U rritëm: Mësuam kur të besojmë dhe kujt t’i besojmë

u rritëm


U rritëm në heshtje…
Jemi rritur aq shumë saqë tani nuk po kërkojmë më miq të rinj apo edhe njerëz që na duan, por kërkojmë veten.
U rritëm duke dashur më shumë vende të qeta, kafe, muzikë të ëmbël, tinguj të natyrës dhe peizazhe mahnitëse, sesa tubime dhe qytete lojërash.
U rritëm aq sa në vend të frikës nga prindërit tanë, kemi merak për ta.
U rritëm dhe reshtëm së debatuari me të tjerët… edhe kur besojmë se kemi të drejtë. Le të jetë koha ajo që do ta provojë saktësinë e këndvështrimit tonë.
Jemi rritur aq sa nuk flasim më me askënd për atë që po ndodh me ne dhe për atë që na lëndon, merremi vetë me plagët tona.
U rritëm duke u gëzuar në heshtje, duke qarë në heshtje dhe duke qeshur me një buzëqeshje. Nuk na prekin më fjalët e ëmbla… Tashmë kërkojmë vepra që burojnë nga zemra.
Nuk tallemi më me të tjerët… Madje, me shpirt lutemi:”Zot ndihmoji të gjithë njerëzit!”
U rritëm duke kuptuar se imazhi i jashtëm të mashtron, mësuam se jo çdo gjë që shkëlqen është flori dhe se litari i gënjeshtrës është i shkurtër.
Tashmë kemi mësuar kur duhet të falim dhe kur të injorojmë, kemi mësuar mos kemi pritshmëri nga askush dhe ç’është më rëndësishmja, kemi mësuar si të vetëmjaftohemi.
Mësuam kur të besojmë dhe kujt t’i besojmë
U rritëm.. po.. u rritëm në heshtje.

Ahlam Mosteganemi, shkrimtare algjeriane.
Perktheu: Elmaz Fida

ObserverKult

————————

Kliko edhe:

NIZAR QABBANI: TË DUA TY, EDHE KUR DASHUROJ TJETËRKËND…

Të dua ty, edhe kur dashuroj tjetërkënd,
Pi për shëndetin tënd, kur jam me tjetër grua për darkë,
më rrëshqet gjuha…
dhe thërras emrin tënd kur i thërras asaj.
E kap veten gjatë darkës
duke qëmtuar ngjashmëritë mes vijave të duarve të tua
dhe vijave të duarve të saj.
Ndjej se po kthehem në klloun
kur i mbaj sytë tek shalli i mëndafshtë mbi supet e saj.
Ndjej se po tradhëtoj të vërtetën
kur krahasoj mallin për ty me mallin për të.
Çfarë e quan ti këtë?
Dyzim… rënie… arrati… perversitet… çmenduri?
Si të jem tek ti
dhe të hiqem se jam tek ajo?

Përktheu: Elmaz Fida

ObserverKult


Lexo edhe|:

Robert Shvarc: Tani ti je këtu, por nesër më nuk do të jesh…