Nga Prof. Nasho Jorgaqi
Nga koha kur zbritën arbëreshët e parë në Itali e deri më sot kanë ardhur e kanë ikur afro tridhjetë breza. Janë prishur po nuk janë prishur. Koha natyrisht e ka i bërë të vetën, por nuk ka humbur karakteri arbëresh, tiparet e vetjake dhe të përbashkëta.
Ndoshta nuk është aq e vështirë të përcaktohet tipi fizik i arbëreshit. Hetimet e studimet antropologjike kanë hedhur dritë në disa veçori që zbulojnë tipin e tij, shtatlartë, zakonisht mbi mesataren, me këmbë të drejta e të forta, me fytyrë vezake, me ngjyrë pak të zeshkët, flokëzi e qafëgjatë, me sy të mprehtë… Po të jesh pak i vëmendshëm, kur ndodhesh në Italinë e Jugut dhe në Sicili, këtë tip mund ta dallosh nga vendasit. Ai ka po ato tipare që janë të veçanta për të gjithë ne shqiptarët. Këto mund të vihen re që në vështrimin e parë, po mund të dallohen mirë kur jeton në mes tyre. Sidomos te pleqtë shquan se forma e kokës e trajta e fytyrës, balli e mjekra me ato vija të rrudhura, hunda e drejtë a pak e përkulur, sytë dhe mënyra si shikojnë, të kujtojnë një njeri të njohur e të afërt që ke lënë në Shqipëri. Ky është zbulimi i parë dhe ndoshta më i lehti. Po karakteri, psikologjia, mentaliteti, janë një botë e tërë. Për këtë mund të flasë ai që ka pasur mundësi të gjendet në mes të arbëreshëve, ka jetuar për një kohë në katundet e tyre,ka hyrë e ka dalë nëpër shtëpi, është ulur në një tryezë, ka luajtur e ka pirë me ta, ka biseduar e ka kënduar. Dhe vëren se arbëreshët kanë po ato tipare të karakterit e të psikologjisë shqiptare. Dhe pas këtij pohimit mund të renditen një varg vetish të njohura, si patriotizmi e natyra liridashëse, krenaria e guximi, mikpritja e besa… Madje, për ta shprehur më qartë, murnd të përmendim dhe mendimin e V. Dorsës, se “Arbëreshi i ngjan njeriut… që bën shumë, që ka besim në fjalët e veta dhe bën pa forcën e të tjerëve. I çiltër jashtë mase, arbëreshi nuk ka frikë të shfaqë hapur stimën, qortimin, urrejtjen. Ai s’është i korruptueshëm, është zemërgjerë, mikpritës e mirënjohës, ose mendime të vetë studiuesve italianë që në shekullin e kaluar: “Të durueshëm dhe këmbëngulës e në njëjtën kohë të pasur me fantazi e imagjinatë, ata nuk durojnë asnjë sundim e asnjë politikë tiranike». (Oresto Dito)….Të mençur… me shpirt krenar, të patronditur nga fati i rëndë, janë dashamirës e të sjellshëm, sidomos mikpritës. (Nikolla, Leoni).
-Janë njerëz të përzemërt, me një mikpritje që të kujton lashtësinë, pa nënkuptime e rezerva, krenarë për origjinën e tyre”. (Katerina Pigorni).
Po sado qartë e saktë, të thuhen, prapë këto do të mbeteshin epitete të thjeshta, në qoftë se në një mënyrë a në një tjetër nuk do të hynim në jetën e historisë arbëresh dhe nuk do t’i nxirrnim ndonjë përfundim prej andej. Realiteti arbëresh është një libër gjithnjë i hapur.
Sjell ndër mend gjithë ato përshtypje e njohuri që mora me vete dhe nuk di nga t’ia nis. Cila është rruga për të depërtuar në botën arbëreshe e për të dalë pastaj te karakteri, psikologjia e mendësia e kësaj bashkësie të vjetër shqiptare në dhe të huaj. Mos duhet nisur nga krenaria dhe dinjiteti, nga shkalla e lartë e individualitetit, që ai shfaq për të treguar identitetin e vet?
Shpesh dëgjon nga arbëreshët shprehjen “Na jemi na”, që e shqiptojnë me krenari po dhe me një lloji pezmi e shqetësimi që ua diktojnë rrethanat e përvoja. Duke jetuar ‘larg atdheut e duke mos dashur kurrsesi të humbasë, arbëreshi e ndien të domosdoshme të shprehë në njëfarë mënyre se kush është e ç’e dallon nga të tjerët.
Mund të dëgjosh plot ngjarje a episode që zbulojnë karakterin e pavarur të arbëreshit. Tregojnë se shkon njëherë arbëreshi në Romë. Nuk ka rëndësi a ishte ky Gjergji a Zefi, ishte nga Kalabria apo Siçilia. Rëndësi ka se ai shkon në Romë dhe vete të shohë Katedralen e Shën-Pjetrit, për bukurinë e së cilës kishte dëgjuar aq shumë. E shikon ’mirë e mirë dhe, pa thënë asgjë, kthehet në katund. Atje e marrin vesh gjindja se ai kishte parë katedralen e famshme dhe e pyesin:
—E si t’u duk kisha e Shën-Pjetrit?
Arbëreshi përgjigjet serbes:
—Nuk ishte e keqe. Pak më e madhe se kisha e katundit tonë!
Kaq tha arbëreshi. Nuk desh ta jepte veten. Jo se katedralja nuk i pëlqeu. Po ajo ishte e huaj dhe për të huajën arbëreshi nuk nxitohet të entuziazmohet. Pastaj, duke ngritur të huajën, ai padashur ul të tijën. Këtë gjë s’ia lejon vetes. Jeta e ka mësuar që të jetë krenar për çdo gjë të vetën, që i shërben afirmimit të tij. Dhe për të mbajtur e ruajtur këtë emër, që herë-herë ngjan sikur e ka kthyer në sinonim të ekzistencës, arbëreshi ka mbijetuar e ‘ka luftuar gjatë tërë historisë së vetë. Duhet ta njohësh mirë këtë histori, pa t’ia jetosh e ta kuptosh psikologjinë e karakterin, ndryshe, gabon. Kur zbritën në brigjet perëndimore të Adriatikut, ata nuk ishin një masë endacakësh pa emër, po pjesë e një Populli të lashtë, me histori e fizionomi të formuar. Ata vinin nga një vend i njohur në tërë botën e atëhershme pwr luftwn heroike kundër pushtuesve osmanë. Shumë prej tyre kishin qenë luftëtarë ose bij luftëtarësh të Skënderbeut. Vinin të mbuluar me kulmin e fitoreve të kushedi sa betejave, kishte nga ata që nuk u qenë mbyllur ende plagët në trup. Këta kalorës të lirisë, sapo zbritën në brigjet e Italisë, ktheheshin me-njëherë në refugjatë, në një masë njerëzish që tani e tutje ishin në dorë të princave e të papës, në vend të huaj.
Kjo i bënte ata të vuanin fizikisht e shpirtërisht, megjithatë nuk e humbën vetëdijen etnike. E ruajtën ‘krenarinë, jetuan me kujtimet e atdheut e të udhëheqësit të pathyer. Arbëreshët vinin këndej Adriatikut jo vetëm si luftëtarë të njohur, po dhe si njerëz të lirë, që nuk e njihnin skllavërinë e princave e të baronëve. Ligjet e normat drastike të së drejtës feudale ata nuk mund t’i pranonin, prandaj shpërthyen menjëherë në konfliktet dhe nisi kështu për ta lufta e gjatë për ekzistencë. Armiqtë e tyre të urryer nuk ishin tani turqit, po feudalët, kardinalët, priftërinjtë katolikë. Arbëreshi tani do të pranonte taksat e detyrimet e rënda dhe sa e sa vargonj të skllavërisë feudale.
Zotërinjtë feudalë do t’i harronin shpejt meritat e shqiptarëve, gjithçka kishin bërë ata për Evropën e Italinë, siç do të harronin dhe fjalët e njohura që Skënderbeu i kishte thënë princit të Tarantos më 1460: «Ti nuk i njeh shqiptarët e mi>>
Dhe koha provoi se kur feudalët vendas, ua njohën meritat, ishte tepër vonë, se atëherë kishte hyrë në mes tyre dhe arbëreshëve, një armiqësi e përjetshme, mëria në mes shtypësve e të shtypurve. Ky ishte fillimi i kalvarit arbëresh, i faqeve të para të kronikës së pafund të revoltës, të endjeve pa cak e të qëndresës. Dhe princat e kardinalët, nga frika e shpirtit liridashës të arbëreshëve, bënë ç’kishin në dorë që të mos i linin afër, po t’i shpërndanin në tërë Italinë e Jugut e në Siçili. Të ndarë nga njëri-tjetri nga male e dete, të shkëputur nga atdheu, të harruar nga bota, ata e nisën jetën nga e para. Dhe kjo ndodhte pikërisht në kohën e Rilindjes së ndritur evropiane. Arbëreshët që i kishin hapur rrugën kësaj lëvizjeje të madhe dhe i kishin mbrojtur vlerat e saj me gjak, detyroheshin të ktheheshin prapa dhe të nisnin luftën pa ekzistencë. Kjo ishte një qëndresë tronditëse, shkatërruese, pa cak kohor, e vetmuar, që do të zgjaste qindra vjet. Do të vinte një ditë që pas katër shekujsh arbëreshi do t’i thoshte keto fjalë një udhëtari të huaj:«Ti tani nuk sheh veçse hijen tonë. Dikur do të kishte gjetur akoma Shqipërinë në malet e Kalabrisë, po a thua jemi ne, vetë ne?» (Sh. Dedie — Kujtime nga Kalabria —Shqiptarët në Itali, 1831).
Në situatën e re arbëreshi duhej të lëshonte rrënjë në tokë të huaj, të krijonte një atdhe të dytë. Një atdhe te dytë? A nuk ishte ky mendimi më absurd? Si është e mundur që arbëreshi të mendonte se do të mbetej përgjithmonë këtu, kur atdheu i tij gjendej përtej Adriatikut? Ai do t’i këndonte i trishtuar:
Te viset e huaja, ku dritën na pamë kur Arbërinë, lamë ti mos na harro…
Ti ndihna të shkojmë nga prindërat erdhën, ku gjakthin derdhën për t’ëmblin vend!
Po dheu i huaj s’i përfillte këto brenga. Arbëreshi duhej t’i bënte ballë jetës, t’u përshtatej kushteve, të rronte si gjithë bota. Kjo do të thoshte, me fjalë të tjera, t’u nënshtrohej princave, baronëve, kishës. Kështu që pozita e tij u bë tepër e vështirë dhe e ndërlikuar.
Ç’nuk bënë zotërinjtë e tokës e të kishës që të futnin mosbesimin e mërinë në mes të arbëreshëve dhe ltijve! Me kohë të gjitha këto do të çonin në konflikte, që ndonjëherë do të ktheheshin dhe në ndeshje të përgjakshme, në sharje e fyerje ndaj njëri-tjetrit, në situata të ndera e të ftohta. Kështu lindën shprehje fyese, proverba përbuzëse, anekdota me një ‘humor cinik. Kjo niste me nofkën «gjegj» që u ngjitën. Pas kësaj nofke do të vinte shpërfillja, përbuzja, mosbesimi, e deri dhe armiqësia. Në këtë atmosferë mesjetare u përhapën monstruozitete si “gjegjet hanë njerëz të gjallë”’ se ata janë të egër e bëjnë shoqëri me djallin, etj.
Arbëreshët u mbrojtën me të njëjtat mjete e mënyra, me shprehje të tilla të pamerituara si: «Ruhu prej ltijve, si “druvari ndan spatat “Ltiri t’ha, t’pi e t’lidhën», «Denk e lti, mos klit (fut) ndë shtëpi se t’thyen poçe e kusi». Madje, kishte raste që fjalën’ltij” ndonjë prift arbëresh ua shkruante fëmijëve nën këpucë e këshillonte: «Shkeleni, shkeleni, litrin, gjithë diten e me nat (nesër) përsëri do t’jua shkruajë”. Kjo gjëndje e acaruar e me pasoja të rënda nuk ishte aspak e mirë për të dyja ipalët, veçanërisht për arbëreshët.
Ata u mbyllën në katundet e veta. Ky izolim nuk ishte shenjë konservatorizmi e individuailizimi, siç pretendon ndonjë historian tendencioz e i painformuar mirë, por një mënyrë a formë mbrojtjeje. Vetëm kështu, ai do të mbante gjallë, siç mbajti në të vërtetë, identitetin, gjuhën e zakonet.
Jeta e veçuar, gati e mbyllur, zgjati me shekuj dhe duhet të presim shekullin e nëntëmbëdhjetë, që arbëreshët të hapen dhe marrëdhëniet me vendasit të ftillohen e të qartësohen, të shëndoshen. Ishin flakët e luftës për liri, të luftës kundër pushtuesve e tiranëve, që i bënë arbëreshët të dilnin nga katundet e tyre dhe të hidheshin nëpër beteja heroike. Në këto beteja, krah për krah me vëllezërit italianë, ata shkruan faqe heroizmi, treguan ndjenja të larta liridashëse dhe trimëri të pashoqe, shpirt vetëmohimi e besë. Ata fituan nder e lavdi në ‘kryengritjet e ngjarjet historike, ku vendosej fati Italisë, në vitet 1789, 1844, 1848, 1860. Pas gjakut të derdhur bashkërisht kundër të njëjtëve armiq, zuri të shpërndahej mjegulla e mërisë dhe e mosbesimit, e fyerjeve dhe e shpifjeve. Zjarri i luftërave çlirimtare e zbuloi arbëreshin para opinionit italian në një dritë të re. Qindra arbëreshë morën pjesë në luftën klandestine kundër Burbonëve, mijëra të tjerë u hodhën në betejat garibaildine. Prej tyre dolën heronj dhe u shquan komandan-te e politikanë, poetë e gazetarë, intelektualë mendjendritur, që kanë hyrë tanimë në analet e historisë moderne italiane. Vetë Garibaldi do të thoshte këto fjalë nderimi: -«Shqiptarët janë luan…. trima që u mbuluan me dner e me lavdi në të gjitha Iuftërat.»
Përlindja italiane a Rizorxhimentoja, për të cilën u derdh aq gjak e u bënë aq sakrifica të përbashkëta, tregoi, veç të tjerash, se për popujt gjithmonë armiqtë janë të njëjtë,e se arma e tyre e përbashkët është solidariteti, mirëkuptimi. Megjithëse borgjezia italiane, pas ribashkimit të vendit i mori nëpër këmbë idealet liridashëse dhe i farkëtoi vargonj popullit, lufta e sakrificat e përbashkëta i rrëzuan disa barriera që i ndanin, dhe vendasit u njohën arbëreshëve vetitë per të cilat ata shquheshin.
Në Italinë e bashkuar pozita e katundit arbëresh nisi dalëngadalë të ndryshonte. Dyert e tij filluan të hapeshin dhe vendasit nuk ndaloheshin si më parë. Megjithatë mbeti zakoni që u quajt «e marta e ltinjve», dita kur bëhej dallimi ndërmjet arbëreshëve e italianëve. Atë ditë disa djem visheshin me lëkura dhe me shkop në dorë i afroheshin gjendjes së mbledhur dhe e urdhëronin të shqiptonte fjalën qiqër. Ai që e shqiptonte ‘këtë fjalë, ishte arbëresh, përndryshe, ishte lti, sepse italianët nuk e shqiptojnë dot qiellzoren q. Atëherë djemtë me shkop në dorë, për ta dalluar të huajin nga të vetët, e nxinin në ballë e në faqe me fundin e tiganit a të kusisë. Kështu, arbëreshët u tregonin vendasve se një ditë në vit ju jeni të ndryshëm nga ne, kurse ne gjithë vitin jemi të ndryshëm nga ju!
Në ditët tona marrëdhëniet midis tyre, janë të mira dhe nga hijet e së kaluarës ka mbetur vetëm kujtimi i keq. Vendin e mërive, e të fyerjeve e kanë zënë mirëkuptimi, qëllimet e idealet e përbashkëta, respekti i ndërsjellët. Por siç e thamë, karakteri dhe psikologjia e arbëreshit nuk mund të kuptohet pa mjedisin ku u gjend ai. Mërgimi i dha e i mori natyrës së tij. Kur takohesh me të, e para gjë që të shfaq nga natyra e tij është përmallimi që ka për ty dhe për Shqipërinë. Të duket sikur ai të ka pritur dhe kjo është një pritje që e ka trashëguar nga të parët e vet, ndoshta nga i ati, po më me siguri nga gjyshi. Plaku mund t’i ketë thënë: «Ti nuk je jetim, ke vëllezër e motra në këtë botë dhe një ditë dije se do t’i takosh. Ti nuk je pa atdhe, atdheu yt është Arbëria!>>
Kështu, krejt vetvetiu këto mendime të çuditshme hyjnë në botën e tij dhe ai përjeton në njëfarë mënyre një gjendje pritjeje e ëndërrimi. Diçka pret, dikë do të takojë. Mund të ndodhë ose mund të mos ndodhë. Po shpresa në karakteret e forta nuk humbet. Ai ka mall e nostalgji qoftë dhe të mjegulluar, për njerëz të panjohur e për një tokë që s’e ka parë kurrë. Ç’është kjo? Mos është romantizmi i përjetshëm arbëresh? Një romantikë e lindur nga kushtet e mërgimit, nga pritja e gjatë, nga malli? Mos vjen kjo nga ideja se do të kthehemi një ditë, nga mendimi se do të takohemi nje ndonjëherë?, Para se ta ndeshësh këtë kur takohesh me një arbëreshë e ndjer kur ke lexuar folklorin e tij, a veprat e të de Radës, të Darës e të Serembes. Pra, nuk është një vegim a një përshtypje e çastit, po një realitet psikologjik. Pritja e gjatë dhe dëshira e përjetshme e njohjes kanë bërë të lindin rite, të krijohen legjenda, të thuren këngë tronditëse prej këndej vjen dhe romantika, si pjesë e psikologjisë arbëreshe, ajo ndjenjë fisnike e humane me vizione të gjaila optimiste për atdheun stërgjyshor.
Po në qoftë se ndarja nga atdheu i të parëve ka bërë të përftohet një psikologji romantike, kjo nuk do të thotë se arbëreshi është natyrë romantike. Përkundrazi, ai është njeri realist. Jeta e vështirë dhe rrethanat e ndërlikuara historike e kanë mësuar t’i gjykojë ngjarjet e njerëzit ashtu siç janë, ta shohë të vërtetën në sy, të mësohet me rreziqet e t’i shquajë djallëzitë.
Fakte të panumërta nga e kaluara, po deri diku dhe nga jeta e sotme, dëshmojnë se arbëreshi ka mundur të krijojë një pavarësi relative të mendimeve e qëndrimeve të veta. Ai ka kokën e vet dhe jo rastësisht dëgjon shprehjen «arb reshi ka kokën e thatë» ose «krocë arbëreshe». Këtë kokë e njohin tanimë të gjithë në ato vise ku jetojnë arbëreshë, ia njohin vetë ata njëri-tjetrit, po ia dinë mirë dhe vendasit.
Natyra realiste dhe karakteri i tij i pavarur, të shoqëruar me këmbënguljen e njëfarë rreptësie, të kujton psikologjinë e malësorit. Duke qenë në thelb fshatar, ai ka një prirje të përgjithshme për t’u mbajtur fort pas interesave të veta, për të ruajtur pozitën e vet ekonomike e shoqërore nga rreziqet e mundshme. Prej kësaj vjen dhe ndonjë shfaqje individualizmi në jetën shoqërore që e ushqen dhe vetë shoqëria me klasa. Me këtë shpjegohet dhe vështirësia që ndesh herë-herë organizimi dhe bashkimi i lëvizjes arbëreshe.
Një veprimtar arbëresh, duke na folur për këtë, do ta shpjegonte kështu:
—I ardhur fshatar nga Arbëria, në një mjedis fshatar këtu, arbëreshi është dy herë fshatar!
E vërteta është se ka probleme të natyrës sociale e psi- kologjike, po qëllimet e mira që shtron sot lëvizja arbëreshe pengohen edhe nga faktorë të rëndësishëm, siç janë shpërndarja e arbëreshëve në dhjetë provinca të vendit, pluralizmi politik, humbja e besimit te politika etj.
Arbëreshi çmohet si njeri i ndershëm e i drejtë, ka burrëri, dhe, kur jep fjalën për një çështje të drejtë e mban. Njihen shprehjet e tij proverbiale: «Mbaje fjalen e kë të nderën », ose «Nderi vlen më se dielli». I gatuar e i formuar kështu, ai priret nga ide dhe punë të mira, nga mendimi i shëndoshë dhe vepra të guximshme. I nderon të tjerët siç respekton dhe ligjet e zakonet në mjedisin ku jeton. Sështë e rastit që arbëreshët në Itali asnjëherë nuk i kanë sjellë shqetësime këtij vendi mikpritës. Po kështu merr kuptim dhe fakti që arbëreshët, duke jetuar në krahina me probleme e plagë të rënda shoqërore, kanë qëndruar larg Mafias se Kamorës. Një qendër si Korleone, vendlindja e hershme e Mafies, gjendet mu në mes të katundeve arbëreshe të Sicilisë dhe këta të fundit prapë s’janë përzier me të.
Vetë italianët do t’i dëgjosh të flasin me respekt per ta, për karakterin dhe ndershmërinë e tyre. Jeta e përditshme në komunat arbëreshe është dëshmi e një jete të ndershme qytetare, me dashuri për punën e përparimin, larg veseve. Arbëreshi, sado «i mbyllur» në katund, sado që e vështron jetën nga interesat e pozita e mbrojtjes së vetes e të bashkësisë, është i ndjeshëm ndaj çdo gjëje që ndodh në vend e në botë. Politika asnjëherë s’ka qenë e huaj për të. Madje, është e njohur ndjeshmëria e mprehtësia e tij politike. Natyra e tij luftarake e ndjenjat demokratike kanë bërë që ai të dallohet për sensin e progresit, ta ndiejë e ta çmojë përparimin. Shekulli i kaluar është një pohim i shkëlqyer, është provimi i suksesshëm që dha bashkësia arbëreshe para kombit italian. Arbëreshi luftoi për një politikë të drejtë, u ngrit dhe fitoi mbi pushtuesit e tiranët e për një Itali të lirë e të bashkuar. Dhe ishte po ky arbëresh, pastaj, që nuk u pajtua me monarkinë që krijoi borgjezia dhe aristokracia feudale italiane. Mendimtarët e politikanët më të guximshëm arbëreshë, poetët më të mirë qenë të parët që s’u pajtuan me realitetin e ri politik. Mjafton të lexosh vjershat plot zhgënjime e revoltë të V. Stratigoit e të të mbetet në mend lajtmotivi -«Jetë e ligë, jetë e shtrembër»-.
Në luftën për progres shoqëror arbëreshi do të mbetet ngaherë i çiltër në ndjenja e mendime. Edhe kur ndonjë arbëresh, qoftë dhe me merita në luftën garibaldine, si Fra çesko Krispi, do t’i kthejë shpinën popullit e do të bëhet shërbëtor i mbretit e i aristokracisë feudo-borgjeze, ai do te dijë ta dënojë. Kur shkuam në Palac Adriano, na treguan se në Ribera, në shtëpinë ku kishte lindur Krispi, qeveria italiane kishte vendosur një pllakë nderimi për të, arbëreshët e hoqën dhe e bënë copa-copa. Ata nuk ia falnin Krispit urdhrin, që kishte dhënë si kryeministër për pushkatimin e disa fshatarëve, të cilët ishin ngritur kundër çifligarëve. U kishte premtuar toka dhe fjala nuk qe mbajtur! Në mes pionierëve të përhapjes së ideve socialiste në Itali qëndrojnë dhe arbëreshët Anastas Drami dhe Nikolla Barbato, i pari nga katundet e Kozenoës e tjetri nga ato të Sicilisë. Edhe pse s’ka lidhje të drejtpërdrejtë me mjediset arbëreshe, prapë arbëreshët krenohen me origjinën shqiptare të Antonio Gramshit, i cili njihet e çmohet jo vetëm si militant i shquar, po dhe si njeri me karakter të fortë, konsekuent e i pa përkulur, tamam «krocë arbëreshi>>.
Në ditët tona bashkësia arbëreshe nuk është shkëputur nga acutat liridashëse e demokratike, ajo qëndron në anën e forcave përparimtare të popullit italian. Në zgjedhjet, pavaresisht nga demagogjia politike në shumicën e komunave ekzistojnë forcat demokratike; në krye të administratave të tyre arbëreshët zgjedhin zakonisht njerëz me qëndrime e pikëpamje radikale. Sigurisht, në atmosferën dhe lojën e pluralizmit politik që zotëron në Itali, arbëreshi s’e ka të lehtë të orientohet, por prapë e kupton fjalomaninë elokuente të partive të ashtuquajtura të majta, di t’i shquajë fishekzjarrët e tyre politikë nga e vërteta.
Rrinim shpesh, sepse na lidhte puna, dhe bisedonim me një arbëresh, që ishte dhe veprimtar i partisë revizioniste të komunës. Burrë energjik, i mençur, fjalëpak e kurajoz. Duke i ditur mendimet tona, shpesh u shmangej temave që mund të ngjallnin debate, por nga ana tjetër nuk mund të mos tregonte simpati e respekt qoftë dhe tërthorazi për qëndrimet parimore të Partisë sonë. Natyrisht, ai kishte pikëpamjet e veta, veç një natë në bisedë e sipër në një çast sinqeriteti të plotë, na tha gjithë duf:
— Ju keni të drejtë. Në qoftë se e quajmë veten revolucionar revolucioni nuk bëhet me fjalë. Kjo është abeceja marksiste. Vërtet, ne themi shumë fjalë. Themi këtej nëpër katunde, po edhe më shumë atje në qytet. Dyzet e ca vjet kemi që i përsëritim…
Ne s’folëm dhe e pamë në sy. Ai buzëqeshi hidhur dhe vazhdoi:
E dini si u thashë njëherë i nxehur shokëve të komitetit kur më zgjodhën në një forum? Mos më thërrisni më, po qe puna për fjalë. Unë do të vij vetëm atëherë kur të më çoni fjalë e të më thoni: «merr armën se do të fillojmë…*-
— Çfarë do të filloni? — pyeti njëri nga ne jo pa habi
— Revolucionin! — u përgjigj ai pak si me druajtje
Ne qeshëm, duke harruar se ai mund të fyhej. Dhe vërtet ai ishte vrenjtur në fytyrë.
— Nuk e besoni?
— Dëshirën tënde të sinqertë e kuptojmë, po që ju mund ta bëni këtë, nuk e besojmë kurrsesi. Ti vetë i pari nuk e beson, sepse, të paktën, e di që revolucioni nuk bëhet me parulla.
U hap pastaj një debat i vështirë, nga i cili u bindëm dhe një herë se ai megjithëse fliste sinqerisht, në thellesi të arsyetimeve të tij kishte diçka racionale që nuk shkonte, q s’i qëndronte ballafaqimit me realitetin, me jetën e gjallë. Mund që kjo të ishte logjika e njeriut të ndershëm.
Sigurisht dhe në mjediset arbëreshe vepron e gjithëpushtetshme struktura sociale. Ka kontraste ekonomike, ka te pasur e të varfër, kontradikta klasore, të cilat mund t’i njohësh duke hyrë thellë në jetën e tyre. Edhe në katundet arbëreshe ndihen problemet që kanë kapërthyer fshatin italian, ndihen hallet e viseve jugore të Italisë, me antagonizma të dhimbshëm dhe zhvillim të ngadalshëm. Këto rëndojnë edhe më tepër në jetën e arbëreshit.
Ai në këto raste zakonisht nuk di të qahet, po di të zemërohet e të revoltohet. Dhe kur të qëllon që ta dëgjosh, dije se nuk është vetëm ai. Pas tij janë sa e sa të tjerë, që jeta e padrejtë i mundon e i bën të vuajnë, po ata qëndrojnë burrërisht. Gjendjen e tyre shpirtërore mund ta kuptosh dhe duke lexuar në shtypin arbëresh, megjithëse problemet shoqërore-ekonomike zënë pak vend në të. Më shumë flitet për jetën kulturore e traditat. Por prapë të sëmbon në zemër kur dëgjon rrëfime të dhimbshme, si kjo që bën një punëtor arbëresh, i cili dergjet në punë e s’ka kohë të gëzojë fëmijët: «Kam një bilëz, që ka dy vjet e të them se s’di si qesh, si qan, si thërret. S’di si rritet, ndë është e sëmurë, ndë është mirë. S’di osgjë, se menatë vete ‘të punoj, mbrëmanet, kur mblidhem, është mbë shtrat e kështu vetëm mund ta puth ëngjëllin tim!»
Me gjithë krajatet e jetës, arbëreshi ka një humor të mrekullueshëm. Mirë thonë se gjuha e tij është me gjemba dhe gazi arbëresh është një gaz i veçantë. Ai shkaktohet nga gëzimi, por, ndryshe nga gazi i zakonshëm, është ngacmues, qesëndisës, godit, mohon ose pohon. Kjo është arsyeja e peshës që mban në jetën shoqërore, sepse përcjell mendime e shqetësime të bashkësisë dhe këtë e bën në rastin më të mirë pa rënë në banalitete. Ky gaz lind dhe në situata dramatike, depërton në vorbullën e fatkeqësive, trazohet me mërzinë e hallet e njerëzve, merr pjesë në luftën e jetës. Po ta vësh re mirë, humori arbëresh ingjan më shumë humorit të malësorit, është i hollë, lakonikë e i çiltër, po dhe me nëntekstë e goditje të largët. Duhet të jesh i vëmendshëm për ta kapur e për ta kuptuar. Kur takohen dy arbëresh, zakonisht bëjnë humor. Mund t;i marrësh vesh se ç’thonë , por më shumë si merr vesh jo vetëm se flasin shpejtë , por dhe s epërdorin në gjuhë figurative. Vetëm pas një ambientimi me jetën dhe gjuhën mund ta kuptosh e jetosh gazin e tyre.
Në takime shoqërore e familjare, në raste festash e gostish humori thuret në vargje. Vargjet i ngrenë aty për aty, kur çojnë një dolli apo kur ngacmojnë njëri-tjetrin. Nëpër katunde janë mjaft të përhapura zgarxetat, krijime lirike satirike, njëlloj kupletesh, të thurura zakonisht nga njerëz të shkolluar. Ato ndërtohen mbi fakte a episode të jetës së përditshme, për të meta, vese e gabime të njerëzve të caktuar ose anonimë dhe gjejnë gjithnjë auditor. Kur thuhen ato, gjindja shpërthen, në gaz dhe krijohet një atmosferë shumë e këndshme.
Edhe dollitë ose brindeset, siç i quajnë arbëreshët, ndonëse janë urime për shëndetin dhe mbarësinë në jetë, shoqërohen me humor dhe herë-herë kanë gaz të holle. Kur dëgjon ato, të duket për një çast se je në Labëri. Ende nuk i kam harruar disa dolli, që ngrinin gjatë gostive: Për njëqind vjet, sempre ndër të bardha! (Njëqind vjeç, gjithmonë faqebardhël), U dua t’falinj gjithëve: patronin (të zotin) e zonjën e shpisë e një të falja i dërgonj gjithë Shqipërisë; Buza më qeshën e zemra më qanë, se vëllezërit shqipëtarë i kemi ndanë; Kur thahet deti e nxierr një mollë, atëherë të harron ty i pari mall.
Arbëreshi është, dhe një natyrë artistike. S’besoj të gjendet bashkësi tjetër në diasporën shqiptare që të ketë rrezatuar aq bukuri e hijeshi sa bashkësia arbëreshe e përtej Adriatikut. Burrat e gratë e saj janë tepër të ndjeshëm ndaj çdo gjëje të bukur e fisnike, të fortë e madhështore. Këtë e sheh te njerëzit, në jetën zakonore, e sheh nëpër shtëpitë e katundet, e shijon në artin e tyre.
Arbëreshi di të admirojë e të shijojë natyrën dhe artin. Admiron lulet e zogjtë, po dhe muzikën e vallet, kostumet dhe muret e shtëpisë. Atë e prek pamja e maleve dhe e fushave, e lumit dhe e detit. Ai e përjeton thellë vizionin e përjetshëm të atdheut stërgjyshor. Bukuria dhe hijeshia janë pjesë e jetës dhe e shpirtit arbëresh. Këto vlera të shquara njihen dhe çmohen tanimë dhe nga vetë italianët. . , :
Arbëreshi i ka shumë për zemër artet, jo vetëm i do e i admiron, po dhe krijon vetë me shpirt artistik. Tradita e pasur që trashëgon ai, si folklori i mrekullueshëm apo kostume mahnitëse janë dëshmia më e qartë, po ai s’mjaftohet vetem me traditën.
Sot ndesh në masë njerëz që shkruajnë, pikturojnë, këndojnë, thurin këngë. Arbëreshi e ka të zhvilluar ndjenjën e fjalës dhe ka shumë që thurin vargje, sa të duket se të gjithë janë poetë. E vërteta është se ka plot vjershëtarë popullorë, çdo katund ka të vetët, po dhjetëvjeçarët e fundit letërsia po përjeton një risi të vrullshme me këngët e bukura të kënduara nga disa breza poetësh të talentuar. Kjo tregon se muza e De Radës dhe e Darës, e Serembes dhe e Santorit është e gjallë. Duhet t’i japim të drejtë poetit që thotë se «shpirti i arbërit rron», dhe ku rron ai, kënga arbëreshe nuk ka të vdekur!
Bota arbëreshe është e gjerë dhe e thellë, si vetë jeta. Ne mund ta shohim, ta ndiejmë, të flasim e të shkruajmë për të dhe prapë mund të kemi thënë pak./dita