Imer Topanica: A me i dashtë, a me i urrye dritaret?

Imer Topanica

Ai qe nji mjeshtër gurësh. Fort i njohun në tan vilajetin, madje edhe përtej. Ajo nji çikë prej nji dere të njohun. E bukur sa të thuesh…

E si në tana tregimet e thuruna për dashninë, edhe këtyne dyve iu ra puna me u takue krejt rastësisht (ani që rastësia nuk ekziston në këtë dynja). U dashunuen fill, siç dashunohet ndonjëherë stuhia në detin, rrebeshi i shiut në fushën, era në kreshtën, uria në varfninë, urrejtja në luftën, jeta në lirinë, e kështu me radhë. Aq u dashunue e bija e botës sa kudo që shihte mure, a gurë të radhitun, në mungesë të ashikut, donte me i përqafue. Ai ndërkaq, në çdo mur, në çdo kullë që ndërtonte, gjente arsye sa me e çelë nji dritare, a nji frenxhi të vogël, se i bahej që flokarta qe nisej drejt tij. U soll e u mbështoll puna, si në tana tregimet e dashnisë, e ai deli djali u ftue prej babës së çikës, me u pajtue rreth nji pune të lehtë, të cilën ai e pranoi me kënaqësi. U mor vesh tevona: e bija ia kishte mbush mendjen babës se, oda e saj qe e errët dhe i duhej edhe nji dritsore për me qenë mjaftueshëm e ndritshme… E kish të vetmen çikë. Të hasretit ma, andaj, nuk bahej fjalë me ia prish qejfin.

Erdh edhe dita që mjeshtri me ia nisë punës. Punoi për tri ditë e tri net dhe e punoi me aq merak dritsoren, krejt lajlelule, sa t’ishin të gjalla. Në të mramën natë, s’u durue pa ia thanë të zotit të kullës edhe nja dy llafe, teksa ky kish dalë për me e përcjellë. Guxoi erifi e ia lypi çikën për nuse, tue rrezikue me e prish krejt punën, hala pa ia tha lirat për mundin që e kish ba. Por, nikoqiri ish burrë fisi. I njohun për urti në shtatë bajraqe. E nderoi mjeshtrin e ri e tue ja rreh supet i premtoi se kish me tjerrë këtë punë me të shpisë për kadal dale, e me i kthye gjegje shumë shpejt.

Tek mbas këtyne llafeve djali i hypi atit e u zhduk në terrinë, me zemrën që i ndriçonte prej flakës së dashnisë.

Por… si në tanaherat kur rrëfehet për këso vakish, edhe këtu na mbiu nji pengesë. Njerka e çikës. Ajo tha:

Jo, nuk bahet kjo punë! – Ia mbushi mendjen edhe burrit të saj. E si ia mbushi thoni ju, kur baba e donte çikën ma fort se sytë e ballit? Paj njerka katile, merrte erë pak prej magjisë, andaj para se me ia thanë këto llafe të shoqit, shkoi në kulm të kullës, zuni nji lakuriq nate, e preu në fyt tue pëshpëritë: «korona, virona, korona, virona», plot 66 herë. Me gjakun e tij i përlyjti duert. Tek ma vonë edhe teshave të t’shoqit ua bani plot 6 vija…

– Bija jonë asht e derës së njohun, nuk e martojmë për nji gurgdhendës! – Kenka krekosë ajo dhe i shoqi i saj që m’ish magjepsë, paska përtypë me za të vobektë të njëjtat llafe.

Çika që e dojke babën, si në tana historitë e këtij soji, nuk dojke me ia prish punët me gruen. Kur e mori vesh kumtin, se kumt qe për te, shkoi te oda maje kulle, e në dritsoren që aq fort e donte u ngjit dhe e kundroi për të mbramën herë në jetën e saj diellin tek zhytej prapa horizontit. I hapi krahët dhe u lëshue si zog tue dashtë me e përqafue tokën dhe ndrroi jetë, fill pasi ia shijoi kafshatën e parë prej pelini kësaj të shkrete.

Po të dashtunit e mi, ju e dini, kjo histori nuk mbaron këtu. Ju doni me e ditë se ç’u ba puna e djalit? Eh djali i shkretë. Ashtu siç na thotë filli i kësaj historie, se çika donte çdo mur për shkak të djalit, edhe djali nisi me i urrye krejt dritaret që ia zinte syni kahdo që e çonte puna prej mjeshtri. Thonë që ma nuk pajtohej për punë të mëdhaja. Nuk maronte kulla, por veç mure pa dritare. Jetoi plot katërqind e pesëdhjetë e pesë vjet. Disa thonë se në orët e mbrama të tij, mblodhi gurë aq shumë sa për nji tempull të naltë. Siç e merrni memend, e nisi pa dyer e pa dritare. Teksa muret ngriteshin prej duerve të tij, atë e kapi droja se nuk po i bante aq të nalta sa ç’donte me i ba, andaj, pak e ngapak tempullit ia dha formën e nji piramideje. Sot e kësaj dite tempulli ka mbetë dhe gjindja shkojnë e e vizitojnë, pa e ditë se ç’zor i madh e ka shtye insanin me e marue atë./ ObserverKult