Në rubrikën Personale, mysafir yni është shkrimtari Imer Topanica.
– Si ndodhi takimi i parë me letërsinë?
Nëpërmjet leximit. Më duket se ndër librat që ma kanë grishur më shumë se askush tjetër kureshtjen dhe ma kanë hapur horizontin janë ato që i kam lexuar në rininë e hershme. Ende më kujtohen romanet si “Aventurat e Pinokios” i Carlo Collodit dhe “Shpella e Piratëve” i Petro Markos. Duhet t’i kem lexuar në moshën tetë ose dhjetë vjeçe.
– Kur ratë në “grackën” e saj?
Provat e para i pata bërë në shkollën e mesme. Pavetëdijshëm se po rrekesha të kultivoja një ndër gjinitë më të vështira: lirikën. Vite më vonë, si student, mbërrita të publikoja poezitë dhe tregimet e para. Bleva një makinë shtypi dhe qindra a mbase mijëra poezi, tregime, që s’ishin veçse skica embrionale, më kanë pas mbetur të shtypura e të ruajtura në ata tabakë prej letrash. Disa i pata provuar t’i çoja për botim. Prej atij gjiganti prej letrash të çuara kot, kanë dalë dy poezi dhe tri tregime të shkurtra.
– Kur nisët të ndiheshit shkrimtar?
Kur publikova poezitë dhe tregimet e para kam qenë i sigurt se isha i tillë, se kisha diçka për të thënë, se njerëzit më shihnin ndryshe, prisnin nga unë… Tash jo! Tash më tingëllon çuditshëm kur dikush më referohet me një emërtim të tillë.
Më ndodhi një ditë, një kioskë të vogël në Prishtinë, një shitës më tha:
“Meqë je shkrimtar…” dhe më shërbeu.
E shikova me vëmendje për t’u siguruar nëse e kishte seriozisht dhe meqë veç tij dhe meje s’ishte askush tjetër, u binda që e kishte me gjithë mend.
– A ja keni shtruar ende atë pyetjen shumëdimensionale vetes “Pse shkruaj”?
Jo! Këtë pyetje nuk e kam shtruar kurrë dhe tash është edhe vonë për ta shtruar. Por “Pse nuk shkruaj?”, po, e bëjë shpesh. Duhet të jenë ankuar edhe të tjerët përpara meje, se gazetaria ua ka zbehur mjaft dëshirën, ua ka ngurtësuar stilin dhe, sidomos, ua ka lodhur gjymtyrët. Për këtë shkak pyes veten, si nuk po gjej pak qetësi në këtë rrëmujë për të shkruar diçka të hajrit.
Por në jetë asgjë nuk ndodh pa qëllim. Ku i dihet, ndoshta edhe gazetaria po më ndih ta mpreh më tej “shqisën” e shkrimit.
– Çka ju bënë të veçantë si shkrimtar?
Nuk e di… në aktin e shkrimit, kryesisht nuk i mendon konsekuencat. Shndërrohesh në një lloj makinerie nëpërmjet së cilës artikulohen idetë. Tek më vonë, kur arrin ta përmbledhësh brenda kapakëve një grumbull poezish, tregimesh etj, i mendon “të veçantat”. Megjithatë, siç e thash edhe më sipër, nuk më lë kohë gazetaria, kjo mike xheloze e letërsisë, t’i mendoj këto gjëra.
– Çka keni thënë me shkrimet tuaja?
Më duket se roli im zbehet në këtë pikë. Është një pyetje e thjeshtë në shikim të parë, por ka një rreng të cilin nuk dua ta identifikoj hapur këtu.
– Çfarë u ka mbetur ende pa thënë?
Të shohim… Më 2020 e kam nisur një roman, fundi i të cilit, nuk është duke më pëlqyer. Më duket që është koha që nëpërmjet letërsisë ta ndajmë tronditjen e madhe të luftës, gacën e së cilës, ende e mbajmë në gji. Kjo është një detyrë e jona si brez… Pardon! Nuk është detyrë tamam, sepse letërsia nuk njeh detyrime, por më shumë nevojë. Është pra një nevojë nxjerrja e gacës jashtë, e ndoshta edhe shuarja e saj me ndihmën e miqve.
– I besoni muzës apo përvuajtnisë së punës së pareshtur?
Ideja e parë, vizioni që e krijon në kokë, imazhi etj, thelbi i së cilës ngelë në vepër, është pa mëdyshje frymëzim që për mua vjen prej Zotit. Siç do të thoshte George Bernard Shaw, fundi i fundit, të gjitha librat i ka shkruar Ai – Zoti. Por imazhi i idesë duhet të përpunohet tutje. Në një cung të drurit të pagdhendur, ose në një gurë të pa prekur nga dalta, vetëm një skulptor mund ta shoh imazhin e vërtetë të figurës që do ta nxjerr si kryevepër.
– Sa jeni sistematik në të shkruar?
Fare! Shpesh kam punuar në dy a tri projekte njëherësh. Vetëm kur kam qenë i sigurt në ndonjërin, se po, po fillon ta marr fizionominë e duhur, jam përqendruar dhe ia kam dhënë dorën e fundit.
– Sikur t’fillonit nga e para, do t’bëheshit sërish shkrimtar apo jo?
Po! Fati ynë është ky që është, sepse ne jemi këta që jemi. Dua të them: roli i njeriut në shoqëri, përcaktohet nga rruga që vendos të bëjë shpirti tij. Dhe edhe sikur të riinkarnohet njëmijë herë në trupa të tjerë, përsëri të njëjtin rrugëtim do ta bënte. Prandaj Zoti na e ka dhënë vetëm një jetë.
ObserverKult
Lexo edhe: