Nga Dashnor Kokonozi
Kur për arsyen e vetme që të kuptosh më mirë tokën ku ke vënë këmbën, interesohesh për atë vend, është edhe rasti të kuptosh se historitë përjetohen ndryshe aty ku kanë ndodhur.
Më 1340 Pedro, princi trashëgimtar i Portugalisë, martohet me Constance de Castille. Si zonjushë shoqërimi, bashkë me të erdhi edhe Ines de Castro, vajza e shambellanit të madh të Kastijës (Castille). Pra është një martesë spanjollo-portugese. (Zatën, Portugalia dy shekuj më parë nuk ekzistonte, është krijesë e këtyre aleancave, por edhe me një krushqi të largët franceze).
Në vend që t’i mbante sytë te gruaja e tij, Pedro i Portugalisë rrëmbehet nga një pasion gllabërues dashurie për Inesin e bukur. Për të mirë a për të keq, kjo histori nuk u mbyll aty, te katedralja e Lisbonës.
Oborri mbretëror nuk e shihte mirë një dashuri të tillë që princi Pedro as që mundohej ta fshihte. Ai i siguroi një kështjellë të dashurës së tij dhe pati me të katër fëmijë. Alfonsi IV, babai i Pedros edhe pse nuk i pëlqente, u detyrua të heshtë.
Veçse një gjë të tillë nuk e bënë këshilltarët e tij. Nga frika e prishjes së aleancave politike me familjet e mëdha spanjolle, siç thonin. Kështu ndodhi që me pëlqimin e heshtur të Alfonsit, dy nga oborrtarët e tij e vranë Inesin. Tërbimi i Pedros ishte i madh, madje Portugalia u përfshi edhe në një luftë civile. Por jo më shumë. Pedro e dinte se i ati, nuk ishte në origjinë të atij krimi dhe priste orën e tij të hakmarrjes.
Dhe ajo orë erdhi pas vdekjes së Alfonsit. Pedro u shpall mbret. Tani të gjitha kushtet ishin plotësuar që hakmarrja të ishte në lartësinë e dashurisë për Inesin! Sëpari urdhëroi të masakroheshin para syve të tij dy oborrtarët vrasës të Inesit. Por jo gjithfarësojshe. Urdhëroi xhelatin t’i hapë të parit dy brinjë dhe prej aty t’i nxjerrë zemrën që ende regëtinte. Por meqë kjo ndodhi shpejt për të dytin urdhëroi t’i hapen brinjët nga pas, që t’i nxjerrnin zemrën më me ngadalë…
Nuk po shkoj më tutje sepse edhe vazhdimi nuk është shumë ngazëllyes. (Përfytyroni pak kur këtë ta shpjegojnë në sallat ku na ndodhur).
Disi më i qetë Pedro i Portugalisë urdhëron të zhvarroset Inesi i tij nga kopshti i Quinta de las Lagrimas. Ajo tashmë është veç një skelet i veshur me rrobe të kalbura e shqyera. Urdhëron të pastrohet nga vemjet dhe të vishet me kostumin që i takonin rangut ta saj.
E shoqja legjitime i ka vdekur. Pedro ka vendosur ta kurorëzojë Inesin mbretëreshë të Portugalisë. Për këtë, skeletin e saj të veshur si mbretëreshë urdhëroi ta vënë në sallën e fronit. Oborrtarët të gjithë me radhë u detyruan të bien në gjunjë dhe t’i puthin unazën mbretërore të vënë në eshtrën e gishtit të saj të unazës….
Ndonëse kronistët spanjollë kanë rolin e tyre në përcjelljen e kësaj historie, ajo me gjithë makabritetin që përmban shihet si një rast kur dashuria i ka mbijetuar edhe vetë vdekjes.
ObserverKult
Lexo edhe: