Ingeborg Bachmann, Marilyn Monroe e letrave gjermanofone

Pothuajse gjysmë shekulli pas vdekjes së saj, poetesha dhe romansierja Ingeborg Bachmann mbetet një mit i letërsisë së pasluftës së dytë botërore. E cilësuar si Marilyn Monroe e letrave, ajo ishte një yll i palumtur. Por, a paguhet krijimtaria, sidomos te një grua, me peshën e saj të dhimbjes?

Nga Jowlle Stolz

« Një qenie njerëzore duhet të jetë në gjendje të përballet me të vërtetën ». Kjo fjali e një fjalimi të Ingeborg Bachmann në Bon më 1959, gjindet e gdhendur në gurin e varrit të shkrimtarës në Klagenfurt.

Pothuajse gjysëm-shekulli pas vdekjes së saj, Ingeborg Bachmann mbetet një ‘përbindëshe’ e shenjtë, një yll në zhanrin e saj. Një nga çmimet më të rëndësishme letrare në sferën gjermanike, për të cilin garojnë kandidatë nga Gjermania, Austria dhe Zvicra gjermanishtfolëse, mban emrin e saj.

Ingeborg Bachmann është e bukur dhe seksi. Ajo shkruan mirë dhe në mënyrë përrallore. Ajo ngritet në Panteonin e Letrave Gjermanike, në kohën kur gratë nuk janë shumë të pranishme dhe kur ato fillojnë të reflektojnë mbi marrëdhëniet e tyre me burrat.

Një fotografi e vitit 1965 e tregon atë me një fustan ngjyrë të çelur dhe pa mëngë, me qafën e zbukuruar me perla, flokë bjonde bukur të lëmuara, pranë kancelarit socialist gjerman Willy Brandt, shkrimtarit Günter Grass dhe shumë burrave të tjerë, që të gjithë me kostume të errëta. Kjo “performancë feminiteti” shkëlqyese është tipike e kohës. Kritikët e analizuan vënien e saj në skenë, kur hedhte gjëra rreth saj që burrat nxitonin t’i merrnin. Një koreografi lartësuese.

Janë 85.000 fotografi të saj në bankën e fotografive të Google: ajo tejkalohet vetëm nga Jelinek që i takon brezit të internetit. Bachmann është padyshim Marylin Monroe e letrave. Një yll i palumtur prapa syzeve të saj të errëta.

Pas disa vitesh, ajo bëhet një grua e rrënuar nga alkooli që do të vdes nga vuajtjet e vdekjes të zvjerdhjes brutale të djegeve të shkaktuara nga zjarri në banesën e saj në Romë për shkak të një cigare. Krahët e saj ishin me plagë që nuk i ndjente edhe kur bishtat e cigares i binin nga duart duke djegur lëkurën e saj të anestetizuar nga ilaçet, shpjegonte një nga vizitorët e saj.

Bachmann nuk e duronte Austrinë e viteve 1960. Pati ikur në Itali drejt dolce vita-s. Ajo vdiq në prag të emancipimit të madh në pushtetin e kancelarit Bruno Kreisky, por ishte vështirë të paramendohej ajo si

një pasionaria e socialdemokracisë austriake. Dhe as në shtratin e një psikanalisti që do të kishte vendosur paksa rregull në kaosin e saj të brendshëm.

Burrat, “të gjithë të sëmurë të pashërueshëm”?

Një rrymë e caktuar feministe gjeti fajtorin e zbritjes së saj në ferr: shkrimtari zviceran Max Frisch, me të cilin kishte, midis burrave të tjerë, një lidhje herë të lumtur dhe herë jo, të pikasur nga një abort. Frisch e braktisi atë për një grua shumë më të re dhe nuk i mungoi efekti këtij skenari klasik. Bachmann u shkatërru. Sikurse Sylvia Plath me burrin e saj Ted Hugues, e cila futi kokën në furrë pasi kishte përgatitur valën e ushqimit të fëmijëve të saj.

Duhet lexuar esenë e admirueshme të feministes Diane Middlebrook: Her Husband (Burri i saj), kushtuar marrëdhënieve të Plath dhe Hugues (“Depresioni vrau Sylvia Plath” dhe jo tradhtia mashkullore), për të kuptuar se çiftet e tilla janë më komplekse sesa imazhi viktimizues bardh e zi. Se dy krijues që ushqejnë punën e tjetrit ndonjëherë hajnë njëri-tjetrin. Se plagët e zhveshura nga ndarja e Bachmann me Frisch mund të jenë shumë më të vjetra. Se njerëzit nuk janë, ndryshe nga ajo që shkroi dikur Bachmann, “të gjithë të sëmurë të pashërueshëm”. Elfriede Jelinek mendon se problemi i Bachmann ishte se u dashurua me një burrë (Max Frisch) i cili ishte “pashërueshëm i shëndetshëm”.

Por mbetet e qartë se periudha e jetës së rritur të Bachmann, vitet 1950-196, mori një pamje shumë më jotoleruese mbi lirinë seksuale së një gruaje. Lidhjet e saj të shumëfishta, sinqeriteti me të cilin ajo i merrte përsipër dëshirat e saj, fakti që nuk bëri fëmijë: kaq shumë “mëkate” që nuk i kompensonte vitaliteti i saj letrar. Ideja që krijimtaria vjen me çmimin e fatkeqësisë është ana tjetër e pasqyrës së mitit të Sirenës së Vogël të Andersenit, e cila sakrifikon zërin e saj për të pasur këmbë dhe për ta joshur princin e saj. Ndryshe, Ingeborg Bachmann ruajti zërin e saj.

(Mediapart)/ ObserverKult