Instituti Albanologjik-simbol të dijeve albanologjike dhe të historisë identitare të Kosovës

Mehmet Kraja

FJALË E MBAJTUR NË INSTITUTIN ALBANOLOGJIK ME RASTIN E HAPJES SË “JAVËS SE ALBANOLOGJISË”

Nga Mehmet Kraja

Të nderuar miq, gjuhëtarë dhe studiues të të gjitha fushave të studimeve albanologjike, pjesëmarrës të “Javës së Albanologjisë”
Ndonëse jo gjithnjë në vëmendje të opinionit, me një këmbëngulje dhe idealizëm gati të pashembullt, të nderuar miq, ju keni arritur të mbani për më shumë se dhjetë vjet radhazi një aktivitet shkencor, “Javën e Albanologjisë”, e cila nuk është vlerësuar sa duhet nga opinioni i gjerë, por as nga vendimmarrësit e rëndësishëm të jetës shkencore dhe kulturore në Kosovën e këtyre viteve.
Natyrisht që kjo rrethanë nuk duhet të na befasojë, sepse në këtë periudhë të vështirë të transicionit nuk janë të shumtë njerëzit që gjykojnë drejtë për prioritetet tona rreth nevojave identitare.
Por nuk është vetëm kjo.
Më lejonit të them me këtë rast, pa ekuivokë, se historia e Kosovës është histori identiteti dhe dijet albanologjike zënë vend të rëndësishëm në këtë identitet, ose, thënë më mirë, janë të përfshira në tërësinë e tyre.
Instituti Albanologjik i Prishtinës, në këtë kuadër, që shumë dekada është ngritur në simbol të dijeve albanologjike dhe të historisë identitare të Kosovës. Si institucioni më jetëgjatë i albanologjisë në Kosovë, bashkë me Katedrën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filozofik dhe më pas të Filologjisë, si dhe me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Instituti Albanologjik është konsideruar gjithnjë si bartës fondamental i studimeve albanologjike në Kosovë dhe të tre këto institucione së bashku e kanë bërë Prishtinën njërën nga dy qendrat më të rëndësishme të studimeve albanologjike në botë.
Të gjithë jemi dëshmitarë se Instituti Albanologjik i Prishtinës ka përjetuar po atë që ka përjetuar edhe vetë Kosova në gjysmën e dytë të shekullit XX dhe në deceniet e para të shekullit XXI: themelim, mbyllje, pushtim, rihapje, ringritje dhe triumf përfundimtar mbi të gjitha ndalesat, robërimin dhe kufizimet e mendimit identitar.
Me pavarësinë e Kosovës shumë njerëz kanë menduar dhe vazhdojnë të mendojnë tashmë se ka përfunduar epoka identitare dhe se tani kemi hyrë në një fazë tjetër, në periudhën e globalizmit dhe të komunikimit kontemporan.
Pa e mohuar vlerën asnjë agjende moderniteti, më lejoni ta konsideroj të gabuar një qasje të këtillë, sepse, sikundër mund ta vërejmë, jo vetëm pse pas euforisë së globalizmit shihet në horizont një rikthim në dijet identitare, por në të vërtetë kulturat e avancuara as që e kanë braktisur atë ndonjëherë.
Ç’është e vërteta, nën trysninë e vazhdueshme të modernitetit dhe të shkencave të aplikuara, aktualisht dijet albanologjike po përjetojnë një anashkalim, për të mos thënë nënçmim shoqëror, kulturor dhe institucional dhe se interesimi për këto shkenca dhe dije vjen duke u zbehur dita ditës.
Por, më anë tjetër, pavarësisht nga kjo rrethanë e pafavorshme, studiuesit e albanologjisë duhet t’i avancojnë dhe t’i perfeksionojnë metodat e studimit, t’iu përgjigjen sfidave të kohës, ndonëse në hapësirën e albanologjisë, si në të gjitha fushat e studimeve të kësaj natyre, mund të veprojnë njëkohësisht, ta zëmë, edhe gjuhësia historike, krahasimtare, strukturale, gjenerative, kompjuterike, po edhe ajo e zbatuar.
Të nderuar miq,
Vetë fakti se ne jemi këtu, në një numër kaq të madh dhe me një numër prej 85 kumtesash dhe ligjërimesh, që do të prezantohen në këtë javë të albanologjisë, flet qartë se dijet dhe studimet albanologjike kanë të ardhme.
Sukses!

ObserverKult