. Ndihej krenar se do të përfaqësonte Shqipërinë. Krenar se do të lexonte vargje për Kosovën, në mesin e 50 poetëve nga 24 vende të Evropës. I gëzuar se së shpejti do t’i botohej një libër i ri në gjuhën frenge. Do të nënshkruante kontratën për librin me botuesen e tij, më 18 korrik.
Ali Podrimja u paraqit vetëm një herë me poezitë e tij para artdashësve francezë te sheshi “Ura romake” në Lodeve. Ai nuk u takua më kurrë me adhuruesit e poezisë së tij. As me botuesen franceze. As me përkthyesin e tij Aleksandër Zoto. As me mua, bashkëudhëtaren e tij nga Kosova.
Pas leximit të poezive të tij, Mixha u zhduk në mënyrë misterioze. Ç’ti ketë ndodhur atij? Të ketë humbur rrugën, t’a ketë rrëmbyer dikush? Të jetë vrarë?
Asnjërës nga këto pyetje nuk mund t’i jepej një përgjigje logjike. Misteri mbuloi zhdukjen e tij, e lajmi mori dhenë. Se besoja kurrë se ai mund të mos kthehej i gjallë. As djali i tij Petriti, as nipi Genti, as dhjeta njerëz që më shkruanin e thërrisnin për të pyetur për fatin e tij. Fotografia e tij e vendosur në çdo kënd të qytetit, me jepte shpresën se dikush do ta gjente, herët a vonë.
E shtuna e 21 korrikut, solli lajmin më të pabesueshëm që kisha dëgjuar ndonjëherë. Ali Podrimja u gjet i vdekur, katër kilometra larg qytetit, pranë lumit të Lodeves.
Tingëllon si makth lajmi për vdekjen e njeriut, poetit. Vdekja e Mixhës me të cilin erdhëm bashkë gjashtë ditë më parë nga Prishtina për të përfaqësuar poezinë shqipe.
Poeti i madh shqiptar Ali Podrimja u gjet i vdekur në dhe të huaj, i vetëm, në një pyll të izoluar, me një tufë lule në duar.
Në vend të paraqitjes së tij me poezi, Festivali organizoi homazh për vdekjen e tij të mistershme.
Por as ky njoftim kobzi, nuk më bëri të besoj vdekjen e tij, mua që më ra hise të bëja udhën e fundit me të.
Ali Podrimja vdiq ashtu si jetoi. Poetët , ashtu si perënditë, nuk vdesin kurrë. /ObserverKult