In Memoriam: Vdiq Arben Bajo- latuesi i bukurisë dhe i elegancës njerëzore

Fahredin Spahija: Arben Bajo



Skulptori Arben Bajo vdiq sot pas një beteje disaditëshe me virusin Covid-19. Ai konsiderohet si njëri nga emrat më të veçantë dhe më modern të artit pamor shqiptare.

Nga Fahredin Spahija

I lindur në Gjirokastër në vitin 1967, Arben Bajo pasi përfundon Liceun Atistik në Fier, në periudhën 1988-1992 mbaron studimet për skulpturë në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë. Ai shumë shpejtë pas studimeve krijon identitetin e tij krijues, bëhet një nga zërat më të rëndësishëm të skulpturës shqiptare si dhe fillon punën si profesor i skulpturës në Akademinë ku kishte mbaruar studimet.

Që nga fillimi i karierës së tij artistike, Bajo ishte i fascinuar me portretin dhe trupin e njeriut. Nga kjo periudhë mbeten të paharruara portretet që ai ua realizoi kolegëve të tij siç janë ato të Gazmend Lekës, Dhimitër Anagnostit, Timo Fllokos, Muharrem Fejzos, Orion Shimës etj.
Pas kësaj faze Arben Bajo i kthehet pasionit të tij fillestar, trupit të njeriut në veçanti nudos së gruas.

Arben Bajo: Nudo në karrike


“Skulpturën nuk e shoh nëse është femër, mashkull, pasi në këtë rast është femër, por ka edhe rast të tjera që kanë qenë fëmijë, pleq. Në këtë rast më intereson plastika dhe psikologjia, pasi epitetet janë pjesë e asaj që unë nuk mundet që t’i shpreh, sepse janë në subkoshiencën time. Por, edhe është një pjesë, që u përket kritikëve të artit pamor (qesh). Por, realisht mendoj se një skulpturë apo një pikturë është më mirë ta shijosh, sesa të flasësh për të. Ndërsa, koncepti im për figurën femërore, është se Zoti kur mendoi për bukurinë krijoi femrën. Kështu që do të ishte anormale, që unë mos të e pëlqeja figurën femërore.”, thote Bajo.

Fahredin Spahija: Arben Bajo

“Nudoja ne karrige”  apo “Nudoja e madhe” s’ka dyshim se është njëra nga kryeveprat e Arben Bajos dhe të skulpturës shqiptare në përgjithësi. E punuar me ndjeshmëri të lartë dhe në një kohëzgjatje tre mujore, kjo vepër imponon me vlerat e larta estetike dhe artistike që ka në vete.

Arben Bajo: Nudo ulur


“Pikërisht trupi kthehet në testamentin e tij estetik, me dimensionet imponente përmbi natyralen, linjën sensuale, e psikologjinë e zhveshur nga droja. Si manifest i botëkuptimit të tij mbi moralin, sa dhe mbi botën, trupi i zhveshur, përhumbur në dimensionin e vet mbi karrige, e përkufizon atë çka artisti në disa dekada kërkon në morfologjinë femërore. E trajtuar pak, në të tilla dimensione, Nudoja e madhe e Bajos hap një kapitull tjetër për artin vendas. Ajo njëherazi pozicionohet mbi temën e mediumin në një ballafaqim të ri, si manifest maksimal i forcës së vet krijuese, gjuhës plastike, natyralizmit dramatik, por dhe cenues të moralit konservator nostrom”, shkruan për këtë vepër studiuesi i arteve pamore, dr. Ermir Hoxha. 

Shtatorja e Vaçe Zelës e punuar nga Bajo në Lushnje

Me rreth tri dekada karrierë tejet dinamike, Arben Bajo ka realizuar nëntë ekspozita personale në të cilat “konflikt” ekzistencial mbi figurën njerëzore duket se përbën epiqendrën e kërkimit të autorit. Si një nga zërat më të rëndësishëm të skulpturës vendase, ai ishte gjithnjë besnik dhe shijues i formës nga natyra, ndërsa hetimi mbi figurën e njeriut ishte sintezë e këtij kërkimi. Raporti që ai kishte me realitetin, kalon pikërisht prej kësaj marrëdhënieje, ndërsa gjuha e tij synonte dimensionin ekzistencial të saj, sa edhe pozicionin me artin pamor bashkëkohor.

Arben Bajo: Shtatorja e At Zef Pllumit

Veç tjerash Arben Bajo është edhe autor i një sërë shtatoresh të personaliteteve nga fusha të ndryshme, të vendosura në hapësira publike si: At Zef Pllumi në Shëngjin, Asim Zeneli në Gjirokastër, Lef Noci në Elbasan, Vaçe Zela ne Lushnje, etj./ObserverKult