Një pjesë të letërsisë shqipe, tashmë mund ta lexoni online

Veprat e autorëve të letërsisë shqipe, vijnë për herë të parë në formatin digjital, falas për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen.

Nisur nga mungesa e shumë veprave të digjitalizuara, Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës në kuadër të projektit “Diaspora për Zhvillim”, sjell Platformën Digjitale të Veprave Shqiptare.

Platforma është krijuar me qëllim gjallërimin dhe promovimin e kujtesës kolektive kulturore të komunitetit të Diasporës shqiptare, si dhe krijimin e kushteve dhe nxitjen e angazhimit kulturor të anëtarëve të Diasporës shqiptare.

Pjesë e platformës “Digjitalizimi i Veprave Shqiptare”, do të jenë 100 vepra të një game të gjerë zhanresh, nga autorë të Rilindjes Kombëtare, të letërsisë bashkohore shqiptare, si dhe vepra të letërsisë për fëmijë.

Digjitalizimit të veprave shqiptare i kushtohet një rëndësi e veçantë në Strategjinë Kombëtare për Diasporën, si një instrument për përcjelljen dhe ruajtjen e trashëgimisë gjuhësore e kulturore shqipe në Diasporë.

Veprat e para të digjitalizuara, mund t’i gjeni këtu: https://adld.al/