Im nip, Tolstoi dhe Ukraina

Agim Vinca

Letër e hapur ambasadorit të Ukrainës në Beograd, zotit Oleksandër Alexandrovich

Nga: Agim Vinca

Im nip, nxënës i klasës së dytë në njërën nga shkollat fillore në Prishtinë, lexon librin me tregime e fabula për fëmijë të Tolstoit, natyrisht të përkthyera në gjuhën shqipe.

Ua ka dhënë për detyrë mësuesja ta lexojnë dhe ai, kur vjen në mëngjes te gjyshja dhe gjyshi, pasi i bën detyrat e shtëpisë, e rrok librin “Tregime dhe fabula” dhe i lexon me qejf përrallëzat e shkrimtarit të madh për ujkun dhe dhelprën, për qenin dhe gjelin, për dhinë e qengjin, për luanin e miun, për gjinkallën e milingonën dhe kafshët e insektet e tjera, që personifikojnë “kafshët politike” të Aristotelit, njerëzit.

Herë pas here më pyet për fjalët e panjohura dhe unë ia shpjegoj, duke e konsultuar edhe Fjalorin e gjuhës shqipe, me qëllim që t’ia krijoj shprehinë e përdorimit të fjalorit që në fëmijëri.

Në një nga këto “seanca” ra fjala te autori i librit, Tolstoi.

  • Është rus – i them nipit tim tetëvjeç, që ka interesime që rrallë hasen te moshatarët e tij.

Më shikon me habi dhe më pyet: “Rus?”.

  • Po – i them – rus…
  • Po a është me Putinin a me Ukrainën? – shtron pyetjen sakaq nipi im “politikan”.
  • Tolstoi, shpirti i gjyshit, nuk është gjallë. Ka vdekur shumë kohë më parë, para më se njëqind vjetësh, por është i pavdekshëm si shkrimtar.
  • Po po të ishte gjallë me kë do të ishte: me Putinin apo me Ukrainën? – insiston nipi.
  • Me Ukrainën – them – sepse ai është njeri i mirë, humanist… Është kundër luftës dhe i do shumë fëmijët… Tolstoi është shoku im, shtova me shaka.

Nipi ndahet i kënaqur me përgjigjen dhe shton: “Ka edhe rusë të mirë… Nuk janë të gjithë të këqij”, duke treguar kështu pjekurinë e tij të parakohshme.

Ky dialog, zoti ambasador i Ukrainës në Beograd, u zhvillua ditën kur lexova në shtyp deklaratën tuaj të dytë në të cilën ju thoni në mënyrë të prerë se shteti që ju përfaqësoni nuk do ta njohë Republikën e Kosovës; se Serbia është partner shumë i rëndësishëm i Ukrainës dhe se ju e konsideroni Kosovën, pra Republikën e nipit tim të shqetësuar për Ukrainën, pjesë të Serbisë…

Është hera e dytë që ju, Zoti Ambasador, flisni kështu. Herën e parë kur filloi lufta dhe me atë rast ju pati reaguar publicisti dhe studiuesi suedez, njohës i mirë i rrethanave në Ballkan, zoti Ulmar Kuik (Qvick). “Ne do ta mbështesim 100% Ukrainën, tha ndër të tjera suedezi i urtë, mik i shqiptarëve dhe i të gjithë popujve liridashës e paqëdashës, por ju nuk keni të drejtë të flisni kështu për Kosovën dhe shqiptarët”.

(Mund të ketë edhe deklarata të tjera të ngjashme nga ana juaj, por unë nuk i kam parë).

Në vend që të shprehni keqardhje që nuk e keni njohur Kosovën tash 14 vjet, ashtu siç ka bërë pjesa më e madhe e botës dhe sidomos ata ndihmën e të cilëve po e kërkoni tani me lebeti, pas agresionit të Rusisë, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ju vazhdoni, pa fije turpi, me avazin e vjetër: “S’ka njohje të Kosovës!”. 

Një popull i tërë, mbarë kombi shqiptar në Ballkan dhe në botë, ua ka hapur dyert dhe zemrat; dy shtetet shqiptare, Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës, i kanë vënë sanksione Rusisë dhe përkrahin me të gjitha mjetet dhe mundësitë Ukrainën si shtet dhe popullin e saj (gjë që nuk e ka bërë dhe nuk e bën Beogradi zyrtar), kurse ju, Ekselencë, as që doni t’ia dini!

Në median shqipe në Tiranë e Prishtinë dhe kudo tjetër në hapësirën shqipfolëse, flitet ditë e natë për Ukrainën; i bëhet jehonë dhe i jepet mbështetje qëndresës heroike të popullit ukrainas kundër agresionit të Rusisë; dënohen krimet e eskadroneve të Putinit; strehohen familjet e larguara nga qytetet e bombarduara, kurse ju këndoni ashtu siç i pëlqen Vuçiqit dhe Daçiqit.

Etërit shpirtërorë të Vuçiqit dhe të tjerëve që janë në pushtet në Beograd (dhe ata vetë), bënë krime makabre në Kosovë në vitet 1998-1999, por edhe më parë e më vonë, duke vrarë e masakruar mbi dhjetë mijë civilë, në mesin e të cilëve rreth dy mijë fëmijë, kurse ju… tregoheni aq i pashpirt.

Ne me bukë, ju me gurë!

Sjellja juaj është vërtet e çuditshme dhe nuk i bën nder popullit që i takoni dhe vendit që përfaqësoni.

(Edhe një ambasador tjetër në Beograd, ambasadori i Palestinës, pat folur kështu si ju kohë më parë, por ai mbase ka të drejtë të hidhërohet pak me ne, ju aspak).

Para se ta mbyll këtë letër, Zoti Ambasador, më lejoni t’jua prezentoj nipin që më nxiti ta shkruaj atë. Quhet Marin, si Marin Barleti, ai që shkroi Historinë e Gjergj Kastriot-Skënderbeut, heroit që mbrojti Evropën e krishterë nga invazioni osman në shekullin e 15-të. (Humanisti shqiptar, Marin Barleti, ishte bashkëkohanik dhe bashkëluftëtar i Skënderbeut).

Nipi im, fëmijë tetë vjeç, shqetësohet për vendin tuaj dhe njerëzit e tij, të mëdhenj e të vegjël, ndërsa Ju, Zoti Ambasador Alexandrovich, as që doni t’ia dini për vendin e tij të vogël në këtë cep të Evropës, që e ka fituar me aq shumë vuajtje e sakrifica lirinë dhe pavarësinë e tij.

Natyrisht që nuk ia thashë këto që po jua them Juve tim nipi; është ende i vogël dhe nuk ka nevojë t’i dijë të gjitha (edhe pse ka interesime si të ishte i rritur), por gjysh e nip e mbyllëm bashkëbisedimin me rusin e mirë, Tolstoj.

Një herë tjetër, kur të rritet edhe pak, do t’i flas për poetin tuaj nacional Taras Shevçenko, që këndoi me aq zjarr për lirinë e popullit të vet, sikurse Naimi ynë, me shpresë se deri atëherë ju do të ndryshoni mendim dhe se shteti juaj, i cili urojmë të dalë sa më shpejt nga gjendja e vështirë në të cilën ka rënë, do ta njohë Republikën e Vogël të nipit tim dhe moshatarëve të tij me emrin Kosovë dhe të drejtën e tyre për të jetuar të lirë në vendin e tyre dhe të të parëve të vet.

Zdravstuj, Ekselencijo! 

Prishtinë, 31 mars 2022           Me nderime, Gjyshi i Marinit,
Profesor Agim Vinca

Lexo edhe:

AGIM VINCA: PORTRETI I NOLIT NË VARGJET E NJË POETI

ObserverKult