reklamë

Impresione nga vizita në fshatin Savoca në Siçili, aty ku u xhirua njëra nga skenat më të njohura të filmit “The Godfather” (Foto)

Nga Agron Islami

Jam në fshatin piktoresk Savoca në Siçili, pikërisht në barin ikonik ku u xhirua njëra nga skenat më të njohura të filmit “The Godfather” (Part 1).

Pasi Michael Corleone kthehet nga shëtitja në kodrat e Corleones me dy truprojat e tij, Fabricion dhe Kalon, ata ndalojnë të pushojnë në mesin e vapës së verës në një lokal në zemër të fshatit me emrin: Bar Vitelli.

Pasi Michael zbulon se pronari i barit është babai i vajzës së bukur që e preku në zemër (Apollonias), ai vendos t’ia kërkojë dorën e vajzës babait të saj me ndihmën e përkthyesit të tij, Fabricio. Dialogu i tij i drejtpërdrejtë ka mbetur ende i paharruar:

“Unë jam një amerikan që fshihet në Siçili. Emri im është Michael Corleone. Ka njerëz që do të paguanin shumë para për këtë informacion. Por atëherë vajza juaj do të humbiste babain, në vend që të fitonte një bashkëshort. Dua ta takoj vajzën tuaj. Me lejen tuaj dhe nën mbikëqyrjen e familjes. Me gjithë respektin e duhur.”

Aty më tej edhe bie ujdia dhe burri i përgjigjet Michaelit me fjalët: “Ejani në shtëpinë time të dielën në mëngjes. Emri im është Vitelli.”

Bari ikonik ka mbetur fiks siç ka qenë në verën e vitit 1971 kur u xhirua filmi; ndjesia është sikur të jesh kthyer pas në kohë. Tabela e vjetër metalike “Itala Pilsen”, karriget, gurët dhe muret që shihen pas meje në foto janë ende ato identiket. Pranë Bar Vitellit ka shumë turistë nga e gjithë bota, nga Amerika, Meksika, Australia e Kina, ku të gjithë vijnë me kërshëri e të emocionuar vetëm për të parë vendin ikonik ku u ulën këta personazhe në filmin legjendar.

Për historinë e Savocës, Bar Vitellit dhe përzgjedhjes së tyre si pjesë e filmit ka histori interesante dhe të ëmbla, ashtu si dhe për ish-pronaren e barit, Signurina Marian, por ndoshta do t’i ndajmë një herë tjetër.

Kisha San Nicolò

Në foton e dytë jam pranë kishës San Nicolò, e cila gjendet në majë të kodrës, rreth 300 metra larg barit. Këtu është xhiruar skena e famshme e dasmës, ku Michael dhe Apollonia kurorëzohen dhe zbresin tatëpjetë rrugës me kalldrëm, me Don Tommasinon në karrocë, të ndjekur nga pas prej të gjithë muzikantëve, fshatarëve dhe fëmijëve.

Brenda kishës nuk pushon muzika e Nino Rotas që prek këdo; aty ka një ekran ku pjesa e dasmës nga filmi transmetohet dhe ritransmetohet pa ndërprerje, dhe për të parë brenda mjediset si një hapësirë muzeale me fotografi dhe rroba duhet të hedhësh disa kartëmonedha.

Statuja e Çeliktë

Në fotografinë e tretë jam pranë statujës së çeliktë të regjisorit Francis Ford Coppola, me shpinë nga kodrat dramatike të Savocës dhe Kalasë së Pentefurit. Kjo vepër arti u krijua nga skulptori i njohur vendas Nino Ucchino si tribut për Coppola-n dhe u vendos në këtë shesh panoramik në vitin 2008. Më vonë, në vitin 2022, komuna e Savocës e nderoi Coppola-n duke e shpallur qytetar nderi për 50-vjetorin e filmit. Skulptori zgjodhi ta realizonte statujën tërësisht nga çeliku inox për disa arsye të veçanta, duke bërë që ajo të pasqyrojë dritën e diellit siçilian dhe natyrën si një pasqyrë e gjallë.

Në Savoca doja të takoja doemos gruan që luajti nënën e Apollonias në film, Signora Marian, për të ndarë së bashku kujtimet e saj nga xhirimet e filmit. Por, teksa kërkova pranë Villa Vicenza (shtëpisë së Apollonias në film), fshatarët më treguan se ajo ka ndërruar jetë para pak kohësh. Megjithatë, shpirti i saj dhe i të gjithë figurantëve vendas mbetet i gjallë në çdo cep të këtij fshati magjik.

Pata mundësinë të qëndroja në Savoca plot 6 orë në atë fshat të vogël. Të gjitha rrugicat si poezi më uronin mirëseardhjen dhe më tregonin histori.

Nderim për filmin më të mirë të të gjitha kohërave, për epokën, për regjisorin, skenaristin, aktorët e shkëlqyer dhe muzikën.

ObserverKult