Ilirian Zhupa: Porosi fëmijëve

Ilirian Zhupa hajne

Poezi nga Ilirian Zhupa

Bashkë me të dashurën mbrëmjeve dhe netëve
U japim fëmijëve këtë porosi,
Vishni sandalet e lehta prej gjethesh
Dhe bridhni në shi.

Këmishët e holla si tymi i cigares
Zhvishini tek porta t’i rrëmbejë juga,
merrni në trup gërvishtje dhe plagë
Tatuazhe të bukura.

Kapërceni pragjet dhe rendni tek muzgjet,
Humbni në dhjetor dhe shfaquni në maj
Përgjigjuni gjyshes që thotë: “U marrtë djalli!”
Se s’patë askund djaj.

Me dorëshkrimet e mia lëshoni balona,
Fjalët e reja t’i fshijnë retë me gomë
Çantën e mamit vareni tek strehët,
Ta bëjnë fole zogjtë.

Atyre që duan të rrinë veç në zyrë,
Thyejuani xhamat me gurë të gjithëve,
Vraponi tek pylli tu fshiheni servilëve
Humbni në zgavra dhe dilni tek sythet.

Ua gjeni lumenjve dhe gurin e fundit,
Na lini t’ju presim gjer në orët e vona netëve,
Këto porosi jua japim, kuptohet
Se…s’keni lindur ende…

ObserverKult

==============

Lexo edhe:

NUK PËRQAFOHEMI MË…, POEZI NGA ILIRIAN ZHUPA

Nuk përqafohemi më,
s’shikohemi.
Po duart e tua, e dashura ime,
m’u ulën mbi flokë si mjegulla.
Duart e tua paskan mbetur te unë,
si hiri i zjarreve në shpella.

Nuk përqafohemi më,
mallohemi.
Po duart e tua, e dashura ime,
rrjedhin brigjeve e lugjeve të fytyrës sime,
si shirat e vjeshtës përzënë nga era.
Duart e tua paskan mbetur te unë,
si rrënjët e pemëve të shkelura në dhera…

Poezinë e plotë e gjeni KËTU