Instalacion, qytetarët mund të shkruajnë mendimet apo dëshirat në pjesët e drurit

 Në kuadër të Tetorit Gjerman në Tiranë, skulptori gjerman Martin Steinert filloi ndërtimin e instalacionit prej druri “wooden cloud”, i cili mbështetet nga studentë të Universitetit të Arteve.

Në këtë event kulturor ishte i pranishëm ambasadori gjerman, Peter Zingraf dhe nënkryetarja e bashkisë Anuela Ristani të cilët dhanë sinjalin e nisjes së projektit.

Ambasada gjermane në Tiranë ftoi qytetarët dhe artdashësit që të bëhen pjesë e këtij eventi.

“Bashkohu edhe ti! Në dy javët e ardhshme të ndërtimit të saj ju mund të shkruani dëshirat, mendimet dhe ëndrrat tuaja në copat e drurit, të cilat Martin Steinert më pas do i vendosë për të formuar renë”, apelon Ambasada gjermane.

Projekti në kuadër të Tetorit Gjerman, ka dhe mbështetjen e bashkisë Tiranë.

Që nga viti 2007 në Shqipëri zhvillohen çdo vit javët e kulturës gjermano-shqiptare me emrin “Tetori Gjerman”. Në këto 14 vite “Tetori Gjerman” është kthyer në një pjesë të rëndësishme të jetës kulturore të Shqipërisë./atsh