I detyrohem shumë zbuluesve të makiazhit
i falenderoj çdo mëngjes për zbulimin e kësaj mrekullie
që s’ka të paguar
falë tij fsheh me mjeshtri mynxyrat e një nate pa gjumë
sytë e buhavitur nga kokëdhimbja
lëkurën e zbehtë e të lodhur
rrudhat e holla mbi buzë vijën e thellë të ballit
thinjat e para në vetulla faqet e fishkura
me buzëkuq
vetullat të ngjyrosura faqe ngjyrë pjeshke
penel të zi në sy e hije ngjyrë terrakote
i fshij të gjitha gjurmët e krimit
dhe dal nur e buzëqeshur para botës
mikeshat më mbysin me fjalë të ëmbla
për stilin unik e pamjen e freskët femërore
asnjëra s’më pyet si ndihem
për çfarë më dhemb zemra e çka më mundon
Ah, këto pyetje nuk bëhen në kohëra moderne
botës i intereson vetëm pamja e jashtme
ajo i thotë të gjitha për ne e fjalët s’kanë më kuptim
E çka të them tjetër, përveçse lavdi zbuluesve të makiazhit.
Uh gati harrova
Po si nuk u zbulua makiazh edhe për shpirtin?!