Ina Kosturi nderohet me Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition në Angli

Ina Kosturi, profesore e asociuar e violinës në Universitetin e Arteve, është nderuar me Çmimin e Madh në kategorinë “Kompozim origjinal”, për veprën e saj “Koncert për violinë dhe orkestër” në sezonin e 4-t të Saint-Saëns International Music Competition në Angli. Ajo është renditur e para në të gjitha kategoritë e këtij konkursi prestigjioz për vitin 2025.

Juria ndërkombëtare e konkursit përbëhej nga personalitete të njohura të botës muzikore. Ky sukses i Ina Kosturit, nënvizon nivelin e lartë të talentit shqiptar dhe vendos një standard të ri për muzikën klasike në vend.

Saint-Saëns International Competition është një platformë globale për njohjen e të përkryerës në performancën muzikore, kompozim dhe kërkimin akademik. Konkursi është pjesë e Organizatës Botërore të Konkurseve Muzikore Online, ku publikohen juritë, fituesit e të gjitha konkurseve dhe intervistat e laureatëve të çmimeve të mëdha.

Ina Kosturi është e para shqiptare e nderuar në këto konkurse të WOMCO, pas një serie suksesesh në konkurse ndërkombëtare në Slloveni, Vjenë, Maltë, Zvicër, dhe pjesëmarrjes në Hartford, SHBA. Krijimet e saj janë botuar nga shtëpia muzikore e njohur vjeneze Universal Edition dhe promovuar në Winter Catalogue 2024–2025./atsh

ObserverKult


Lexo edhe:

29 SHKURTI, HISTORIA “TRAGJIKE” E DITËS QË SHFAQET ÇDO 4 VJET